
S’ka rëndësi kush je, sa ke, si je rritur,
fundi është i njëjtë si një dritë e fikur.
Shtratin prej floriri a kashte mund ta kesh,
por në fund prapë do të thonë: “Iku, vari leshtë”.
Dhimbja s’pyet për emër, s’pyet për lavdi,
dhimbja dhemb njëlloj në burg a në liri.
Të njëjtat fjalë do të thonë edhe për ty,
“Vari leshtë”, do mërmërisin,”shkoi edhe ky”.
Ç’rëndësi ka, Rolex në dorë a sahat në brez,
në ishe zjarrfikës apo ai që flakë ndez,
në ishe gentleman apo një horr horri,
“Vari leshtë” – kush mbolli, vari leshtë kush korri.
Jetove në vilë apo në shtëpi me qira,
notoje në dollarë, a ishe fukara,
Në ishe frikacak apo ja bëje zjarr e fora,
“Vari leshtë” -do thonë, sapo të mbërrijë ora.
Kur “ajo” troket, nuk pyet për emër,
nuk zgjedh: vuan në kokë apo në zemër.
Qofsh ti zengjin, apo nga ata të mjerët,
“Vari leshtë” do thonë – si gjithë të tjerët.
A si fitimtar, a dorëzohesh me turp,
A si vetmitar në dritë e në muzg.
Edhe nëse vërtet je njeri i rrallë,
“Vari leshtë” do thonë, kur më s’je i gjallë.
Mund të jesh degë e tharë apo filiz.
mund të jesh bamirës apo i lig.
Mund të ishe lypës, mund të ishe dhe mbret,
prapë njësoj do të thonë: “iku, vari leshtë”.
*Nga libri:”Fytyrat e Kohës”, “The Many Faces of Time”, shtator 2025
ObserverKult
Lexo edhe:
Si e kërcënuan komunistët Koço Devolen me jetë… dhe iku në Amerikë?






