
Fshati ka disa shtëpi të rralluara,
si vetë jeta e shpërndarë nëpër copëza historish.
Askush nuk e mban mend
kur janë dëgjuar së fundi kambanat e kishës.
“Ndoshta në një kohë tjetër”, –
tha plaku dhe nguli sytë përpjetë.
Në rrafshnaltën e parë ka gurë,
gurë të kthyer në mure.
Plaku e ruan një fshehtësi, si një sekret të detyruar.
Ai, plaku fytyrërrudhur,
në rrudhat e të cilit përshkojnë shekuj humbjeje,
që kanë pësuar shndërrim, si vetë jeta e fshatit.
Plaku, kur zgjohet në mëngjes,
si një ritual lutjesh,
përherë e shikon çelësin e kishës,
mos e kollofit harresa si sendin e fundit
të një kohe që nuk ka vazhdimësi.
Ai e ruan çelësin në arkë, si kleriku hostenin në tabernakull-
e ruan në arkën e fshehtësive,
si kujtim i padefinuar: gëzimi e trishtimi bashkë.
Një vajzë, që kishte emigruar nga katundi,
kishte dëgjuar për kishën e vjetër
dhe një ditë shkoi te plaku
dhe fytyrëgëzuar e pyeti:
“Ku është kisha?”
Plakut i rrodhën dy lot si dy shkëmbinj
në një pjerrësi të humnershme.
Dhe lotët iu rrokullisën e rrokullisën e rrokullisën
nëpër rrudhat e faqeve të tij,
teksa nxori një psherëtimë si të vinte nga bota e harruar:
“Atje larg janë gurët,
e unë e ruaj vetëm çelësin e kishës që nuk është.”
*(Histori e dëgjuar për një çelës kishe që ruhet diku në Kosovë, një çelës i një kishe që nuk ka as themele.)
ObserverKult
Lexo edhe:






