reklamë

Dy poezi nga Ardiana Thaçi: Lema derën çelun… kam me ardhë…

Ju ftojmë t’i lexoni dy poezi të autores, Ardiana Thaçi

Lema derën çelun

Kur nesërmja ka me ardhë,

e kur kemi me vrapu,
me i pa kotësinat e vjetra,

ma mirë me ma lanë derën çelun…

kam me ardhë.

Kur nata t’ketë mbulue gjithçka,

e errta prej jashtë ka me hi
n’dhomat ma t’ndritshme t’jetës,

ma lehtë t’vjen me e lanë derën çelun.

Çelun, pa shulin e vjetër,

ma lehtë asht mos me cokat,

po me hi si ernat e forta
n’mes grunajave
me i trazu lulkuqet n’fusha.

E di që s’kam trimni,

po ti prap lëre çelun,

se ni ditë s’kam me prit ma dakikat e sakta,

po kam me u çmend,

me u marrë e kam me ardhë.

Ajo veç munet me kanë çelun,

po unë prap kam me cokat,

kam me t’lajmru kur kam me ardhë.

Po ti prap, ma lehtë, lëre çelun.

Ashtu si dje,
edhe herave tjera
kam nevojë me kanë çelun…

Pse s’je aty, kur kam errësirë

Pushtohem ndojherë
prej forcash të errta,

që m’nisin vrap drejt
diçkaje t’ndalume;

kërkojnë me m’hudhë n’krahë t’tu,

me t’ndie
e me t’mbulu me frymë.

Pushtohem,
jo rrallë,
prej misticizmave t’jetës,

që ma zhveshin dashninë
prej mitit idilik,

prej pafajsisë.
E bahem vampir
i t’dashunit nën hije.

Pushtohem edhe unë,

pesë dakika mbasi ikë,

prej frymës tande;

pushtohem shpesh.

Por kur pushtohem
prej errësinës seme,

bash aty
thërras e bërtas.

Fati ma kthen mbrapsht orën,

s’më ndihmon kurrgja,

deri sa errësina fiket.

Tik-taku kthehet apet
para se
me u pushtue prej errësinës.
Akrepat ecin shpejt,

por tash
kur shihemi n’sy,
s’ka ma errësirë.
Kam frikë me pritë,
prandaj i uli sytë.
S’lypi ma asgja.
Ndjej praninë!

ObserverKult


Lexo edhe:


Ardiana Thaçi: Qysh vritet nji dashni