reklamë

Zanë Memeti: Kur guximi mbërrin pas vdekjes

Nuk i shton buzët ato që i mungonin.
I mungonte ajo prekje e vogël,
që e bind ballin se është e dashur.
Ecte me një vend bosh mbi vetullat e saj,
si një prag që priste një hap, e nuk e mori.
E deshi ai, por dashuria e tij,
ishte si lumenjtë që i afrohen detit
vetëm duke e humbur veten nëpër rërë.
Sa herë e zgjaste shpirtin,
krenaria ia kthente duart bosh.
Sa herë donte ta thërriste,
heshtja ia vinte gishtin mbi buzë.
Për vite me radhë ajo e mbajti ballin,
si një prag të pambyllur.
Ndoshta një ditë, mendonte heshtja,
do të vinte ai, ta vuloste me një puthje
atë copëz qielli, që njeriu e mban mbi sy,
përpara se të mbyllë sytë.
Por ai e veshi dashurinë me vonesa.
Çdo hap drejt saj e ktheu në një stinë tjetër,
çdo fjalë të pathënë,
në një gur mbi kraharorin e kohës.
Nuk ishte se nuk e deshi.
Ishte nga ata njerëz që i lënë lulet në degë derisa t’i marrë era,
pastaj qajnë mbi kopshtin bosh.
Ajo nuk kërkoi më.
Dashuria e saj u bë aq e qetë,
sa, edhe dhembja filloi të ecte zbathur,
që të mos ia prishte pritjen.
Kur ajo vdiq, fytyra nuk kishte marrë
asgjë me vete;
veç një copëze të paprekur mbi ballë.
Si faqja e fundit e një libri që askush
nuk pati guxim ta lexonte deri në fund.
Sikur ta kishte ruajtur vetëm për të.
Vetëm atëherë, ai u përkul
me duar që nuk dinin më ç’të kërkonin.
Buzët i dridheshin nga pesha e gjithë puthjeve që i kishte kursyer kot, jo nga vdekja.
E puthi.
Ishte puthja e parë. Edhe e fundit.
Mbi atë ballë që nuk ndiente më,
e mësoi atë që nuk ia mësoi dot jeta;
se dashuria nuk vdes kur mbetet pa përgjigje.
Vdes kur mbetet pa guxim.
Që prej asaj dite,
ai nuk e mbante më mbi buzë shijen e saj.
E mbante heshtjen e një puthjeje
që kishte pritur një jetë,
vetëm për të ardhur një frymë pas përjetësisë.
E gjithë jeta e tij, u bë veç një burrë
që e mbante në buzë një puthje,
dhe në zemër varrin e saj.

ObserverKult


Lexo edhe:

Zanë Memeti: Mëkati im, lëngatë e muzës