
Nga Esmeralda Shpata
Aty ku sot ndodhen gërmadhat dikur ishte shpirti njëplanësh dhe i sakatosur i lepurit. Në gjyqin e improvizuar ishte i lumtur që po vuanin t’i hiqej simbolika e frikës. I erdhi radha për të shkuar një herë mbi urë. Shikonte gjykatësit dhe qeshte, e kishin aq të vështirë të vendosnin për të, u kishte hyrë lepuri në bark. Midis tij dhe ekzistencës së tij shënohej kufiri mes xunkthit dhe kallamishteve anës lumit.
Nisi pastrimin, vendi duhej të pastrohej nga dëshmitë e gjurmët e tij prej lepuri, shembi dyqanet antikuar, dogji fjalorët shpjegues dhe bibliotekat.
Pas shumë përpëlitjesh pothuajse e zbrazi mozaikun e kujtesës, e ta mendosh, s’ishte një lepur punëtor.
E gjelbra e bimëve dhe pemëve mbuloi pranverën, pambukorja izoloi çeljen e luleve të bardha. Ai gjallonte. Kuptimi i lepurit tim jeshil u kthye në mit. Nuk ka më mister ku fle lepuri. Atë nuk e mbyllin dot në kafaze hekuri. Ia kanë frikën të gjithë fuqizimit të tij.
Nuk ka më minj gjirizesh për të ngrënë sytë, ka lepur jeshil mishëngrënës, është ai që shpëtoi nga frika e tij instinktive dhe sot të bren shpirtin.
Shkurtimisht, plotësoi tabelën që në çdo mënyrë, rresht, çdo kolonë e kuadrat të përmbajë rregullin përfitues të lepurit. Në brendësi mund të gjeni ndonjë impuls frike, por peizazhi i lamtumirës së lirisë është më i fortë.
Lepuri i përrallës u fuqizua, paniku i tij është një legjendë. Koka akoma i ka mbetur e rrumbullakët, me veshë e këmbë të gjata, rend shpejt, kërcen lart e nuk njeh më asnjë lloj frike.
Tani ka hipur mbi kullën e Sahatit dhe po bren akrepat.
Përfundimisht, shpëtoi nga fati i të qenit një pjatë e shijshme çorbe, e gatuar me hudhra.
ObserverKult
Lexo edhe:






