reklamë

Pyetja e regjisorit për zyrtarin e Ministrisë: Cili është projekti juaj konkret për mbrojtjen, zhvillimin dhe të ardhmen e filmit shqiptar?

Aktori dhe regjisori i njohur Mevlan Shanaj ka reaguar përmes një postimi në Facebook mbi mënyrën se si trajtohet filmi shqiptar dhe politikat e mbështetjes për kinematografinë.

Në një tekst të titulluar “Filmi shqiptar-Sa përrallë e bukur!”, Shanaj sjell një dialog satirik mes një zyrtari të Ministrisë së Kulturës dhe një regjisori, duke vënë në pikëpyetje konkretësinë e politikave për filmin.

Përmes ironisë, ai përshkruan një varg përgjigjesh të përgjithshme për strategjitë, vizionin, financimin dhe prodhimin e filmave.

Statusi i plotë pandërhyrje i Mevlan Shanajt:

FILMI SHQIPTAR

FILMI SHQIPTAR

Në skenë, me shkronja të mëdha:

FILMI SHQIPTAR

Sa përrallë e bukur!

Në njërën anë qëndron ZYRTARI I MINISTRISË SË KULTURËS. Përballë tij, REGJISORI I FILMIT.

Në sfond, gjatë gjithë kohës, shëtit ngadalë një grua si manikin mode. Në kokë mban një kurorë mbretërore ku shkruhet:

PRODUCENTE FILMI

Gruaja nuk flet. Shëtit. Ndalet. Pozon. Pastaj vazhdon të shëtisë.

REGJISORI:

Mund të më thoni cili është projekti juaj konkret për mbrojtjen, zhvillimin dhe të ardhmen e filmit shqiptar?

ZYRTARI:

Patjetër. Politikat e qarta të Rilindjes Kombëtare përbëjnë një vizion të qartë dhe gjithëpërfshirës për zhvillimin e ekonomisë së kulturës, në funksion të një qasjeje bashkëkohore dhe integruese, e cila lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin urban, infrastrukturën, turizmin, agroturizmin dhe promovimin e imazhit të Shqipërisë.

REGJISORI:

Po për filmin shqiptar?

ZYRTARI:

Filmi shqiptar është pjesë e këtij vizioni të gjerë dhe gjithëpërfshirës.

REGJISORI:

Cili është projekti?

ZYRTARI:

Projekti është pjesë e strategjisë.

REGJISORI:

Cila strategji?

ZYRTARI:

Strategjia është pjesë e vizionit.

REGJISORI:

Dhe çfarë parashikon vizioni?

ZYRTARI:

Një të ardhme më të mirë.

Heshtje.

Manikini kalon ngadalë pas tyre. Kurora shkëlqen.

REGJISORI:

Sa filma shqiptarë do të prodhohen?

ZYRTARI:

Kjo do të përcaktohet në kuadër të objektivave.

REGJISORI:

Sa para do të jepen për prodhimin?

ZYRTARI:

Financimi do të jetë në përputhje me prioritetet.

REGJISORI:

Cilat janë prioritetet?

ZYRTARI:

Prioritetet janë ato që përcakton strategjia.

REGJISORI:

Mirë. Po strategjia ku është?

ZYRTARI:

Është në proces.

Regjisori e vështron gjatë. Pastaj sheh manikinin me kurorën “PRODUCENTE FILMI”.

REGJISORI:

Po producentët?

ZYRTARI:

Janë pjesë e ekosistemit.

REGJISORI:

Po filmat?

ZYRTARI:

Janë pjesë e industrisë kreative.

REGJISORI:

Po industria?

ZYRTARI:

Është në zhvillim.

REGJISORI:

Po zhvillimi?

ZYRTARI:

Është në funksion të së ardhmes.

Heshtje.

REGJISORI:

Kuptova.

Ngrihet dhe largohet.

Pas disa hapash ndalet. Kthehet nga publiku.

REGJISORI:

Pyeta për një film.

Pauzë.

REGJISORI:

Mora një fjalor.

Shikon zyrtarin.

REGJISORI:

Dhe fjalori nuk kishte asnjë film brenda.

Dritat bien mbi manikinin. Ajo ngre kokën. Kurora ndriçon.

PRODUCENTE FILMI

Errësirë.

Nga libri në proces” Nuk është vonë të tregosh”

ObserverKult


Lexo edhe:

Në shtator vjen edicioni i parë i “Foton Film Festival” në Klinë