
Zonja ime,
meqë do të qëndrosh larg…
dhe meqë të gjitha rrugët
nuk më çojnë më tek ti…
kam qëndruar tani,
përballë gjithë Bordit të Dashurisë,
për të shpallë dorëheqjen time…
duke firmosur në emrin tim
dhe në emër të mijëra zemrave të plagosura
se sot jap dorëheqjen time.
Meqë ti zgjodhe heshtjen,
nuk do të mbjell më trëndafila në ditën time
as nuk do të ndez zjarr gjatë natën time…
Do ta lë kohën të kalojë
pa e ngarkuar me pritjen tënde…
Do të orvatem të jem si Eufrati,
apo Nili, apo qoftë edhe një rrugë e ngushtë…
sepse kam një grusht dheu
nga dashuria e vjetër,
sepse në zemrën time ka mbetur
diçka nga një njeri fisnik…
Do të dorëhiqem, sepse fletët e shënimeve të mia
nuk e njohin kuptimin e vjeshtës…
Bordi i dashurisë është mbledhur shpesh,
dhe emri yt ishte pika e vetme në rend të ditës…
kurse zëri im,
ishte i vetmi që nuk merrej parasysh…
Kundërshtoja mungesën,
por mungesa votohej me shumicë dërrmuese…
Kërkoja praninë,
por prania shtyhej për një njoftim të dytë, i cili nuk vinte kurrë…
Zemra ime është shndërruar
në një parlament pa opozitë,
në një seancë të hapur
që nuk mbaron kurrë…
Të gjithë anëtarët e saj
janë unë… unë… dhe unë…
askush nuk më dëgjon përveç teje…
Prandaj shpall sot
shpërndarjen përfundimtare të këtij bordi
dhe ngrirjen e të gjitha ligjeve të dashurisë
që e legjitimonin emrin tënd në çdo seancë…
Unë jap dorëheqjen nga gjithçka që më lidh me ty,
sepse gjyqtari je ti
avokati je ti
dëshmitari je ti
dhe vendimi është mungesa jote…
Kam provuar të gjitha rrugët e apelimit,
por të gjitha më çonin tek ti…
Provova të jem asnjanës,
por dështova…
provova të jem i fortë,
por u zhyta më thellë…
Zonjë…
kjo zemër
nuk mund ta vazhdojë më këtë seancë,
sepse ti thjesht
u shndërrove nga një çështje që diskutohet
në një realitet që banon brenda meje…
Prandaj…
paraqes zyrtarisht tërheqjen time
nga gjithçka që më lidh me ty…
Nuk kërkoj më shpjegim,
nuk paraqes më kundërshtim,
dhe nuk e hap më derën e rishqyrtimit…
Çështja përfundoi…
dhe zemra u çlirua prej teje…
Gjithçka që ishte mes nesh
u kthye në arkiv
që nuk hapet,
nuk apelohet
dhe nuk rishikohet…
U kyç dera jote brenda meje
me një vendim përfundimtar
që nuk pranon ankimim…
Jap dorëheqjen nga prania jote brenda meje,
nga mendimi për ty,
nga kthimi tek ti
dhe nga riprodhimi i kujtimeve tona…
Vendimi u mor
dhe vendimi është: ndarje e plotë prej teje…
Madje edhe kjo zemër
që këmbëngulte për ty,
u shkarkua nga posti i saj i vjetër
dhe u emërua në një heshtje administrative të përhershme…
Çdo gjë që mbeti nga ti
nuk sillet më në kujtesë,
as në gjuhë,
as në kthim…
Mbaroi afati i pranisë sate këtu,
dhe mbaroi afati i pritjes sime atje…
Nga procesverbali i fundit i seancës:
Vendimi u mor pa diskutim:
Bordi i dashurisë
refuzoi dorëheqjen time…
sepse zemra ime,
pavarësisht gjithçkaje,
ende rreh për ty…
Autori: Arab anonim
Përktheu: Elmaz Fida
ObserverKult
Lexo edhe:






