Jaime Sabines: Përpiqem të shkruaj emrin tënd në terr…

Përpiqem të shkruaj emrin tënd në terr.
Përpiqem të shkruaj të dua.
Në terr përpiqem t’i them të gjitha këto.
Nuk dua që ta marrë vesh askush,
që askush të mos më shohë në tre të mëngjesit
duke ecur nga një qosh i dhomës në tjetrin,
i marrë, i frymëzuar me ty, i dashuruar.
I ndriçuar, i verbër, i tejmbushur me ty, duke të shpërhapur ngado.
Them emrin tënd me gjithë heshtjen e natës,
e klith zemra ime gojëlidhur.
Përsëris emrin tënd, e them sërish,
e them pa u lodhur,
dhe jam i sigurt se ka për t’u gdhirë.

Në shqip: Erion Karabolli

———————————————–

Jaime Sabines

LEXO EDHE: JAIME SABINES: SHPRESOJ TË SHËROHEM PREJ TEJE…

r disa ditë, shpresoj të shërohem prej teje. Duhet mos të të frymoj më, mos të të tymos më, mos të të mendoj më. Është e mundur. Nëse zbatoj rekomandimet e moralit të radhës. Receta është kohë, dorëheqje, vetmi.

Si thua nëse të dua vetëm një javë, jo më shumë? Nuk është as shumë e as pak, është mjaftueshëm. Për një javë mund t’i grumbulloj gjithë fjalët e dashurisë që janë shqiptuar mbi tokë dhe t’u vë zjarrin. Me atë flakadan dashurie të përvëluar, do të të ngroh. Mund të grumbulloj gjithashtu dhe heshtjen. Sepse fjalët më të bukura të dashurisë gjenden mes dy njerëzve që heshtin mes njeri-tjetrit.

Duhet djegur, gjithashtu, edhe ajo gjuha tjetër paralele dhe shastisëse e atij që dashuron. (Ti e di se të them “të dua”, kur të them: “ç’vapë që bën”, “më jep pak ujë”, “mund të ngasësh?”, “u bë natë”… Mes njerëzve, mënjanë njerëzve të tu dhe të mi, të kam thënë “u bë vonë”, dhe ti e dije se po të thosha “të dua”).

Edhe një javë për ta grumbulluar tërë dashurinë e kohës. Për të ta falur. Që me të, të bësh ç’të duash: ta ruash, ta ledhatosh, ta flakësh në plehra. Është e kotë, vërtet. Dua vetëm një javë që t’i kuptoj gjërat. Pasi e gjithë kjo është njësoj sikur të jesh duke dalë nga një çmendinë për të hyrë në një varrezë.

Në shqip: Erion Karabolli