Historia “e pabesueshme”, pse e hoqi regjisori Robert Ndrenikën nga “Fije që priten”

Fejzo

Foto e papublikuar më parë e filmit “Fijet që priten”. Në qendër aktori Robert Ndrenika në rolin e punonjësit të sigurimit përpara se të zëvendësohej nga Astrit Cerma. Regjisori tregoi, kohë më parë, peripecitë e realizimit të filmit në vitet ‘75-‘76.

Feçorr Shehu: Ka një vëlla të arratisur, s’mund të luajë punonjësin e Armës së Sigurimit

Muharrem Fejzo (tashmë i ndjerë) i përket ndoshta sërës së aristokratëve të fundit. Me një kulturë dhe politesë për t’u pasur zili, që të rinjtë e sotshëm do ta quanin “old fashion”, të pret në apartamentin e tij në rrugën “Musa Agolli”, ku jeton me bashkëshorten, sa herë vjen nga Italia. Shija e artistit ndihet që tek dera e jashtme, nga mënyra se si ka shkruar emrin mbi të, ndërsa brenda është pak të thuash një galeri arti.

Jo vetëm sepse Muharrem Fejzo është një nga regjisorët më të mirë shqiptarë, por edhe sepse ai është njëkohësisht piktor e skulptor. Jemi me fat që e gjetëm regjisorin në Tiranë. Ndodhet këtu prej pak kohësh dhe në qershor do të kthehet sërish në Itali tek i biri, gjithashtu një kantautor i njohur, Joe Artid Fejzo. Edhe pse ka ardhur të qëndrojë për pak, nuk mund të rrijë duarkryq.

Ka nisur të shkruajë kujtimet. Regjisori i filmave “Kapedani”, “Mësonjëtorja”, “Guna përmbi tela”, “Binarët”, e shumë të tjerë, ka kaq shumë për të treguar! Një copëz prej kujtimeve të tij është edhe realizimi i filmit “Fijet që priten”. Gjithkush mund të kujtojë episode e batuta nga filmi me Sami Amenin e Marko Ruvinën, ku luajnë Kadri Roshi, Reshat Arbana, Roza Anagnosti, Astrit Çerma etj. Por shumë pak mund të dinë se rolin e punonjësit të Sigurimit në këtë film fillimisht e luante aktori Robert Ndrenika.

Pushtetarët e lartë nuk mund ta pranonin që vëllai i një të arratisuri të luante një prej njerëzve “të tyre”, ndaj urdhëruan që ta zëvendësonin menjëherë. Fejzo tregon si u realizua ky film, që nga bashkëpunimi me Neshat Tozajn, që ishte edhe punonjës në Ministrinë e Brendshme, tek gjetja e aktorëve, episode plot humor nga xhirimet, deri tek projektimi i filmit për Feçorr Shehun dhe zëvendësimi i Robert Ndrenikës me Astrit Çermën.

“Ishte periudhë e ashpër e luftës kundër liberalizimit. Ishte një kompleks gjërash që të merrnin frymën dhe ne si krijues e kishim jashtëzakonisht të vështirë, sepse censura binte pa mëshirë mbi ne. Ne kishim një kinomekanik që i thoshim Qafa, që shfaqte filmat tek udhëheqja. Kur kthehej pas projeksionit, ne e prisnim tek shkallët e Kinostudios, nëse po vinte duke qeshur apo jo. Kur vinte i zymtë dhe bishtnonte, thoshim: Bobo e hëngri ky!”.

Largimin e Ndrenikës nga filmi Fejzo e ndiente si një barrë të rëndë, edhe pse aktori e priti me një mirëkuptim të jashtëzakonshëm. Kështu ndodhi që regjisori i ofroi rolin e Kockës tek “Mësonjëtorja”, ndërsa më pas, edhe me zbutjen e situatës politike, Robert Ndrenika do të “rehabilitohej” tërësisht dhe do të bëhej një nga emrat e pazëvendësueshëm të kinemasë dhe teatrit shqiptar…

Kujtime nga Muharrem Fejzo – Në mes të ngacmimeve të shumë leximeve, gjeta dhe novelën e Neshat Tozajt, “Fundi i një brenge”. Në fund të filmit “Operacioni zjarri” është një batutë e “Kometës”: Nëse gjatë kësaj kohe na është dashur të ndeshemi me zjarr, ka ardhur koha të ndeshemi me kravatë! – (Dhe ajo kravatë, do të ishte si ajo e Stolipinit, i cili armiqtë e regjimit në Rusi i shkonte me li tar në f yt!). E kisha në kujtesë dëshirën për të xhiruar filma aksioni. Fabula e novelës e përmbante këtë gjakim.

Ishte fundi i muajit maj, kur u takova me autorin e novelës, Neshatin. Që në vështrimin e parë, pashë në atë fytyrë të mprehtë një vështrim të zgjuar, zhbirues. Trupi i tij i dobët, fytyra e zbetë prej intelektuali, dora e akullt, të jepnin të kuptoje se kishe të bëje me një njeri që ushtronte profesionin e kriminalistit. Fjalë pak, një mikrofizionomi e lexueshme me vështirësi, më krijoi shtysën për ta ndezur pak bisedën. Temperamenti im sanguin nuk përkonte fare me atë “flegmë” të gjallë.

Nuk m’u desh shumë kohë për të zbuluar tek ai një të fshehtë që e ruante me kujdes. Nuk besonte se me të vërtetë novela e tij do të gjente fatin të ekranizohej. Kishte dëgjuar se në Kinostudio regjisorët bënin shumë propozime, por që nuk gjenin rrugën e realizimit skenik. Ishte sedërli i madh. Mbas disa takimesh u bind se unë e kisha seriozisht. Atëherë fytyra iu çel dhe zbulova tek ai një humor të zgjuar prej labi të mençur.

Mendova për një çast, meqenëse ai nuk e njihte gjuhën e filmit, se do të shprehte dëshirën për bashkëpunim në skenarin letrar si kisha vepruar me Markun. Më kot u përpoqa t’i shpjegoj vështirësitë e gjetjes së mjeteve shprehëse të veprës letrare, që kërkojnë ekuivalentin artistik të gjuhës së kinemasë. Një tik nervor u shfaq në fytyrën e tij imcake.

E shkroi vetë skenarin. Patëm shumë fërkime derisa gjetëm udhën e bashkëpunimit. Mbas shumë humbjeje kohe për vështirësitë burokratike dhe mbasi skenari kaloi në filtrin e instancave përkatëse të zbulimit, më dhanë grupin e xhirimit. Isha i kënaqur me njerëzit që do të drejtoja në këtë film. Petraqi operator, piktor Namik Prizreni dhe drejtor Josif Kromidha.

Asistentë, aktori Petrit Llanaj e të tjerë. Përpara se të shkruaja skenarin tekniko-regjisorial, ndjeva shtysën të përcaktoja aktorët që do të mishëronin rolet. Fototeka dhe albumet tek fotografi Agim Vërzivolli dhe fotot e tjera që do bënim në takime me aktorët, do të më vinin në ndihmë për zgjedhjen sa më të mirë.

Kujtesa është si një rrjetë. Ndonjëherë e gjen atë plot peshq kur e nxjerr nga lumi, por rrjedha e pafund e ujit që kalon nëpër të shpesh nuk lë asgjë në rrjetë. Për fatin tim të mirë, kam ruajtur me kujdes shënimet për çdo film nëpër ditarë. I tillë është dhe ditari “gri”. Në syprinën e tij është shënuar dita e fillimit të punës për ekranizimin: 16.9.’75.

Papritur realiteti u duk aq i ngatërruar, sikur do të rrëfeje një makth! Asistentët duhet të shkonin në transhe për gërmime. Operatori është i zënë me një relacion partie. Të tjerë pjesëtarë të grupit janë të angazhuar me filma, të cilët nuk kanë mbaruar ende. Për pjesëmarrjen e aktorëve të Teatrit Popullor duhet biseduar me drejtorin V. Aristidhi. E pres me dëshirë takimin me të.

Jam i sigurt që ai do të më ndihmojë. Problemi më i pazgjidhshëm ishte Kadri Roshi. Ai ishte ndëshkuar nga organizata e partisë e teatrit për “imoralitet” dhe e kishin çuar për riedukim në Guroren e malit të Dajtit! Ishte për të qeshur dhe për të qarë; Kadriu, kur ishte i shtruar në spital, nuk e di përse, i kishte futur duart infermieres…! Mjaftonte kjo që komunisti Kadri të jepte llogari përpara shokëve të partisë.

Shoku Vaskë tha duke qeshur: “Çe de, u bë qameti, se i shkau dora Kadriut dhe u fut në shalët e infermieres! Po dhe ajo kuçkë e madhe. Vetë ia ziente gjakun Kadriut të varfër me gjithë ato sisë që sa nuk i merrnin firomën, kur i vinte termometrin. Vetëm komiteti i partisë mund t’i japë dum këtij muhabeti. Unë nuk të ndihmoj dot, më vjen keq”.

(Më kujtohet ajo mbledhja e shëmtuar, kur do të hiqnin nga posti i drejtorit Vaskën. Ishte ulur pranë meje dhe më kish porositur në rrëzë të veshit: “Dëgjo! Kur të flas unë dhe do të them ndonjë broçkull nga ato të miat, ti më shkel këmbën, a e kuptove?! Nuk m’u dha rasti të bëja atë sakrificë, se nuk e lanë të fliste. E mbytën me kritika të ashpra e vërejtje të pafunda, sidomos shoku Manush Myftiu.

Përpëliste sytë e lëshonte zjarr nga goja. Unë e mbrojta shokun Vaskë, se dhe ai më kishte ndihmuar mua. “Është e lehtë t’i heqësh stolin njeriut që do të varet. Po këtu nuk është rasti. Le të vëmë në peshore kontributin dhe gabimet e tij…”, fola unë dhe goja m’u shtrembërua nga mallëngjimi.

Kundërshtarët u ngritën një zëri me në krye shefin e redaksisë P.D. Mbrojtësit, që ishin pakica, zhangëllitën dhe ata. U ngrit një zhurmë e madhe dhe vetëm ngritja më këmbë e shokut Manush e qetoi mbledhjen: “Edhe një, sikur të kishte vërejtje për këtë drejtor, ai duhej ppppushuar, jo më që është një kolektiv i tërë.. ja kështu!)

Minella Borovën Komiteti i Partisë së Korçës nuk e lejonte. Punë biografie. Zhani Zeçishtin, po. Llazi Sërbo, kur mori vesh se në të njëjtin rol do të provohej dhe Kadri Roshi, iku i inatosur. Iu duk sikur do të talleshim me të. Nga ILA. u kërkua Vangjush Furxhi e Timo Flloko, Yllka Mujo, Robert Ndrenika, Roza Anagnosti e të tjerë. Nga Durrësi, Aishe Stari, Gulielm Radoja, nga Elbasani Demir Hyskja. Nga Shkodra Serafin Fanko e Frederik Fistani, e kështu me radhë…

Po kalonte muaji dhe Ministria e Arsimit dhe ajo e Brendshmja nuk po jepnin vërejtjet e tyre. Kinostudio dhe teatrot ishin në luftë si në tërheqje litari, për pjesëmarrjen e aktorëve. Prapavija ishte shumë mbrapa me pajisjet: kostumet, grimi, rekuizita e rëndë dhe e lehtë. Ndriçimi po ashtu. Vazhduam me shikimin e vendeve. Ishte një e diel e vjeshtës së parë, kur udhëtuam për në Durrës….

Ditët rrëshqisnin mbi kurrizin e kohës si vesa mbi petalet e luleve. Erdhi 1 dhjetori dhe problemet gëlonin mbi ujë. Pjesëtarët e grupit ishin shpërndarë: kush në transhe, kush në punën fizike, kush në mbledhje partie, zbor, ndërtesë me kontribut vullnetar, e të tjera si këto. Ajo që më ndillte pasiguri, ishte marrja e Kadri Roshit.

Në Komitetin e Partisë ndesha me një shok të mirë, Thanas Nikën. Mbasi ia shtrova problemin, ai e mbuloi me një mirëkuptim prej ithtari të kinemasë. E takova Kadriun në oborrin e teatrit. Hapi krahët dhe më pushtoi fort pa thënë asnjë fjalë. Sytë iu skuqën… iku pa më thënë as mirupafshim…

Më 15 dhjetor ishte planifikuar fillimi i xhirimeve. Më rrapt! Mungonte një pjesë e mirë e grupit realizues dhe mbi të gjitha, nuk kishte elektricistë! Kadri Roshi njofton se do të pushojë deri të enjten. Kostumet nuk janë gati. Mblidhet shtabi. I përgjysmuar. Njoftohet Todi Bozo, nëndrejtor i prodhimit.

Vendosa të punoj në tavolinë me aktorët: Robert Ndrenika në rolin kryesor. Kadri Roshi në atë të Marko Ruvinës, antagonistit, Rozën dhe Demirin në familjarët që bartin brengën, Reshatin në rolin e Sami Amenit, Serafinin në atë të Klarkut, turistit, ndërsa për bukuroshen Kres, mora një arsimtare mjaft joshëse, e kështu me radhë.

Xhiruam disa plane të mundshme me personazhe të dorës së dytë, figurantë dhe plane atmosfere. Plani i fundit për atë vit ishte ai i episodit “ankthi”. Xhiruam deri në orën 22:15 minuta. U xhirua me “brekë nëpër këmbë”, se të gjithë e kishim mendjen tek fëmijët, dhe si do ta kalonim Vitin e Ri, i cili po trokiste në derë. E lamë lodhjen, shqetësimet, zënkat e mëritë mbrapa portës me kangjella hekuri të Kinostudios dhe vërshuam drejt familjeve tona për të festuar Vitin e Ri 1975…

E sotmja gjykon të djeshmen, të sotmen e gjykon e nesërmja – Viti i Ri hyri me ngërçe të shumta në planin kalendarik të xhirimeve. O Zot! Është e pabesueshme si paskam mundur të shkruaj shënimet në atë bllok me një shkrim mikroskopik si ato të Biblës apo Kur’anit që janë në përmasa sa një kuti shkrepëseje. Me anë të lentës zmadhuese arrij të lexoj shqetësimet, trysnitë, heqjen e njerëzve të grupit për zbore, hapje trasesh, punë fizike e të tjera si këto, të cilat sillnin pezullimin e xhirimeve.

Kështu ndodhi me Kadri Roshin. Herë e kërkonte Korça, herë uzina, ku punonte me diletantët, e herë Robert Ndrenika për shfaqjet në teatër. Nervozizmi, pagjumësia dhe pamundësia e dhënies të një shpjegimi të arsyeshëm nga ana e drejtorisë, më zvordhitën nga puna. Mbi të gjitha: kërkonin që filmi të mbaronte në muajin shkurt dhe premiera ishte caktuar me 20 mars! Kishin marrë angazhim përpara partisë dhe ministrisë pa na pyetur fare. “E bënë dasmën pa hanxhinj”.

Episodi i takimit të Marko Ruvinës me Aishe Starin – Në dhomën e beqarit plak do të vinte bashkëpunëtorja. I them Kadriut: “Kur ta përlash Aishen, zhytja duart në bel dhe përfshije mirë. Pastaj mbas shpine, ngjitja gishtat sikur të ngjitej një merimangë”. Ai nuk foli. Mbylli sytë në shenjë aprovimi (Me gjithë tekat që kishte, ishte një kënaqësi e madhe të punoje me atë aktor kalibri.

Në sheshin e xhirimit ai i bindej regjisorit me një politesë mbresëlënëse. Të krijonte bindjen se të kishte kuptuar fluturimthi. Nuk e di në e bënte këtë për sy e faqe apo me gjithë mend, por rezultati i lojës së tij virtuoze, artit të tij vetanak, plotësonte kërkesat e të dy palëve).

Filloi xhirimi. Ishja zbërthen pardesynë. Jashtë kërcen gjoksi i saj i bëshëm provokues. Kadriu gëlltitet. Duke dialoguar, ai e përfshin për beli dhe filloi t’i ngjitë gishtat tamam si merimangë. Kamera ndjek atë lëvizje. Detaji është shprehës.

Kur gishtat arrijnë afër flokëve të Ishes, ai i lidhi gishtat gërshetë dhe i ktheu pëllëmbët nga ne. U duk sikur po na jepte munxët. “Stop! Kadri, po kjo ç’është?”, i flas. Gazi po më shpërthente. Ai me duart e lidhura dhe kokën që i dridhet, foli me një zë tallës: – Gurorja, Muharrem. Gurrrorrrrja!

Xhirimet dhe montimi, dublimi e të tjera kishin mbaruar, drejtori sjell kompozitorin Shpëtim Kushta, me të cilin kishte rënë dakord vetë pa më pyetur mua! Nejse. Atë ditë që kompozitori do të shihte filmin, në oborrin e Kinostudios hyri me uturimë një “Gaz”! Që andej zbriti fytyrëvrarë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu. Mbetëm të befasuar pse do të kishte ardhur.

Përpara doli drejtori ynë, bashkë me shokët e partisë. Ngjitën shkallët dhe morën drejtimin për nga salla e shfaqjeve. Hapat e grupit oshëtinë në tremën e studios. Shoku Feçor panoramoi vështrimin në stendat e mëdha vendosur në muret e sallonit të madh. Një bisedë e shkurtër përpara shatërvanit të vogël, në murin përballë. Drejtori më bëri me shenjë që të përgatisja shpejt shfaqjen e filmit.

Isha në pultin e komandimit, kur dera u hap dhe brenda hyri shoku Feçor. Pas atij u ulën të gjithë. Drejtori ktheu kokën nga unë dhe më dha shenjë të filloja. Ashtu u bë. Filmi kaloi akt pas akti në një heshtje klithëse! Ishim të gjithë mes hamendësimesh! Ç’të ketë ndodhur vallë?! Zëmra po trokiste në kraharor. Ndjeva veten t’i ngjaja një trungu pa rrënjë, pa degë.

Lëkura më mizëronte. Trokun e zemrës e ndieja te kokërdhokët e syve. Filmin e pashë, por nuk mbaja mend asgjë. Trurin e kishte pushtuar hamendësimi! Në ekran u dukën kuadrot e fundit me atë “happy end” të porositur. Dritat u ndezën dhe pashë te fytyra e zëvendësministrit një rreze drite. Një buzëqeshje! Qenia ime doli nga akullnaja.

“Thirre, thirre atë regjisorin”, i tha drejtorit. Nuk ishte e nevojshme. Fjala jehoi në muret e sallës. Sakaq u ndodha përpara tij. Ishte i shkurtër bajagi. Nuk ishte hera e parë që përplasnim sytë me njëri-tjetrin. Dikush më afroi një ndenjëse. Për një çast e ndjeva veten si në hetuesi. Shoku Feçor m’i mbërtheu sytë me një zhbirim të frikshëm. Po rrija mbi gjemba derisa ai të fliste. Krahu i tij u ngrit dhe peshoi mbi shpatullën e drejtorit. Ai u bë flakë në fytyrë.

“Mirëëëë…, shfryu zëvendësministri. More, po ky artisti sikur vërtet ka qenë në organet tona. Ka punuar mirë qerratai…!”. Po notoja në një mjegullnajë hamendësish. Për kë e kishte fjalën? Për Kadriun, me siguri. Apo për Demirin? Hamendjen time nuk e la të hiqet zvarrë, kur përmendi mbiemrin e… “Ndrenika e ka mbiemrin ky djali apo jo?” “Po”, u përgjigjëm njëzëri për vlerësimin e Robertit.

Nuk foli më gjatë dhe gracka e dyshimit u vendos sërish. Vështrimin e hodhi te këmbët, panoramoi vertikalisht deri te sytë e mi. Mori frymë thellë dhe më pas lëshoi kumtin e hidhur: “Duhet ta zëvendësosh, shoku regjisor! Me siguri ju nuk mund ta dinit që ai ka një vëlla të arratisur! Ndryshe nuk mund t’i besonit atij rolin kryesor dhe, për më tepër, atë të punonjësit të Armës së Sigurimit. Apo jo? Ëëëë?”.

Po priste një përgjigje nga drejtori, por ai e pasoi tek unë. Përgjigja sakaq, më erdhi në majë të gjuhës: “Konsulenti juaj, shoku Farudin Ponçari dhe autori i skenarit shoku Neshat, nuk e dinin këtë gjë? Mendoni pak, heqja e aktorit nga filmi është një goditje e rëndë psikologjike dhe shoqërore. Ajo mund të bëhet vetëm në rast se aktori nuk jep rezultat në realizimin e rolit të tij…”. Ai nuk tha asnjë fjalë. U drejtua nga dera dhe ngjiti shkallët për të vajtur te zyra e drejtorit.

Ne mbetëm të shushatur me një pikëpyetje të madhe, që kish pushtuar gjithë materien gri. Mbas gjysmë ore, erdhi drejtori dhe më tha: “Duhet të mendosh për zëvendësimin e Robertit”. Nuk më la të them asnjë fjalë më tepër. Ngriti supet, për të treguar se nuk kishte asnjë mundësi tjetër. Gjaku më hipi në kokë. Nuk artikuloja dot fjalët. Kur ai ishte duke u larguar, i thashë: “Unë nuk kam kurajën civile t’i jap këtë kumt, shoku drejtor.

Bëni çfarë të doni”. Pas kësaj ngjarjeje, dromca bisedash qarkullonin në kryeqytet. Ajo që e kishte ndier më shumë këtë paradoks të kohës, që ishin me dhjetëra në fushën e artit dhe letërsisë, ishte Roza Anagnosti. Ajo vazhdonte xhirimet me makthin në zemër se do t’i vinte radha dhe asaj të pësonte fatin e Robertit. Dhe ajo kishte një xanxë në biografi.

E ngushëllova duke i thënë se nuk mund ta bënin një krim të tillë, se edhe heqja e saj do të thoshte që partia dhe qeveria të kishin një film më pak. Për më tepër që skenari ishte i një punonjësi të ministrisë së tyre dhe plani i Kinostudios do shkonte në dreqollë.

Gjithë koha paskëtaj hyri në një mjegullnajë. Mijëra mendime trokisnin në trurin tim të lodhur. E përfytyroja Bertin, të cilin e njihja që në fëmijërinë e tij, në mes të asaj andralle që do t’i linte gjurmë gjatë gjithë jetës. Si do t’i dilja përpara? Me ç’sy e faqe do të mund të uleshim bashkë për një kafe a birrë? Ishte një hamendësi rraskapitëse. Por ndodhi ajo më e pabesueshmja.

Berti kishte një bujari shpirtërore për ta pasur zili! Ai jo vetëm nuk m’u zemërua, por hynte në travajet e mia. E merrte fajin për vete. Ishte bërë ai shkaktar i rixhirimeve. I hedhjes në gropën e krematoriumit të qindra metrave film! I lodhjes, mundimit të një grupi të madh njerëzish… Kjo ishte fisnikëria e këtij aktori të madh, që jeta e tij e paskëtajme do të pasurohej më tej me role të njëpasnjëshme, të gjitha të realizuara më së miri.

Unë u qetova, vetëm kur e mora në rolin e “Kockës”, tek filmi “Mësonjëtorja” dhe Rozën në rolin kryesor, atë të Dafinës. Dy aktorë të mrekullueshëm të kinematografisë shqiptare. Thirrëm Astrit Çermën, aktor i teatrit “Skampa” të Elbasanit. Një aktor me të dhëna të mira profesionale. Ai e pa filmin. Ishte i përlotur kur tha: “E çfarë mund të bëj unë? E ndiej veten shumë larg për të arritur mjeshtërinë e Bertit!”. Megjithatë ai bëri të pamundurën.

Punuam ditë e natë, sektorë të ndryshëm punonin me dy turne. Së fundmi, filmi mbasi kaloi në sitën e kontrolleve të njëpasnjëshme, doli në qarkullim në të gjitha kinematë e kryeqytetit. Ishte një kënaqësi e madhe tek shikoje grumbullimin e njerëzve në sportelet e kinemave. Në turma shtyheshin e shaheshin me njëri-tjetrin me duart përpjetë e lekët mbërthyer në grusht. Nuk kishte radhë grash e burrash.

Nga ai grumbullim qeniesh të gjalla ngrihej një erë e përzier djerse trupi e këmbësh. Ndieja një kënaqësi dykahëshe! Nga një anë për gëzimin që të shkakton suksesi, nga ana tjetër më vinte keq për mundimin, sakrificën që bënin këta dashamirës të ekranit, të cilët hiqnin paret e bukës për të parë filmin (Ai varfërim i jetës kulturore, ku njerëzit nuk kishin gjë tjetër për të ushqyer shpirtin e tyre veç filmit, bënte që sallat dhe kinematë, të shtrira në gjithë hapësirën e atdheut, të ishin plot për javë e muaj.).

Drejtori i kinema “Partizani” më tha që disa çuna kishin hequr hekurat e dritares së prapme të kinemasë për të parë filmin. Mbas disa ditësh në kinemanë e Laçit, shikuesit kishin hedhur përdhe portën, dhe kishin hyrë pa bileta. Ditë mbas, njerëzit kishin penguar makinën që do të merrte filmin për ta çuar në kinematë e tjera.

Shtypi dhe media e pritën shumë mirë. Filmin e kishin shfaqur dhe nëpër burgje e kampe përqendrimi (Për këtë,do të më fliste miku im Jusuf Vrioni, mbasi kreu dënimin pa asnjë akuzë. Vetëm se kishte studiuar në Francë dhe ishte bir i një nëpunësi të lartë, pronar i madh tokash e ullishtesh.). /ALMA MILE/aktoret.com

Lexo edhe:

FILMI I RIKARD LJARJAS “QË NUK U PUBLIKUA KURRË”, DALIN FOTOT NGA SHESHXHIRIMI

ObserverKult