reklamë

Albulena Haxhiu: Akademik Qosja ishte hero i mendjes, ndaj si i tillë do të jetë udhërrëfyes për brezat…

Nga Albulena Haxhiu

Sot, Kosova e humbi akademikun Rexhep Qosja, ndërkaq bota shqiptare humbi një nga personalitetet e saj më të mëdha të mendimit kritik, të letërsisë dhe të studimit.

Humbëm një personalitet që për dekada me radhë ishte i pranishëm në jetën tonë kulturore, akademike dhe politike.

Për më shumë se gjysmë shekulli, Akademik Qosja ishte i pranishëm në hapësirën shqiptare me libra, me studime, me debat dhe me qëndrim.

Te ai bashkëjetonin studiuesi i letërsisë, kritiku, romancieri, eseisti, profesori dhe polemisti publik.
Në studimet letrare, ai la pas trashëgimi të çmuar për letërsinë shqipe dhe për periudhat e saj vendimtare. Në prozë, me romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, solli një nga veprat që zgjeruan kufijtë e romanit shqiptar, duke e kthyer përvojën e frikës, pushtetit dhe shtypjes në letërsi me vlerë të qëndrueshme. Tek “Të fshehtat e treguara”, Qosja dëshmoi se edhe në fund të rrugëtimit krijues mbeti i mprehtë ndaj kohës, shoqërisë dhe ndaj rënies së vlerave.

Për shumë breza studentësh, lexuesish e studiuesish, Rexhep Qosja ishte shkollë më vete. Përmes veprës së tij, shumëkush mësoi ta lexojë letërsinë si pasqyrim të shoqërisë, historinë dhe gjuhën si themel identiteti.

Rexhep Qosja, iku për në amshim, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit, duke na kujtuar se krijuesi nderohet më së shumti me veprën që lë pas.

Siç thoshte ai, heronjtë e mendjes i bëjnë ballë kohës më gjatë. Akademik Qosja ishte hero i mendjes, ndaj si i tillë do të jetë udhërrëfyes për brezat.

Familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe lexuesve të shumtë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

ObserverKult