reklamë

Kur pushteti dhe krimi  bëhën “kumbarë” me heshtjen

Recension për romanin “Ministri ” të autorit Ahmet Prençi

Nga Ajne Ibërhysaj

Romani “Ministri” i autorit Ahmet Prençi është drama e realitetit shoqëror,  ku plagët sociale janë të shumta. Autori sjell përvojën e tij në zbatim të ligjit dhe shtetin e së drejtës,  si produkt i fantazisë krijuese të tij. Romanin e fillon me shprehjen: ”Mëkati i parë i këtij vendi nuk është vrasja, por heshtja”, pse populli hesht, çka e shtyen të heshtë dhe cilat janë ato rrethana sociale që e detyrojnë të bëhet “kumbar” me heshtjen?

Heshtja, vret jo vetëm sistemin, organizatat, institucionet, por prek mekanizmat e shtetit, më pas vret edhe të ardhmen e vendit. Siç shprehet autori në roman: ”Në një vend ku kufiri mes pushtetit dhe krimit bëhet gjithnjë më i hollë, e vërteta është më rrezikshme se kurrë!”. Lexuesi shpesh tretet në mendime, në kërkim të vërtetës, duke ngritur brenda vetës shumë pikëpyetje, ku sistemi i sigurisë shtetëror zhvishet nga morali individual dhe etik institucional, ku morali politik  në përgjithësi në Shqipëri dhe Kosovë bëhet mall i rrallë përballë këtij degradimi: Autori parashtron pyetjen: ”A ka ende vijë ndarëse mes të mirës dhe së keqes, apo gjithçka  është tretur në këtë klimë? Edhe personazhi i romanit që është me përvojë në pozitën e  kryepolicit Arsen Gashi, e ndien një zhgënjim të thellë por edhe një zemërim të  heshtur mes dilemës për t’u dorëzuar dhe asaj për të vazhduar betejen e tij kundër së keqes që po e grryen shoqërinë.

Ahmet Prençi, si ish-drejtor i përgjithshëm i policisë, sjell një kujtesë për mos t’i harruar policët dhe prokurorët e vrarë në krye  të detyrës dhe bën thirrje për reflektim. Autori nëpërmjet personazhit Arsen Gashi zbërthen historinë e “mashtruesit” siç thotë në libër:”Hija nuk futej dot në thes”. Skënder Dreni dhe fenomene të tilla mbajnë peng shoqërinë ku ”morali politik është aq i ultë për shkak të mungesës së një sistemi të fortë të mbikqyerjes institucionale”. Lexuesi motivohet kur Arsen Gashi përshpërit më vetë,  fjalët e gjyshit që i kishte thënë dikur:’’ Kurrë mos u mashtro nga tymi dhe mjegulla, kurrë!”. I vendosur në profesionalizmin e tij autori përmes personazhit të kryepolicit jap mesazhin, se sado të jenë rrethanat  kundër teje t’i duhet të mos dorëzohesh. Në roman shprehet: ”do ta gjej të vërtetën …. jo të tyren, por të interesit  të vendit. Kurrë nuk do të thyhem nga pabesia”. Ky është mesazhi që autori sjell me një stil të thjeshtë të shkruari po me mesazh të fortë për lexuesit.

Përballë asaj që ulërin në kokën e secilit qytetar, është mllefi dhe humbja e shpreses, besimit tek institucionet. Ky roman është pasqyrë e një realiteti të zhytyr, të zhveshur nga morali individual dhe institucional. Sistemi nuk ka zë, pasi qytetari “hesht”, atij i është thyer shpresa dhe besimi tek institucionet, është shkërmoqur psikologjikisht. Kjo thyerje dhe pritje e gjatë tek ndryshimi normal, risjell tek individi tjetër reflex, “hakmarrjen” andaj autori bënë thirrje për ngritje të ndërgjegjies kolektiv. Shpesh ngjarjet e këtij romani i takojmë aty këtu në institucionet tona, siç thotë edhe vetë autori: ”në një sistem ku “heshtja është luks”.

Spektri politik dhe elita politike në Shqipëri dhe në Kosovë pas gjithë  këtyre viteve ende është e brishtë, gjithnjë në kërkim të një lidershpi përfaqësues, të denjë për interesa dhe probleme etike me të cilat ballafaqohet qytetari. Kjo brishtësi apo krisje e  hallkës së besimit është përherë në diskutim dhe zgjat fare pak. Pikërisht autori në roman shprehet: “Premtimet zgjasin sa fushata, pastaj harrohen”.

Tragjedia popullit nuk qëndron vetëm te korrupsioni i përfaqësuesve por te momenti kur korrupsioni dhe krimi maskohet si përfaqësim. Atëherë pushteti nuk buron nga vullneti i qytetarëve, por nga interesat e atyre që e kanë kapur atë andaj populli nuk harron. Autori vendos në pikëpyetje drejtësinë politike deri në atë kufi, sa e sjell entuazmin e masës për  ardhjen e një force nga jashtë, personifikim për një vend që të respektohet ”Ligji, drejtësia, rendi si në Amerikë”, ku  thjesht  të shëndërrohet në një model për të rinjtë, një sinjal  për skeptikët dhe një sfidë  për elitën e vjetër politike.

Populli beson vërbërisht siç shprehet edhe vetë personazhi kryesor Skënder Dreni gjatë bisedes me të dashurën e tij Alma Kruja duke shpërfaqur vorbullen që zien  brenda vetes, atë gjendja psikologjike të rënduar siç thotë populli: ”nuk mban më ujë pilafi”. Skënder Dreni mban mbi supet tij një të kaluar kriminale që rëndon në shpirt, e ndien brenda vetes, e ndien në çdo frymëmarrje, andaj  kjo luftë nuk është vetëm hije por është siç thotë edhe vetë ai :”si të jetosh me një shpresë të brishtë që dridhet  çdo ditë nëpër duar?”. Autori paraqet gjendjen e ngarkesës psikologjike ”emocionet janë më të rreziksme se lodhja”,  ku në zërin e tij ndihet një hije makthi, një lodhje e brendshme që vjen nga thellësia e një jetë të konsumaur me vrull, pushtet, pasion dhe  krim”.

Romani “Ministri” i autorit A. Prençi është vazhdimësia e sagës së dy romaneve të botuara më parë: “Anja”, aty ku nis zanafilla e krimit në embrion, dhe romanin “Prenga e Prokurorit”, ku kjo zanafillë vazhdon të rritet e të marrë përmasa tragjike.

Në qendër të romanit “Prenga e Prokurorit”, qëndron Martin Guri, një prokuror i vendosur përballë dilemës së madhe mes drejtësisë dhe gjakut të tij. Ai nuk e di fillimisht, por e kupton nga letra që i sjell Ardiana, se Marjan Boja, i lindur si fryt i aventurës së saj me djaloshin që dikur kishte rënë në kurthin e sharmit të Ardianës, është djali i tij biologjik. Pikërisht ky djalosh pra Martin Guri, që më vonë bëhet prokuror, do të jetë një ditë edhe gjykatësi i fatit të të birit.

Martin Guri vendos të zgjedhë drejtësinë dhe e dënon Marjan Bojën me burgim të përjetshëm. Në të njëjtën ditë, Marjani kur merr vendimin për burgim të përjetshëm, e kupton të vërtetën tragjike: prokurori që e kishte dënuar ishte babai i tij biologjik. Këtë e kupton vetëm pasi strukturat kriminale, me dijeninë e tij, organizojnë vrasjen e prokurorit.

Kjo sagë e romaneve të autorit Ahmet Prençi, shpalos një realitet të ashpër shoqëror dhe institucional, plagë që çdo ditë rrjedh gjak dhe po shkatërron shpirtin e shoqërisë, ku drejtësia shpesh vendoset me vrasje, ndërsa burrëria matet me gjak. Autori në roman shprehet: “Sot u bëra burrë”, me këtë stad  paraqet rrethanat me të cilat brumosen dhe rriten me frymën e krenarisë, burrërrisë, ku  fryma maskulinitetit toksik evokohet që në fëmijëri dhe prodhon më pas problem të madh social në gjithë shoqërinë. Pikërisht këtë prezenton autori përmes përsonazhit Skënder Dreni: ”Unë kam bërë jetë time, edhe si Marjan Boja,  edhe si Skënder Dreni që më njihni ju. Këta thanë se kam ardhur nga bota e krimit. Jo ore, jo! Kam ardhur  fiks nga ferri dhe prej aty u ringrita për të provuar të jetoj larg krimit dhe së kalurës sime kriminale. Provova të jem ndryshe, por nuk munda sepse në gjoksin tim, varen rëndë si plumba vdekja e nënës sime të pafajshme dhe vrasja e prokurorit që më dënoi dhe ishte babi im biologjik”… Unë vij nga rruga ku krijohen e rriten burra të fortë!”. Ky mesazh i autorit për këta fëmijë pa fëmijëri, për këtë rini pa rini është më shumë se një thirrje për shtetin dhe mekanizmave të tij,  të veprojë në disa drejtime: arsim dhe edukim, zbatim ligjit, parandalim dhe ndërhyrje të hershme, mbështetje psikologjike dhe sociale, qendra rehabilitimi dhe rintegrimit social dhe sa më shumë projekte me aktivitete sportive e kulturore, që nesër të rritet një brez për të respektuar ligjin dhe për të kontribuar për vendin.

Përmes kësaj narrative, autori Prençi, pasqyron rrethanat sociale ku politika udhëhiqet nga figura të korruptuara. Në këtë atmosferë, lufta kundër krimit mbetet një plagë e thellë që rëndon mbi supet e qytetarëve të lodhur. Kjo përballje me veten ngjan si “darka  e fundit” e Skënder Drenit me Komisionin e Mandateve në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, ku ju drejtohet: “Edhe Krishtin e gjuajtën me gurë… e jo mua. Kush jeni ju? Ju jeni më të ndyrë se unë, më të paskrupullt se unë! Kujt ia tregoni këto përralla me gjoja identitete të dyfishta? Mua, vetes apo poppullit, që na shikon sot? Nëse më thoni se unë paskam dy identitete, ja ku po them se këta  këtu që kam rreth e rrotull, nuk kanë dy por  kanë dyzet identitete me të cilat vjedhin ty, popull shqiptar! Ata kanë nga një maskë  për çdo veprim që kryejn, më besoni.  Ata paskan dosjet për mua, por  edhe unë kam disa dosje për ata! Kjo është gjueti shtrigash dhe mbajeni mend, unë do t’i marr të gjithë me vete! Unë nuk fshihem pas kollareve! Unë pranoj që jam gangëster  dinjitoz! …Jam burrë që përballem jo si ju, që fshiheni e strukeni si minjtë!…Unë eci pa frikë drejt arrestimit por jo drejt poshtërimit.

Pikërisht autori i librit Ahmet Prençi në këtë përballje të Skënderit Drenit me anëtarët e  Komisionit të  Mandateve e ngre si çështjen e moralit politik kohën  e mashtrimit të përgjithshëm, pra  të thuash të vërtetën do jetë  akt revolucionar, qeveria bie, por prapë populli është arbitër ka të drejtë të zgjedhë dhe vendosë për fatin e tij përmes mekanizmave të tjerë demokratike, sepse listat e servirura ngjan si: ”Çfarë të shqetëson më shumë  për të ardhmen e familjes tënde, dhalla e djeshme…apo hirra  e sotme?”

Romani “Ministri” i Ahmet Prençit  nuk është vetëm një roman ku në thelb të narrativës qëndrojnë strukturat e sofistikuara të krimit, mungesa e etikës e moralit politik, por është edhe një pasqyrë e errët e realitetit shoqëror dhe e rrethanave sociale, ku drejtësia, pushteti, etika përplasen tragjikisht mes tyre duke rrembyer vitet me zgjedhje pa zgjidhje…!

ObserverKult


Lexo edhe:

Disa fjalë për librin “Në emër të gjakut“ të autorit Ahmet Prençi