reklamë

Pal Ndrecaj: Poezia si mënyrë të jetuari

Pal Ndrecaj

Nga kolana e eseve artistike: SI LEXOJ UNË (13)

(Ese e lexuar në promovimin e librit “Tektonika e shpirtit”, të poetit tropojan, Azgan Berbati, Manhattan, maj 2026)

Nga Pal Ndrecaj

Sa më e madhe që është kënaqësia që na e dhurojnë librat e mirë, aq më e madhe bëhet përgjegjësia kur duam të flasim për ta dhe, natyrisht, aq më të mëdha bëhen disa dilema në lidhje me aspektet që do t’i zgjedhim për të shkoqitur përmbajtjet, kuptimet dhe anët artistike. Në vënien e një balance mes këtyre dilemave, na ndihmon disi ideja se si leximi ashtu edhe interpretimi janë pashmangshëm çështje subjektive, ku në konkurrencën e shijeve, prirjeve e afiniteteve, shija, prirja e afiniteti më i rëndësishëm duhet të jetë ai i yti. Të shprehësh shijen tënde personale, ndjenjën që të krijon leximi dhe çështje tjera që i japin formë mënyrës personale të përjetimit estetik, sigurisht se është çështje subjektive, një subjektivizëm “i përligjur” nga ligjësitë teorike, mes të cilave edhe të asaj të R. Bartit se: kuptimi e domethëniet e librit nuk mbarojnë me pikën që vihet në fjalinë e fundit, ngase pas asaj pike fillon rindërtimi i tyre nga ana e lexuesit, për të gjetur mbështetje edhe më të fuqishme në konstatimin e një teoricienti tjetër se “autori sjell fjalët, kurse lexuesi kuptimet”. Me një fjalë, interpretimi i poezisë lirike, i këtij lloji poezie që është një shpalosje e pakursyer e gjendjeve të brendshme shpirtërore, apo një tektonikë e shpirtit, siç na thotë titulli i librit që po e promovojmë sot, bëhet i mundshëm në varësi me shkallën sa ka arritur ai libër ta intrigojë botën tënde, ta ndikojë gjendjen tënde. Duke marrë të drejtë nga përvoja personale, them se nga një libër nuk dilet ashtu si hyhet. Dhe ky konstatim vlen për të gjithë librat: si për ata që i hedhim që në faqet e para, si për ata që i japin disa sinjale por që shuhen para se me i shku në mes, si për ata të tjerët që të mbajnë ngujuar në lexim. Rrjedhimisht, ne nuk ulemi të shkruajmë për të gjithë librat që i lexojmë, por vetëm për disa. Për ata që nuk na lënë indiferent pasi ta kemi mbyllur fletën e mbramë të tyre, por na vihen disi në ndjekje me ndonjë imazh, me ndonjë ide, me ndonjë prurje gjuhësore a me ndonjë figurë letrare.

Poezia e vëllimit poetik “Tektonika e shpirtit”, e poetit Azgan Berbati është një ligjërim interesant për fenomenet e jetës, si: dashuria, harrimi, mungesa (për atë mungesë që ia mungon jetës njerëzore një dimension të rëndësishëm, praninë e të mirës).

Vargjet në të cilat mbështes këtë tezë janë të pranishme në shumë poezi të librit, si një lajtmotiv i përhapur, ashtu që lexuesi i tyre do të përballet, pothuajse, ngado me këtë disponim shpirtëror të autorit, me këtë mënyrë vrojtimi, me këtë nivel persiatjeje dhe me këtë konceptim filozofik që formëson aktin krijues.

Bota e sotme ka zbehur dukshëm kuptimin, ka thyer shumë shpresa, ka mbytur nisma, ka ndërprerë projekte, ka rënduar jetë, duke degraduar një sistem vleror në të cilin qenia i kishte mbështetur shpresat e veta.

Ja si jepet kjo thyerje e ky degradim moral në vargjet e poetit:

Dil e shikoje njeriun e sotëm
Improvizuar nga fenomene dimërore

Është një botë që, në poezitë e këtij libri i ka brenda vetes të mirën dhe të keqen, të pranishme si dy antipode të përhershme, balancimi mes të cilave paraqitet në vargjet e mëposhtme si një nga çrregullimet që karakterizojnë jetën e gjallë:

Por pastaj rruga
(si jeta krejt)
nuk vazhdon me lule

E dëshmitari i kësaj gjendjeje është viktima e viktima bëhet dëshmitar që klith kurse dëshmia e klithja bëhen pasqyra më e saktë e realitetit tonë bashkëkohor.

Në vargjet e këtij libri të pikturuara me një kolorit të pasur estetik, ne shohim karvanet e ëndrrave që njerëzimi i ka bartur nëpër kohë, ëndrra që shpesh na jepen si të vrara, i shohim, shkaqet, shohim jetën e zbrazur prej tyre dhe në mbarim të këtyre shohim diçka tjetër, ironinë me të cilën ajo (jeta) na drejtohet. Këtë ironi të jetës, pastaj, autori e huazon prej vetë saj (dmth prej jetës) për ta bërë mjet shprehës që do ta shprehë fenomenin:

Kalova dikur
Nëpër do ditë heroike
Dhe bota mbarë
Të dua
Më tha.
Por për faj të luftës që s’ndodhi
Unë shpëtova nga heroizmi

Gjithsesi, kjo poezi paraqet një kredo ku lidhen në mënyrë shumë të natyrshme jeta e jetuar me rrëfimin për të, pra me rrëfimin poetik që, natyrisht, duke buruar nëpër imagjinatën e bujshme dhe duke rrjedhur nëpër tërë shtrirjen e realiteteve nga më të ndryshmet, përthekon gjithë ato komponente që e përbëjnë një sistem vleror me të cilin ajo ka frymuar.

Azgan Berbati është një poet që beson tek poezia. Ai beson në misionin që ka ajo, në aftësinë për ta përmbushur atë mision, beson në natyrën e saj për të qenë zë i të vërtetës, i të mirës e i të dobishmes, beson se askund ma shumë se aty e bukura nuk e ka bërë çerdhen e vet. Me këtë besim, poeti është nisur udhëve të vështira për t’ia sjellur lexuesit përvojën e tij, variantin e tij të persiatjes. Dhe këtë udhëtim ai e bën me shpresën e patundur të atij besimtarit që beson në Parajsën artistike.

Poeti shkruan për babain, i cili është “vazoja e lules së fëminisë”, për shokun e vdekur e për gjithçka frymon rreth tij. Poezia e tij ka bredhur nëpër situata jetësore kudo që është ndodhur qenia njerëzore e ku është gatuar eksperienca e tij, i ka ndier së afërmi ato skena të gjalla të jetës dhe na vjen si një dëshmi autentike e asaj përvoje, e atyre ndodhive. Ajo mundohet t’i rrëfejë njeriut të kohës sonë për to, ta përgatisë atë për përballjen me kushtet e këtij realiteti që di të jetë i ashpër.

Më është dukur interesant raporti i autorit me realitetin, i shprehur në poezinë “Dëshira të djegura”, që është një poezi për sfidën e përhershme si mënyrë të jetuari. Për atë sfidë që i hyn një aventure të rrezikshme për të mposhtur një rrezik, që pranon vullnetshëm pasojën si shpërblim për hir të ideales me të cilën e ka ushqyer synimin e tij:

Kam shkatërruar gjëra të mëdha
me duart e mia
I kam djegur veç se kisha mall për zjarr

Kam udhëtuar deri në hënë

Poezitë e librit “Tektonika e shpirtit”, të poetit Azgan Berbati vijnë nga frymëzime të ndryshme, nga gjendje të ndryshme dhe bartin, krijojnë e vendosin po ato disponime e po ato gjendje. Unë dua ta përmbyll këtë fjalë timen me disa vargje të poetit Berbati, nga poezia “(Anti)Virus” vargje, të cilat, për mua paraqesin një fuqi magjike ndikimi emocional dhe shkathtësi që në një botë të egër të krijojë një oazë disponimi të këndshëm e thellësisht humanist që do ta shoqërojnë lexuesin edhe shumë kohë pas leximit:

Raftë një sëmundje vrastare
e kësaj të sotmes
Raftë një dashuri e përbotshme mbi njerëzi
Kjo e para pastë emrin puthje
E dyta ashtu le të rrijë!

ObserverKult


Lexo edhe:

Pal Ndrecaj: Me poetin e diplomatin Kujtim Morina