reklamë

Jozef Radi: Protesta e një barake…

Kjo është një nga 7 barakat e famshme të kampit të internimit të Savrës. Një karakatinë trishtuese, e abandonuar, por gjithsesi në këmbë… e që mendoj se mund të jetë kartvizita më e denjë e një kampi internimi që ka funksionuar me të ndëshkuar të regjimit komunist, prej vitit 1954 deri në vitin 1991.

Prej vitit 1991, barakat e Savrës mbetën në mëshirë të fatit, mbasi shumë prej banorëve të internuar u larguan masivisht (shumica jashtë Shqipërie), por pati mjaft prej atyre që jetuan edhe për shumë vite të tjera aty, e ndonjë vazhdon të jetojë ende sot në ato barakat e një kohe, kur njeriu nën peshën e diktaturës, ndjehej krejt i pavlerë mbasi trajtohej i përjashtuar nga çdo e drejtë, sado elementare.

Kjo barakë e katandisur, mbetet sot dëshmia më përfaqësuese e së vërtetës së ndryshimeve në këto 36 vjet postdiktaturë.

Nëse komunizmi për lavdinë e vet të përjetshme, u kujdes përmes burgjeve dhe kampeve të internimit; postkomunizmi u kujdes në veçanti që asnjë gjurmë e krimeve të komunizmit të mbetej gjallë dhe e dukshme.

Pikërisht kjo barakë shkatarrinë, po edhe 7 të tjerat rreth saj, sot janë monumenti me demokratik i këtyre 36 viteve.

Dikur, shteti shqiptar mori përsipër të bënte ekuilibrin social të padrejtësive, përmes parullës: “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”… më pas nuk u gjet as kohë e as arsye të bënte një “mea kulpa” e të përpiqej, qoftë edhe në mënyra formale, që e vërteta e diktaturës dhe ndëshkimi ndaj saj, të mos mbetesh vetëm në suazën e fjalëve, premtimeve dhe mashtrimeve, me të cilat në të vërtetë u ballafaqua i gjithë populli, por në mënyrë të veçantë ata që pësuan padrejtësisht përdhunimet e diktaturës, pësuan të njëjtën gjë edhe prej surrogato-demokracisë…

Kjo godinë me dërrasa, pupulit, kartoserë dhe eternit (i rrezikshëm për jetën) mund të qe riparuar e të shërbente si muze, sikur shteti i që firmos projektet milionare të oligarkisë të obligonte cilindo prej këtyre

sejmenëve të pushteti 36-vjeçar, që së bashku me ndonjë resort, të riparonte një barakë internimi, e cila ta mbante veten gjallë edhe si muze, po edhe nëse do të ishte e mundur të ndihmonte ndonjë familje në nevojë, që e ka vuajtur gjithë periudhën e diktaturës në kampin e Savrës…

Kjo jo që s’ka ndodhur, po as mund të ndodhë!!

Sot në qendër të vëmendjes së pushtetit është fasada e lirisë, vjedhja e vuajtjeve, manipulimi i së vërtetës si dhe trajtimi komiko-tragjik i një realiteti makabër.

Kam vërejtur kohët e fundit, njerëz që vërtetë kanë lindur dhe vuajtur në kampet e internimit, por që familja e tyre u ka shërbyer me aq zell diktaturës, duke mbushur dosjet e bashkvuajtësve të tyre! Është vërtet e turpshme, kur lexon dosjet dhe sheh si ciceronë vuajtjesh familjarë të dosjexhive!

Kaq poshtë paska rënë Kartagjena!

Sigurisht diktaturat bëhen jetëgjata nga pjellat dhe viktimat e saj, por s’mundet askush t’ia faturojë këtë mjerim asaj shtrese, e cila edhe sot e ka të pacënuar dinjitetin dhe fisnikërine, ndaj edhe mblidhen ashtu modestisht e përkujtojnë tragjedinë, vuajtjet po edhe gëzimet e vogla të një kohe të përbashkët, jashtë frymës së manipulimit dhe cinizmit të një pushteti të ndërtuar mbi demagogjinë, fallsitetin dhe mashtrimin…

I falenderoj gjithë miqtë e mi të Savrës, që më ftuan të jem me ta në Savër, me datën 20 gusht 2026, por sinqerisht ju them se shpirtërisht jam me ta aty… e ju përqafoj secilin përmes këtj statusi!

jozef radi, 19 gusht 2026

ObserverKult