reklamë

 Letra e Hasan Prishtinës trën e tij drejtuar presidentit amerikan W. Wilson në vitin 1919

Letra e Hasan Prishtinës, drejtuar presidentit amerikan W. Wilson më 15.01.1919 botuar në gazetën “Albania”, 15 janar 1919

Zoti President,

Ju jeni duke u përgatitur që të merrni pjesë në kongresin që duhet të rikonstruktojë Europën sipas parimeve të së drejtës së popujve për të vendosur vetë për fatin e tyre, parime për të cilat lavdia e të shënuarit në flamurin e njerëzimit ju takon juve. Në këtë çast solemn, ne, përfaqësuesit e dy milion e gjysmë shqiptarëve, popullit më të vjetër të Gadishullit Ballkanik, ju drejtohemi Juve me lutje që t’i shqyrtoni dëshirat e popullit tonë për paanshmëri të plotë, gjë që ju dallon shumë nga të tjerët dhe të na mundësoni që këto dëshira t’i parashtrojmë në Konferencën e Paqes. Për shekuj të tërë, pavarësisht vështirësive të panumërta me të cilat është përballur dhe është detyruar të luftojë populli ynë, ai ka ruajtur gjuhën e vet, origjinalitetin e vet, traditat dhe zakonet e veta.

Pesë shekuj të plotë populli ynë me një rezistencë të fuqishme i kundërvu presionit otoman dhe, në fund, ia mori pushtetit turk të gjitha ato arritje të mëdha me rënien e tij në vitin 1912. Është e vërtetë që në takimin e ambasadorëve në Londër në vitin 1913 u krijua Shqipëria e Pavarur, por pjesa më e madhe e shqiptarëve dhe e tokave shqiptare mbetën jashtë kufijve të këtij shteti. Prandaj, proklamimi juaj në lidhje me të drejtat e popujve, që të merrnin në dorë fatin e vet, populli shqiptar e priti si porosi të një shpëtimtari. Nuk dyshojmë se Ju, zoti President, së bashku me aleatët Tuaj të kombit shqiptar, do t’i mundësoni popullit shqiptar të njëjtat të drejta, siç i gëzojnë armenët, çekët, jugosllavët dhe kombet e tjera. Kombi shqiptar, i cili dha aq shumë jetë njerëzore për realizimin e idealit të vet kombëtar, ideal për të cilin derdhi aq shumë gjak, mbetet i bindur se Ju dhe aleatët Tuaj do t’u jepni fund vuajtjeve në emër të së drejtës dhe barazisë.

Të bindur në këto premisa, ne Ju drejtohemi me lutje, z. President, që të shfrytëzoni ndikimin tuaj gjatë kohës së bisedimeve në lidhje me ardhmërinë e Shqipërisë, që në Konferencën e Paqes të ftohet për pjesëmarrje edhe delegacioni i popullit shqiptar, që të paraqesë dhe të arsyetojë dëshirat dhe kërkesat e kombit shqiptar. Ju drejtohemi, z. President, me respektin tonë të thellë. Në emër të kombit shqiptar (nënshkruar) Hasan Bej Prishtina Do të ishte një përdhosje e vërtetë tentimi që të bëhet një krahasim i kësaj kërkese patriotike dhe dinjitoze dhe të atij dokumenti servil të nënshkruar nga grupi i pikëlluar i Gjenevës, të udhëhequr nga nëntëdhjetëvjeçari Turkan Pasha.

Në vazhdim do të prezantojmë disa fjalë për personalitetin e z. Hasan bej Prishtinës, që të shfaqim më qartë dallimin e thellë mes atyre të nënshtruarve që nënshkruajnë dokumentin e përpiluar nga një agjent që kërkon përfitime për imperializmin të huaj, dhe patriotëve që luftojnë për shpëtimin e atdheut dhe popullit të vet. Bashkatdhetari ynë i shquar, i cili rrjedh nga familja Berisha, ka lindur para dyzet vjetësh në Vushtrri, qytezë e vogël që gjendet mes Prishtinës dhe Mitrovicës, në atë pjesë të Shqipërisë Veriore, të cilën Konferenca e Ambasadorëve në Londër, duke shkelur mbi të drejtat e patjetërsueshme të popujve dhe në kundërshtim flagrant me të gjitha normat e së drejtës dhe barazisë, pati dobësinë t’ia linte këtë pjesë Serbisë, këtij fëmije të lazdruar të carizmit rus. Hasan Beu shumë herët është dalluar për patriotizmin e tij të zjarrtë dhe veprimtarinë e tij të dendur për çështjen shqiptare. Nuk u zmbraps para asnjë sakrifice: shpeshherë, kur ishte e nevojshme, ai i ka paguar shpenzimet për të gjitha veprimtaritë patriotike nga xhepi i vet.

Në vitin 1909, kur në Elbasan u themelua Shkolla e parë Normale Kombëtare, z. Hasan bej Prishtina u kujdes që të dërgonte dhe mbështeste, me shpenzimet e tij, tridhjetë të rinj nga kjo krahinë, ku kishte lindur vetë. Ai u zgjodh deputet nga rajoni i Prishtinës në parlamentin e parë turk. Hasan bej Prishtina me vetëdije u radhit në anën opozitës, kundër shovinistëve të fuqishëm të Komitetit të Bashkimit dhe Progresist, të cilëve ua kuptoi vizionet e verbra panturke. Gjatë verës së vitit 1912 ishte shumë aktiv në kryengritjen shqiptare, e cila lëkundi themelet e fuqisë turke në Europë. Pas disfatës dhe tërheqjes së ushtrisë turke në Mitrovicë, Prishtinë (23 korrik 1912) dhe Kaçanik, si dhe pas çlirimit të të gjithë vendit, Hasan Beu së bashku me udhëheqësit e tjerë të shquar ishte në krye të ushtrisë prej 30 000 luftëtarësh shqiptarë, të cilët hynë në Shkup (në fillim të gushtit të vitit 1912), gjë që solli kapitullimin e ushtrisë xhonturke në Stamboll. Më pas Hasan Beu u bë ministër në qeverinë e përkohshme të Vlorës, ndërsa kur u krijua qeveria e rregullt në Durrës, ai ishte anëtar në kabinetin e ministrave. Lufta e Parë Botërore e gjeti në Shqipëri, të cilën nuk dëshironte ta linte.

I përndjekur nga serbët dhe malazezët, të cilët pushtuan vendin në vitin 1915, ai i shpëtoi vdekjes falë shokëve të tij të përkushtuar, te të cilët ishte strehuar. Okupatorët e rinj të vendit tonë, pas dështimit të regjimit serb, nuk ishin aspak më të mirë kundrejt bashkëkombësit tonë të shquar, dhe patriotizmi i tij i flaktë mbeti arsyeja për dyshim dhe mosbesim tek ai. Pas akuzave shpifëse, u arrestua, u burgos dhe për një kohë të gjatë nuk kishte asnjë lajm nga ai. Madje për këtë arsye, kishte momente kur ishim tejet të shqetësuar, sepse sipas thashethemeve të ndryshme, bëhej fjalë për dënimin me vdekje të tij. Për fat të mirë, e vërteta dhe pafajësia e tij më në fund dolën në shesh dhe Hasan bej Prishtina u lirua.

Tashmë kishte mundësi që t’ia kushtonte veprimtarinë e tij çështjes së shkollave kombëtare, duke inkurajuar çdo nismë fisnike dhe vrull bujar në këtë drejtim. Ngjarjet e fundit në Prishtinë e trazuan dhe mes shumë vështirësive arriti t’u shmangej kërkimeve dhe përndjekjeve të shërbimeve serbe. Sapo doli jashtë rrezikut nga armiqtë e përbetuar të popullit tonë, z. Hasan bej Prishtina nxitoi t’i dërgonte presidenti Uillson kërkesën patriotike që sapo lexuam.

Gazeta L’Albanie. 15 janar, viti 1919

Dok. nr. 1

Artikulli “Zëri i Shqipërisë” rreth fjalimit të Hasan Prishtinës drejtuar presidentit UdroUillson, botuar në gazetën “Albania”. 15 janar 1919

(Ky tekst është marrë nga libri i autorit Mehmet Prishtina, me titull “Lëvizja revolucionare-kombëtare shqiptare dhe maqedonase në rrjetet e diplomacisë sovjetike 1922-1928”)

ObserverKult