reklamë

Jemi romantikët e fundit…

Foto e dy kolosëve të letrave hispanike, e vitit 1973 në Paris

Cristina Peri Rossi për Julio Cortazar

“Jemi romantikët e fundit tashmë, të pata thënë një ditë, e ti që veten e pandehje për surrealist të shquar, tunde kokën me qesëndi pohueshëm. E në një kohë kur gjithçka gërryhet e shkërmoqet (nga vrasjet, dhunimet, dridhjet e tokës, shpërnguljet, kampionatet, celuloidi, teprimet e celuloidit sidomos), ne i bënim ballë çdo gjëje porsi Noeja në varkën e tij. Kur e pata shkruar atë varg (“Në çdo brez njerëzor ka pasur një përmbytje universale”), më pate thënë që njerëzit e shpenguar, idealistë e ëndërrimtarë si ti, sërish kishin për të mbijetuar, të kapur fort pas direkut të poezisë, të kapur gjithaq fuqishëm pas haresë gjithëpërfshirëse të shkrimit, dashurisë, e veçanërisht të buzëqeshjes, përherë.
Tashmë të thurin lavde ngushëllimi anembanë, dhe e di që ndihesh mirë, ngaqë nuk e honepsje retorikën përdëllyese, por veç mënyrën tënde të gjallimit mes të barabartësh, të gjallimit mes mendjeve të lira ëndërrimtare, që mishëron njëfarë vëllazërie e dashurie, një dashurie që nuk ka gjini të përcaktuar (ndonëse ka dy gjini mirëfilli), e utopie njëherësh.
Mendjet e tjera të lira ëndërrimtare kurrë nuk kemi për të lejuar që të të shndërrojnë në një klasik të letrave, në letër të pajetë. Përkundrazi, kemi për të gërthitur, si protagonisti i ‘La bohème’: ‘Unë jam artist, jetoj njëlloj siç shkruaj’.
Për ty, që aq shumë e doje operan”.

Përzgjodhi e përktheu nga spanjishtja: Elvi Sidheri

ObserverKult

———-

Lexo edhe:

Jeta si art i pavetëdijshëm…