reklamë

Arlind Farizi: Zhurma e kuptimit

Nga Arlind Farizi

Kuptimi, semantika e ngjyrës në pikturë lidhet me qindra fije ariane me emocionet dhe mesazhet që ngjyrat përcjellin.

Në këtë ekspozitë mikste, në këtë galeri punimesh artistike, piktura, dizajn, posterë, që për emërues të përbashkët kanë tri makrotema Identiteti, dialogu dhe zhurma, pos imazheve të këndshme artistike, në vete kanë të fshehur edhe simbolika kulturore.

Metafora e zhurmës së kuptimit në punimet e Luljeta Muçaj – Rama i referohet, lëvizjes dhe kaosit në një medium vizual që në vetvete është i heshtur. Edhe pse artet pamore nuk prodhojnë zë, ajo mund të “sugjerojë” zhurmën përmes formës, ngjyrës dhe kompozimit.

Zhurma si lëvizje dhe energji. Luljeta Muçaj – Rama përdor linja të thyera, forma dinamike dhe kompozime të ngjeshura për të krijuar ndjesinë e zhurmës. Sa më e çrregullt dhe e mbushur të jetë piktura, aq më shumë perceptohet si “e zhurmshme”.

Ngjyra dhe intensiteti shihen te ngjyrat e forta, kontrastet e mprehta dhe kombinimet agresive (si e kuqja me të zezën) mund të japin ndjesinë e një ambienti të zhurmshëm ose të tensionuar. Kjo lidhet edhe me semantikën e ngjyrës.

Zhurma në këtë rast e tejkalon figurën e një paradoksi të thjeshtë, ajo ka për referencë rrafshin e gjerë të shprehjes artistike ku feks talenti i Luljetës, atë rrafsh ku përthyhen ndjesitë më të imta të njeriut të sotëm me ndjeshmërinë e botës së një gruaje.

I tërë spektri i krijimtarisë që po ekspozohet sot, është një rendje në kërkim të kuptimit, një radiografi që i bëhet asaj për ta gjetur saktësisht se si po shprehet, ç’tone ka, ashtu siç mëtojmë të dëshmojmë ekzistimin e diçkaje që e njohim pa e parë.

“Zhurma e kuptimit” paraqitet si një vepër që sfidon dëgjuesin që në titull. Ky kombinim i dy koncepteve – “zhurma”, që zakonisht lidhet me konfuzionin dhe mungesën e qartësisë, dhe “kuptimi”, që simbolizon rendin dhe arsyen – krijon një tension të menjëhershëm filozofik. Që në shikimin e parë, kjo vepër nuk ofron rehati, por një përvojë që kërkon angazhim aktiv dhe reflektim të vazhdueshëm, duke vendosur menjëherë një marrëdhënie tensioni midis formës dhe përmbajtjes. Pyetja e sugjeruar se si mund të lindë kuptimi nga zhurma bëhet boshti konceptual i gjithë kompozimit vizual.

Në planin estetik, vepra karakterizohet nga një përdorim i qëllimshëm i elementeve të fragmentuara. Vijat duken të çrregullta, shpesh të ndërprera, ndërsa format nuk ndjekin një logjikë klasike kompozicioni. Ngjyrat mund të jenë të forta, kontrastuese, ndonjëherë edhe përplasëse, duke krijuar një ndjenjë tensioni dhe lëvizjeje të vazhdueshme. Kjo “zhurmë vizuale” nuk është e rastësishme; ajo duket si një reflektim i realitetit modern, ku informacioni, imazhet dhe përjetimet ndërthuren në mënyrë të pakontrolluar.

Megjithatë, përtej këtij kaosi të parë, vepra fsheh një strukturë më të thellë. Përmes përsëritjes së motiveve, ritmit vizual dhe balancës së fshehtë të elementeve, artisti arrin të krijojë një ndjenjë koherence. Kjo e bën shikuesin të kalojë nga konfuzioni fillestar drejt një procesi interpretimi, ku kuptimi nuk jepet menjëherë, por ndërtohet gradualisht në mendjen e tij.

Nga këndvështrimi kompozicional, vepra sfidon parimet tradicionale të qartësisë dhe funksionalitetit. Ajo nuk synon të jetë e lehtë për t’u “lexuar”, por përkundrazi, kërkon angazhim aktiv. Hierarkia vizuale është e paqartë në shikim të parë, duke e detyruar syrin të lëvizë vazhdimisht nëpër sipërfaqe. Kjo krijon një përvojë dinamike, pothuajse interaktive, ku shikuesi bëhet pjesë e procesit të ndërtimit të kuptimit.

Në nivel simbolik, “Zhurma e kuptimit” mund të interpretohet si një koment mbi epokën bashkëkohore: një botë e mbushur me stimuj, ku kufiri mes informacionit dhe zhurmës bëhet gjithnjë e më i paqartë. Vepra sugjeron se kuptimi nuk është më një strukturë e qëndrueshme, por një proces i brishtë dhe subjektiv.

Në përfundim, kjo vepër nuk është thjesht një kompozim vizual, por një reflektim konceptual mbi mënyrën se si ne perceptojmë dhe përpunojmë realitetin. “Zhurma e kuptimit” sfidon shikuesin të gjejë rendin brenda kaosit dhe, në këtë proces, të reflektojë mbi vetë natyrën e kuptimit. Pikërisht kjo e bën atë një krijim të fuqishëm dhe aktual në fushën e pikturës dhe dizajnit.

Alternimi i ngjyrave dhe pamjeve me tekste të shkruara në forma titujsh janë një guidë e re për receptimin e kësaj vepre. Herë herë më duket se janë korniza kuptimore që e bartin kuptimisht receptuesin atje ku dëshiron autori, duke i hapur perspektiva të reja, ose duke ia shtuar kulturës së tij vizionin e atij që e ka ndërtuar këtë vepër si mesazh artistik.

Kjo mënyrë pune e nxjerr këtë vepër nga kornizat e llojeve a zhanreve të prera artistike, duke e vënë në radhën e veprave postmoderne që s’duan t’ia dinë për kufizimet që sjellin konditat e llojit.

Për mendimin tim, në këto galeri punimesh artistike ndjehet tematika urbane dhe industriale. Zhurma shpesh lidhet me qytetin modern -trafikun, makineritë, turmat. Rrymat artistike të njohura botërirsht si Futurizëm, kanë trajtuar drejtpërdrejt këtë ide, duke glorifikuar shpejtësinë dhe zhurmën e epokës industriale. Qyteti nuk është vetëm metaforë krijuese por dhe zhurmë domethënëse.

Janë shumë artistë të botës që janë apasionuar ndaj lëvizjes, shndërrimit. P.sh. Umberto Boccioni paraqet lëvizje dhe shpërthim energjie në veprat e tij. Jackson Pollock, me teknikën “drip painting”, krijon një lloj “zhurme vizuale” përmes kaosit të vijave dhe pikave. Edvard Munch në The Scream përcjell një zhurmë të brendshme emocionale, një britmë që duket sikur del nga vetë piktura.

Zhurma si metaforë është gjetje univakale e Luljeta Muçaj – Rama, artistisja që prezantoi më së mirë artin pamor në Universitetin prestigjioz të Harvardit. Pjesëmarrja e saj me eskpozitë atje, nuk është lajm I thjeshtë mediatik, por gjurmë të një suksesi të rrallë akademik dhe performancë kombëtare.

Luljeta Mucaj – Rama kthehet përmes artit në Identitet, të gjurmët, të dëshmia e qenies sonë kombëtare. Kthehet si një Frida Kahlo e cila dikur trajtonte identitetin përmes dhimbjes fizike, përkatësisë kulturore dhe marrëdhënieve personale. Ngjyrat, teknika dhe temat krijojnë një “zë” unik artistik që prek rrënjët tona të Kadmit ilirik. Në thelb, identiteti është një nga temat më universale në art.

Ekspozita e sotme, e Luljeta Muçaj – Rama, është koncert ngjyrash, tingujsh e zhurme, që prek ndjesitë tona dhe në bën të kuptojmë së fundmi, zhurmën therrëse të kuptimit.

Suksese, dhe paci ekspozita tjera dhe ne qytete tjera të botës, ku emri Kosovë duhet dëgjuar edhe më shumë.

ObserverKult


Lexo edhe:

Arlind Farizi: Po, e pranoj, atë e doja shumë…