
“Droja” i Andreas Dushi, paraqitet si një narrativë moderne e formimit të identitetit, ku rrugëtimi i njohjes së vetes ndërtohet përmes ndërthurjes së kujtesës, përditshmërisë dhe subjektivitetit, duke e përqendruar vëmendjen te përvojat e zakonshme, të cilat ndërgjegjja i shndërron në shenja formuese të qenies.

Nga Prof. as. dr. Anila Mullahi
Romani dallohet për aftësinë që në një shtrat rrëfimor dramatik dhe në situata serioze të ndërfuten situata me një humor fëminor që të bëjnë të qeshësh, por edhe nota të dukshme të ironisë dhe parodisë që e bëjnë rrëfimin të thellë, të cilat shndërrohen në mekanizma estetikë që i japin thellësi si procesit të rritjes, ashtu dhe vetëkërkimit.
Romani është ndërtuar si rrëfim për përditshmërinë që përsëritet e kthehet në realitet artistik. Rrëfimtari e përjeton rritjen si një proces të përshkuar nga droja, pasiguria dhe kërkimi i vazhdueshëm për një emër të brendshëm të vetes. Në këtë optikë moderniste, e zakonshmja fiton një denduri metaforike që zëvendëson heroiken dhe sublimen. Jeta nuk shfaqet si varg kulmesh dramatike, por si grumbullim i shtresave të padukshme që modelojnë identitetin. Kujtesa nuk funksionon si rikthim linear i së kaluarës, por si hapësirë ku fragmentet e përvojës rindërtojnë kuptimin e së tashmes. Kështu, romani e zhvendos vëmendjen nga ngjarja drejt ndjesisë, nga veprimi drejt vetëdijes, duke e bërë subjektivitetin qendrën e rrëfimit. Estetika e romanit, afirmon idenë se njeriu është produkt i gjurmëve të imta që koha lë mbi ndërgjegjje e jo i heroizmave të rrejshëm. Në këtë mënyrë, rrugëtimi i njohjes së vetes shndërrohet në një proces të heshtur formimi, ku identiteti ndërtohet në një rrugëtim mes vdekjes dhe erosit.
Uni rrëfimtar dhe procesi i vetënjohjes
Ngjarjet që ndodhin në roman janë krejtësisht të zakonshme dhe për këdo që ka jetuar në periudhën e pas viteve ’90, është e lehtë të njohë në to copëza të përvojës së vet, ndryshimet rrënjësore që solli përmbysja e sistemeve, varfërinë e pranuar si realitet i përditshëm dhe dinjitetin e cënuar prej saj. Rrëfimi nuk ndërtohet nëpërmjet ngjarjeve të rëndësishme, as te loja me të papriturën për të habitur ose për ta mbajtur lexuesin në ankth.
Romani është rrëfimi i procesit të formësimit të identitetit të personazhit kryesor, i cili është njëherazi edhe rrëfimtari. Ajo që ka rëndësi për rrëfimin nuk janë aq faktet se çfarë ndodh, sesa ajo që ndodh me vetëdijen e personazhit. Rrëfimi përqendrohet në subjektivitetin e karakterit, në botën e tij të brendshme, në vetëdijen dhe në ndërgjegjen që zhvillohet e formësohet përmes përvojave të jetuara, duke e shndërruar romanin në një udhëtim të thellë drejt njohjes.
Libri ka dy peritekste të ndryshme. Në krye është një varg nga Rreshpja “çudi, kur rritemi, dhentë nuk flasin më” që i sugjeron lexuesit një kthim në të shkuarën, në fëmijëri, në kohën e naivitetit, në atë kohë kur flet me kafshët dhe duket se ata të përgjigjen. Ndërsa si peritekst i dytë janë disa vargje “motërzimi të një këngë popullore shkodrane”, “Unë i mjeri kam pas’drashtë/ Se s’po di me ba dashni./Tash që ia xuna fillin,/o Vendin n’vend s’po mrrihet o…” Ky peritekst i sugjeron lexuesit një kthim në rininë e hershme, në një kohë kur shqetësim kryesor është kureshtja ndaj seksualitetit. Periteksti paralajmëron një kthim në fëmijërinë dhe në rininë e hershme.
Rrëfimi realizohet si kujtesë që ringjallet prej rrëfimtarit-personazh. Rrëfimtari i romanit, shpesh duket një personazh i heshtur që gjatë rritjes kalon nëpër fazat e tij me paranojat, me fantazitë e moshës, por edhe me thjeshtësinë për të njohur veten e tij: dëshirat dhe nevojat e tij. E për këtë i duhet të njohë trupin dhe trurin njëkohësisht; shpesh kjo njohje duket se e kundërvë trupin dhe trurin, ndaj ata nuk i përgjigjen njëri-tjetrit. Nëse truri duket se kërkon purifikimin dhe shenjtërinë dhe kjo shfaqet në dëshirën që herë pas here mendon se duhet t’ia kushtojë jetën fesë, të vazhdojë seminarin e të bëhet prift, trupi nga ana tjetër në vetminë e dhomës ose ndërsa preket e fërkohet me të dashurën e tij kërkon gjëra të tjera. I vetëdijshëm që s’është aq i pastër sa t’i jepet Zotit është edhe i pavetëdijshëm për dëshirat e tij. Përplasja mes të vetëdijshmes dhe pavetëdijshmes krijon një karakter kontradiktor.
Personazhi është në procesin e njohjes së botës, por në radhë të parë të vetes. Thellohet në mendimet e tij, por kur dështon, atëherë i jepet njohjes së trupit. Ai është në kërkim të eksperiencave erotike dhe seksuale. Ai shpesh përjeton një frustrim seksual që herë vjen nga jashtë, kur e dashura e tij pranon të kalojë çdo eksperiencë seksuale me të përveç penetrimit, por më shpesh nga vetë ekzistenca e tij. Pasiguritë e tij e bëjnë të mendojë për orientimin e tij seksual. “Nuk isha aseksual! Budallallëk. As biseksual e as gay. Isha sapioseksual. Vetëm të mënçurit më tërheqin drejt dëshirës për seksualitet” (Dushi A. 2025, 127). Kjo s’është gjë tjetër veçse një udhëtim në kërkim të vetvetes, një udhëtim rritjeje.
Pjesët e rrëfyera nuk janë të vendosura në mënyrë lineare, por janë të çorganizuara qëllimshëm, synojnë të tregojnë shpërfilljen e rrëfimtarit për kohën objektive, sepse ajo që i intereson është koha e brendshme e tij. Herë tregon një ngjarje kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç, herë kur është njëmbëdhjetë, herë kur ishte tetë, e herë shkruan se “jam nuk e di sa vjeç”, duke mundësuar këndvështrimin e tij për botën në kohë dhe në faza të ndryshme të zhvillimit të tij.
Vendosja e episodeve pranë njëri-tjetrit në mënyrë të shkujdesur, bëhet qëllimisht si për të treguar se nuk është se ka ndonjë rëndësi lineariteti. Në fund të fundit, ai imiton mënyrën e të rrëfyerit që i drejtohet kujtesës, mund të harrojë, mund të rikujtohet, mund të ketë dëshirë të ripërsërisë dhe kjo e gjitha është loja e rrëfimit. Rrëfimin ia ka lënë në dorë kujtesës, duke krijuar idenë e një fluksi ngjarjesh që vijnë pa rend.
Një zgjedhje interesante e autorit është mënyra sesi e ka paraqitur rrugëtimin e krijimit të identitetit të personazhit të tij. Në fillim gjithë familja sheh në T.V. të gjithë ata që kanë vdekur në qytet, pa emocione, si një ritual. Më pas rrëfimi ndërtohet nëpërmjet një rrugëtimi vdekjesh: fillon me vdekjen e njerëzve nga mëhalla, nga fisi e më pas nga familja. Rrëfen vdekjen e motrës, babait dhe nënës nga babai. Ai i rrëfen vdekjet në kah të kundërt, si për të treguar se s’ka rend.
Ndërkohë paralelisht rrëfen gjithë procesin e tij të njohjes së trupit, të erosit dhe kërkimin e seksit. Lufta e thanatosit me erosin ekziston brenda jetës së protagonistit dhe jeta e tij shënjohet vetëm nga këto dy shfaqje: vdekja dhe erosi.
Rrëfimi si strukturë e kujtesës
Në romanin “Droja” nuk ekziston subjekti në kuptimin klasik. Rrëfimi i romanit, tipik modernist, i largohet një rrëfimi të përqendruar në linja kompozicioni të kristalizuara, por zëvendësohet në një shkrirje rrëfimesh të vogla, heterogjene të cilat i bashkon një vend ose një personazh.
Në mënyrën sesi zgjedh të ndërtojë kohën e shkuar, nëpërmjet minirrëfimeve që tregojnë ngjarje të vogla, ndonjëherë edhe të çastit, që imitojnë procesin e ruajtjes dhe nxjerrjes nga kujtesa, ngjan me teknikat e përdorura nga Prousti.
“Droja” nuk është ndërtuar si një rrëfim linear, por si një bashkim copëzash të rrëfimit, që në pamje të parë janë të çorganizuara, por të bashkuara nga nevoja dhe dëshira për të njohur veten dhe botën e për të krijuar identitetin. Rrëfimi i copëzuar është karakteristikë për veprat pa subjekt të mirëfilltë. Rrëfehen situata eliptike që të lënë të mendosh, situata që përsëriten, ose edhe situata që plotësojnë diçka që është rrëfyer më parë.
Struktura kompozicionale e romanit është ndërtuar në tre pjesë: Nisja, Ura dhe Mbërritja. Pjesa e parë është e ndarë në pjesë të vogla pa titull dhe pa numër kapitulli. Ura është e përbërë nga shtatë pjesëza që mbajnë numrat nga 20 deri në 14, ndërsa Mbërritja me pjesë që mbajnë numrat nga 13 deri në 1. Rendi i rrëfimit dhe rendi i ndodhive të ngjarjeve nuk përputhen. Radhitja e përmbysur e kapitujve është simbolike. Numrimi mbrapsh është për të treguar se rrugëtimi i njohjes së vetes mbaroi: tani është i rritur.
I ndërtuar në një strukturë unazore, rrëfimi i romanit përfundon aty ku ka nisur, në rrugë, ndërsa ecën i vetmuar ai përplaset me një djalë, ai është “dikush i cili nxitonte të zëvendësonte një njoftim vdekje nëpër shtyllat e Shkodrës,” duke përsëritur në mënyrë identike vendin dhe situatën. Kapitujt radhiten në rend zbritës, duke numëruar mbrapsht siç ndodh edhe për ata të cilëve po u presin ditën e vdekjes.
Ndonjë lexues, mund të kërkojë të gjejë në roman edhe elementë të romaneve autobiografike, nxitur nga rrëfimtari i vetës së parë apo edhe nga ndonjë personazh me emrin e autorit.
Autori ka ndërtuar në roman një personazh me emrin e tij Andreas Dushi, duke i dhënë edhe disa tipare biografike. Ai bëhet pjesë e romanit në një moment të caktuar duke luajtur një rol në narracion, por më pas ikën siç edhe vjen, si një i rastësishëm. Ndonëse për një nga personazhet e romanit ai ishte shumë i rëndësishëm, ai ka zgjedhur të jetë i rastësishëm në këtë rrëfim. – ç’punë kam unë” përsëriste me këmbëngulje personazhi Andreas Dushi që gati nuk e kupton pse paska qenë kaq i rëndësishëm për dikë të rastësishëm në jetën e tij. Me këtë lojën ekzistoj, por nuk jam përcaktues, autori ndërfutet në tekst duke manipuluar situatën artistikisht dhe duke thënë: ç’punë kam unë.
Dushi, autori, qëllimisht luan këtë lojë rrëfimore, si për t’i thënë lexuesit se fakti që ai nuk është rrëfimtari e çliron plotësisht nga e vërteta intime.
E shkuara nëpërmjet satirës dhe groteskut
E kaluara vjen në roman nga ndërfutja në mënyrë intertekstuale e diskursit të vazhdueshëm rreth një historie që përfaqëson një ideologji, një sistem të një kohe të shkuar.
Personazhi kryesor i sheh të tjerët: njerëzit e familjes a të afërmit si zëra nëpërmjet të cilëve do të kuptojë botën, por shpesh ata ia shpjegojnë të tashmen nëpërmjet së shkuarës. E shkuara që ndërfutet në të tashmen e personazhit kryesor të romanit kryhet nëpërmjet fatit të Shkurte Pal Vatës. E shkuara vjen në jetën e fëmijës nëpërmjet rrëfimit për vdekjen e saj, këngës për të, nëpërmjet barsaletave për të dhe babain e saj, Palin. Ai nuk e kupton pse Shkurtja dhe Pali, ndërfuten në jetën e tij nëpërmjet rrëfimeve të të atit. Në fillim ndjen keqardhje për veten që nuk e kupton e më pas për babën që i duket se ka ngecur në këtë çengel. Por atij i duhet të zbulojë vetë nëntekstin e asaj që ai thotë.
Në fillim, lexuesi mund të tentojë ta injorojë rëndësinë e këtij diskursi që futet si pakuptimtë, por që paraprin rrëfimin kryesor. Ripërsëritja e këtij diskursi e bën të kuptojë se ai ka rëndësinë e kontekstualizmit për atë që ndodh. Zërat që ai i dëgjon janë të rëndësishëm për të njohur botën në një kohë tjetër. Njerëzit që e rrethojnë kanë një të shkuar. Nëse do të kuptojë çfarë thonë ata për të tashmen, duhet të kuptojë diskursin e tyre që është i lidhur me të shkuarën.
Diskursi i tyre për të shkuarën, është rishikuar dhe kjo bëhet jo me tone serioze, agresive ose në formë paçavuresh politike, por në mënyrë ironike, duke e parodizuar diskursin e atëhershëm. Personazhet që kanë jetuar në dy kohë, shfaqen shpesh nën efektet e kujtesës. Shpesh, ata, në mënyrë të paqëllimtë e risjellin të shkuarën. Por e shkuara vjen në rrëfim siç thoshte Eliot “jo si e shkuara në të shkuarën, por prezenca e saj, pranishmëria e saj në të tashmen”. Nuk tregohen vuajtjet nga e shkuara, por parodizimi i saj, efekti në tjetërsimin e njerëzve. Nëse e harron të shkuarën është njësoj sikur ajo të ketë vdekur, ndaj personazhet e romanit e kujtojnë atë qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme.
E shkuara vjen veçanërisht nëpërmjet figurës së babait të personazhit tonë. Ai është një njeri që nuk ka ideale, as qëllime, por ai shfaq një lloj vetëkënaqësie për atë që është. Ai shpreh një lloj kënaqësie absurde që kohërat nuk e kanë ndryshuar. I tillë ka qenë dhe më parë pa parti, pa ideale të larta, i tillë është dhe sot. Ai tallet me ata, që kishin ngritur idhuj të rrejshëm. Duke kujtuar në mënyrë të përsëritur historinë e Shkurte Pal Vatës, nëpërmjet një humori të zi lidh të shkuarën dhe të tashmen duke ironizuar atë që kishte kaluar. Me gjithë situatën tragjikomike të vdekjes, nuk synohet të parodizohet fatkeqësia, por mënyra sesi një fatkeqësi përdoret.
Kjo lloj satire ndaj kohës së shkuar, kohës komuniste shfaq edhe nota dëshpërimi, shfaq edhe dekadencën që ka ndodhur në shoqëri si pasojë e çmendurive kolektive. Romani nuk flet për presionin, mungesën e lirisë, por nëpërmjet një çmistifikimi të një figure qendrore të mendësisë së asaj kohe nëpërmjet humorit, çmistifikohet gjithë koha. “Heroizmi” i një vajze të vogël që vdes aksidentalisht në ndërtimin e një hekurudhe përdoret si simbol i triumfit të një ideologjie.
Prania si intertekst i kësaj historie të deformuar dhe mashtruese është eksplicite nëpërmjet këngëve kushtuar heroinës socialiste, por edhe pranisë së barsaletave që njihen gjerësisht në Shkodër. Babai e përmend vazhdimisht si emër, përmend vargje nga kënga e saj duke çuar në një risjellje gati të ekzagjeruar, për t’u tallur me një kontekst të caktuar. Ironia e babës ndaj asaj që ka kaluar bëhet shumë e fortë, ndonëse fëmija i tij që nuk e ka jetuar atë kohë nuk e di për çfarë flet ai.
Rimarrja e historisë së heroinës së socializmit ekzagjerohet, e teprohet aq shumë sa shkon deri në nivele groteske. Babai vdes duke recituar vargjet e këngës kushtuar Shkurte Pal Vatës. Nga parodia, rrëfimi shkon dhe prek notat e groteskut. Në një moment ku bashkohen e qeshura dhe dhimbja, shfaqen notat surreale; personazhi kryesor ndiehet çuditshëm për vdekjen e babait të tij. Çuditërisht, edhe në njoftimin e vdekjes me të cilin fillon romani, burri i vdekur e ka emrin Pal, por tashmë një Pal tjetër.
Nëpërmjet gjithë kësaj përmendjeje, duket se ai ka njëfarë nostalgjie për atë kohë, jo për sistemin, por për rininë e tij, gjë që është e padukshme. Në sipërfaqe do të shfaqet se nostalgjia dhe parodia ironike janë aq të pandashme sa vaji me ujin; njëra sheh me përzemërsi dhe përçmim të shkuarën; tjetra bën lojë me tekstin e vjetër në mënyrë që të krijojë të renë, duke e supozuar të renë superiore. (Hutcheon, L. & Valdes, M. J. 2000, 8)
Personazhi rritet në një qytet ku hapësirat e tij identifikohen me emrat e dikurshëm, ata të së shkuarës dhe me emrat e rinj, të së tashmes. Baba dhe nana flasin me emërtimet e së shkuarës, ata refuzojnë t’i përshtaten kronosit të së tashmes. Qyteti ka ndryshuar, është tjetërsuar, por njerëzit refuzojnë ta pranojnë këtë, sepse u ndryshojnë kujtimet.
Personazhet e romanit, shfaqin një mpirje emocionale, një zvoglim të interesit dhe dëshirës për të marrë pjesë në aktivitete sociale, paaftësi për të dëshiruar komunikim. Babai nuk ka jetë sociale, sidomos pasi u ribashkua me gruan që dhunonte, ai nuk ka më krenarinë të ekspozohet. Babai del në pension dhe ngjitet pas divanit, duke parë televizor, e s’do të lëviz prej andej. Motra ikën e s’do ta kthej kokën pas në fëmijërinë e saj, ndërsa nëna është gjithmonë e palumtur.
Romani “Droja” shndërrohet në një udhëtim të brendshëm, ku rëndësi nuk kanë ngjarjet që ndodhin, por mënyra se si ato projektohen nga vetëdija e personazhit. Përmes një rrëfimi modernist, introspektiv dhe të ndërtuar mbi kujtesën, autori e kthen përvojën individuale në një përvojë universale. Fëmijëria dhe rritja nuk paraqiten vetëm si etapa të jetës, por si procesi i pandërprerë i formësimit të identitetit. Pikërisht në këtë bashkëveprim mes kujtesës, subjektivitetit dhe rrëfimit qëndron forca artistike e romanit, i cili dëshmon se njeriu ndërton kuptimin e vetes duke rrëfyer jetën që ka jetuar.
ObserverKult
Lexo edhe:

Romani “Droja” i Andreas Dushit është vlerësuar me Çmimin për Prozë në Panairin e Librit në Prishtinë 2026
“Droja” është një roman mbi mënyrën se si fjalët, zakonet, paragjykimet dhe heshtjet trashëgohen nga rrethi i vogël i familjes te rrethi më i madh që fëmija njeh: qyteti. Aty, ai dëgjon më shumë nga sa duhet, kupton më pak nga sa ndien dhe ruan si të çmuara gjëra krejt të zakonshme për të rriturit. Prindërit, gjyshja, komshinjtë, fisi dhe të njohurit bëhen, pa e kuptuar, aktorët e një komedie të përditshme prej së cilës fëmija del gjithnjë pak më i lënduar.
Andreas Dushi ndërton kështu një roman ku humori nuk e zbut dhimbjen, por e bën edhe më të mprehtë, edhe më të durueshme. Çdo episod duket thuajse i parëndësishëm, një asgjë, derisa, faqe pas faqeje, bëhet e qartë: jeta s’është gjë tjetër veçse shuma e disa asgjëve të njëpasnjëshme.
ObserverKult






