
Nga Xhemazije Rizvani
Kur mora në dorë Poemën e mungesës, titulli më krijoi përshtypjen e një libri të zymtë, të mbushur me trishtim dhe humbje. Por sa më shumë lexoja, aq më shumë kuptoja se Rita Filipi nuk shkruan për mungesën për ta vajtuar atë. Ajo shkruan për mungesën për ta kuptuar. Nuk e fsheh dhimbjen, por as nuk e romantizon. Në këtë mënyrë mungesa nuk është fundi i pranisë, por forma e saj më e thellë.
Në letërsinë shqipe, mungesa zakonisht lidhet me humbjen, vdekjen, ndarjen dhe fundin. Te Rita ndodh e kundërta. Mungesa bëhet vazhdimësi. Ata që nuk janë më vazhdojnë të jetojnë në fotografi, në kujtime, në sende të zakonshme dhe në ritualet e përditshme. Pikërisht këtu qëndron një nga shtyllat më të forta të librit: askush nuk humbet plotësisht përsa kohë vazhdon të jetojë në kujtesën e dikujt dhe pikërish mënyra si zgjedhim të kujtojmë është letërsi.
Poema e mungesës mund të lexohet si një dialog i heshtur me mitin homerik, një dialog që nuk synon ta përsërisë mitin, por ta transformojë atë në një përvojë bashkëkohore femërore.
Ky transformim bëhet veçanërisht i dukshëm nga emërtimi i ciklin “Poema e shtratit gjysmë bosh”. Nuk është e rastësishme që simbolika e këtij cikli është pikërisht shtrati. Në fund të Odisesë, prova përfundimtare që vërteton identitetin e Odiseut nuk është as lufta, as heroizmi, as unaza, por shtrati gjysmë bosh. Ai shtrat i ndërtuar mbi trungun e një ulliri është simboli i lidhjes së pathyeshme mes Penelopës dhe Odiseut. Ai përfaqëson dashurinë, kujtesën, besnikërinë dhe vazhdimësinë e jetës së tyre të përbashkët.
Te Rita Filipi, ky simbol merr një kuptim krejt tjetër. Shtrati është vendi i ribashkimit përmes një pranie jofizike, e merr mungesën si një Odise në shtratin gjysmëbosh. Gjysma e tij bosh bëhet metafora më e fuqishme e jetës pas humbjes. Aty ku Homeri sheh triumfin e kthimit, Rita sheh artin e bashkëjetesës me mungesën. Shtrati bëhet kufiri i padukshëm ku takohen jeta dhe vdekja, prania dhe mungesa.
Kjo është arsyeja pse Penelopa e Rita Filipit nuk është më Penelopa homerike. Penelopa e Homerit jeton në pritje të kthimit të Odiseut. E gjithë ekzistenca e saj është e orientuar drejt një rikthimi të mundshëm. Penelopa e Poemës së mungesës e kupton se ka mungesa që nuk mbyllen kurrë. Ajo nuk pret më. Ajo kujton. Ajo krijon. Ajo jeton. Në vend që të end pëlhurën e famshme për të hequr bezdinë që ia ngjallin mëtonjësit, end një poemë të gjatë si kjo e mungesës.
Kjo përmbysje e mitit bëhet edhe më e qartë në poezitë ku shfaqen mëtonjësit. Në njërën prej tyre poetja shkruan: “Do të zgjidhja përherë mungesën tënde, sesa të kem në krah një prej zhurmuesve mëtonjës…”
Këtu kemi një thirrje intertekstuale të drejtpërdrejtë me mitin homerik. Ashtu si Penelopa që refuzon pretendentët gjatë mungesës së Odiseut, edhe subjekti lirik zgjedh mungesën para pranisë së mëtonjësve. Por Rita nuk ndalet te miti. Ajo e sjell figurën e mëtonjësit në realitetin modern dhe e shndërron atë në simbol të një mentaliteti patriarkal: “që pushtetin e quajnë burrëri, që lirinë e gruas e quajnë perversitet, që besnikërinë e një gruaje e quajnë të dalë mode.”
Në këtë mënyrë, mëtonjësit nuk janë më rivalë të Odiseut. Ata bëhen rivalë të lirisë së gruas.
Figura e tyre rikthehet edhe në një poezi tjetër ku paraqiten si gjarpërinj që lëvizin nëpër mure. Kjo metaforë e zgjeron edhe më tej kuptimin homerik. Kërcënimi nuk vjen më hapur, si në pallatin e Penelopës, por fshihet në errësirë, në paragjykime dhe në frikëra të padukshme. Megjithatë, poetja nuk i trajton të gjithë mëtonjësit njësoj. Kur gjen një prej tyre të ri e të bukur, ajo nuk e vret:
“atë nuk e vrava, e kurova…”
Pikërisht këtu ndodh përmbysja më e madhe e mitit. Në Odisenë, fundi vjen me masakrën e mëtonjësve. Te Rita, fundi vjen me helmimin e të gjithve po dhe zgjedhjes së njërit.
Gruaja nuk pret më kthimin e heroit për të vendosur për fatin e saj. Ajo vetë gjykon, dallon armikun nga aleati dhe merr vendimet e saj.
Prandaj Poema e mungesës nuk është vetëm një libër për humbjen. Është edhe një reflektim mbi transformimin e figurës së gruas në letërsi. Rita Filipi e çliron Penelopën nga një prej roleve më të lashta që i është caktuar: roli i pritjes. Ajo nuk e mat më jetën me kohën që kalon deri në kthimin e dikujt. Ajo e mat me aftësinë për ta shndërruar mungesën në kuptim, në forcë dhe vazhdimësi.
Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e këtij libri. Kur e mbyll faqen e fundit, nuk mbetesh me ndjenjën e humbjes. Mbetesh me ndjenjën e plotësimit. Sepse kupton se mungesa nuk është vetëm dëshmi e asaj që kemi humbur.
Dikush mund të na largohet nga sytë. Mund të largohet nga përditshmëria jonë, të ikë fizikisht, larg, shumë larg.Por ka diçka që askush nuk mund t’ia mohojë tjetrit: të jetojë me kujtimet në mungesë. Askush nuk mund t’i marrë kujtimet. Ato janë atdheu i zemrës sonë. Ndoshta për këtë arsye poezia është forma më e bukur për ta kthyer mungesën nga armike në mike siç ka bërë kësaj radhe Rita Filipi.
ObserverKult
Lexo edhe:
Donika Dabishevci: Poema e mungesës / Rikonfigurimi i subjektivitetit përmes dashurisë






