
Polifonia dhe iso-polifonia shqiptare janë aq të lashta, aq të thella dhe aq të rëndësishme në thesarin e trashëgimisë sonë kulturore, sa studimi dhe vlerësimi i tyre kërkon ekspertizën e etnomuzikologëve dhe studiuesve shqiptarë e ndërkombëtarë. Për këtë arsye, mendoj se debatet mbi natyrën, terminologjinë dhe vlerat e tyre duhet të zhvillohen mbi baza të mirëfillta shkencore dhe t’u lihen specialistëve të fushës
Nga Engjëll Serjani
UNESCO, institucioni më autoritar ndërkombëtar për vlerësimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, e ka përfshirë iso-polifoninë shqiptare në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm për kulturën shqiptare.
Por pikërisht këtu, sipas meje, duhet të ndryshojë edhe fokusi i debatit.
Sot nuk është më aq e rëndësishme të polemizojmë pafundësisht se çfarë emri duhet t’i japim kësaj pasurie, sesa të pyesim: çfarë duhet të bëjmë ne për ta ruajtur, mbrojtur dhe transmetuar atë?
UNESCO mund ta njohë një pasuri, mund t’i japë asaj status ndërkombëtar dhe të kërkojë masa për mbrojtjen e saj, por nuk mund ta ruajë drejtpërdrejt iso-polifoninë shqiptare. Nuk mund t’ua mësojë fëmijëve tanë këngën, nuk mund të zëvendësojë bartësit e saj dhe nuk mund ta mbajë gjallë atë në komunitetet ku ka lindur dhe është trashëguar.
Kjo është përgjegjësia jonë.
Dhe këtu më vjen ndërmend një shprehje e paharruar e të madhit Lefter Çipa, i cili e quante këtë pasuri “fosforinë e kulturës kombëtare”. Një metaforë e bukur, por edhe një përgjegjësi e madhe: një fosforinë duhet mbrojtur që të mos shuhet.
Çfarë duhet të bëjmë?
Shteti duhet të ketë një politikë të qëndrueshme për mbrojtjen e kësaj trashëgimie. Akademia e Shkencave dhe universitetet duhet të thellojnë studimet etnomuzikologjike, dokumentimin dhe arkivimin. Ministria e Kulturës dhe institucionet e saj duhet të mbështesin më shumë bartësit dhe grupet polifonike. Bashkitë duhet ta konsiderojnë këtë trashëgimi pjesë të identitetit dhe të jetës kulturore lokale. Shoqëria civile dhe media kanë një rol të rëndësishëm në dokumentimin, promovimin dhe ndërgjegjësimin publik.
Por mbi të gjitha, duhet të mendojmë për brezin e ri.
Iso-polifonia nuk mund të mbijetojë vetëm në arkiva, libra apo skena festivalesh. Ajo duhet të kalojë nga një brez te tjetri, nga bartësi te nxënësi, nga grupi i vjetër te grupi i ri. Për këtë arsye, duhet të shqyrtojmë mundësinë e përfshirjes më të gjerë të saj në programet dhe aktivitetet kulturore të shkollave, si dhe krijimin e grupeve të reja polifonike, në një lloj “zinxhiri” transmetimi brez pas brezi.
Edhe Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës mund të jetë pjesë e kësaj strategjie. Mund të diskutojmë nëse një festival i tillë duhet të zhvillohet vetëm një herë në pesë vjet apo, duke ruajtur dimensionin e tij kombëtar, të ketë një periodicitet më të shpeshtë, për shembull çdo dy vjet. Ndërmjet festivaleve kombëtare mund të organizohen veprimtari rajonale, takime të bartësve, konkurse të të rinjve dhe programe të posaçme për transmetimin e traditës.
Pra, debati “polifoni apo iso-polifoni” nuk duhet të shuhet. Përkundrazi, ai duhet të vazhdojë në rrafshin shkencor, me studiuesit dhe ekspertët përkatës. Por krahas tij duhet të hapim një debat tjetër, ndoshta edhe më urgjent:
Si ta ruajmë këtë pasuri të rrallë të identitetit tonë kombëtar?
Sepse nëse dje detyra jonë ishte t’i tregonim botës se iso-polifonia shqiptare është një vlerë e jashtëzakonshme e trashëgimisë njerëzore, sot detyra është më e madhe: t’u sigurojmë brezave që vijnë mundësinë ta njohin, ta duan, ta këndojnë dhe ta përcjellin të pastër këtë “fosforinë” të kulturës sonë.
ObserverKult






