
Nga Blerim Valla
Në Galerinë e Arteve, në Gjakovë, është hapur ekspozita e parë personale me fotografi e autorit Alban Krasniqi, me titull “E Bukura Gjakovë”.
Ekspozita me 39 fotografi artistike pasqyron gjithë kulturën, trashëgiminë, jetën qytetare, artin, traditat dhe identitetin unik të Gjakovës, duke sjellë emocione dhe kujtime të mëdha për publikun e pranishëm.
Përmes objektivit të aparatit të tij fotografik, autori sjell para publikut fotografi që mbartin pasion, që paraqesin natyrë, histori dhe traditë, por edhe duke pasqyruar zhvillimin e qytetit ndër vite, si dhe duke ruajtur në kujtesë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë urbane të qytetit të Gjakovës.
Duhet thënë se kjo ekspozitë fotografike e autorit A. Krasniqi, pos karakterit artistik pati edhe një kauzë të veçantë dhe shumë domethënëse.
Çdo fotografi e ekspozuar pos që ishte një vepër arti, ato arrijnë të japin një mundësi për të dhënë shpresë dhe kurajo për jetë, sidomos për një kategori grash. Pasi të gjitha të ardhurat nga shitja e fotografive do t’i dedikohen grave gjakovare të prekura nga kanceri, anëtare të Shoqatës “Ia Vlen të Jetosh” që vepron në Gjakovë, për aktivitetet dhe nevojat e tyre.
Në hapje të kësaj ekspoziteje foli kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini i cili pos tjerash theksoi se: “Sonte Gjakovën po e shohim përmes një këndi tjetër, atij të artit, në hapjen e ekspozitës fotografike “E bukura Gjakovë”, nga fotografi dhe miku ynë Alban Krasniqi. Përmes objektivit të tij, Albani pasqyron bukurinë e qytetit tonë, trashëgiminë, kulturën, jetën e përditshme dhe zhvillimin që ka shoqëruar Gjakovën ndër vite. Të përgëzoj për këtë rrëfim të veçantë fotografik dhe për kontributin në promovimin e vlerave dhe imazhit të qytetit tonë ” është shprehur A. Gjini.
Kurse fotografi i njohur Shkëlzen Rexha, mjeshtër i fotografisë, i njohur mbi 50 vite edhe në arenën ndërkombëtare, në fjalën e tij (që gjendet edhe në brendi të katalogut) ka vlerësuar 39 fotografitë e ekspozuara të autorit A. Krasniqit duke thënë se : “Ekspozita e fotografive artistike e autorit Alban Krasniqit – “E bukura Gjakovë” e paraqet Gjakovën ashtu siç është – si një qytet me identitet të veçantë kulturor, hapësirë ku historia, tradita, arkitektura dhe jeta qytetare ndërthuren në mënyrë harmonike. Në rrugët e saj, në Çarshinë e Madhe, në zanatet e trashëguara ndër breza dhe në kujtesën e njerëzve të saj ruhen vlera që vazhdojnë të ruajnë me krenari karakterin e këtij qyteti. Kjo pasuri e jashtëzakonshme kulturore ka shërbyer si frymëzim për shumë artistë, ndërsa në këtë ekspozitë ajo vjen e dokumentuar përmes syrit dhe ndjeshmërisë artistike të fotografit të palodhshëm, Alban Krasniqi.
Ekspozita fotografike “E bukura Gjakovë” paraqet një rrëfim vizual kushtuar qytetit dhe vlerave të trashëguara brez pas brezi. Përmes fotografive të përzgjedhura me kujdes, autori sjell pamje që pasqyrojnë bukurinë e trashëgimisë kulturore, atmosferën e jetës së përditshme, detajet e arkitekturës tradicionale, zanatet, ngjarjet kulturore dhe vlerat që e bëjnë Gjakovën një nga qytetet më karakteristike shqiptare. Objektivi i tij ka fiksuar jo vetëm peizazhet dhe monumentet e qytetit, por edhe personalitete të shquara të artit, kulturës, sportit dhe jetës shoqërore, duke krijuar një arkiv të rëndësishëm vizual që ruan kujtesën dhe identitetin e qytetit. Përmes punës së tij të vazhdueshme, ai ka kontribuar përmes fotografive që historia, traditat dhe njerëzit e Gjakovës të njihen dhe të vlerësohen nga një publik më i gjerë përmes rrjeteve sociale.
Alban Krasniqi ishte fitues në konkursin për fotografitë garuese për titullin “Foto e Vitit 2024” në garën “Fotoja ime”.
Fotografitë e ekspozuara nga autori Alban Krasniqi nuk janë thjesht dokumente pamore; ato bartin emocione, rrëfejnë histori dhe na ftojnë të shohim më me vëmendje bukuritë që na rrethojnë.
“E bukura Gjakovë” është një mesazh nga autori për qytetin, për njerëzit e tij dhe për vlerat që e kanë formësuar ndër shekuj. Njëkohësisht, kjo ekspozitë është edhe një dëshmi e përkushtimit artistik të Alban Krasniqit, i cili përmes fotografisë vazhdon të ruajë, promovojë dhe pasurojë kujtesën kulturore të Gjakovës”, tha Shkëlzen Rexha.
Kurse në fund radha i erdhi autorit të kësaj ekspoziteje, fotografit Alban Krasniqit i cili ka falënderuar të gjithë ata që morën pjesë dhe që e mbështetën në hapjen e saj. Ai u shpreh se kjo ekspozitë e tij e parë me fotografi, paraqet fillimin e një rrugëtimi të ri në botën e fotografisë artistike!
ObserverKult





Lexo edhe:
Edicioni i katërt i “Gjon Mili Video Art Festival” ktheu Korçën në skenë të artit bashkëkohor






