
Atje, n’atë derë, ku ti shkon ka t’mirë e t’dashtun
Ka njerëz t’këqinjë, t’qaraveshur, fjalamanë
dashnia kajher t’verbon, t’zhveshë prej mëndafshit t’çiknisë
Kajherë vjen me thikë në dorë
T’shpon n’çiltërsinë tande
e ti vrapon mal më mal e lemerisur me dashninë
ajo kundërmon vrerë, ti s’e ndjenë
t’u e humbë madhështinë qysh je rritë
Atje nuk takon andrrën e përrallat e bukura
lëre atë çka shkruajnë poetët
si i këndojnë ata dashnisë
mos kërko përkëdheljet e bab’s e nan’s
nuk i gjenë
dhe në ton këtë udhë e fat t’shkrumë
mos lufto
se Ti bija ime, a e din qysh iu k’nohet
këtyre kapadaive prej se n’djep
“Nina-nana sheqer n’letër
M’u bëfsh burr e plak me mjekër
Nina nana Bejtullah
Shtagën n’dorë, martinën n’krah”!
Se ti Bija ime, a e din
Çka ju blihet këtyre kapadaive
Qysh si fëmijë
“Pushkë e mitraloza”
E qysh ju k’nohet
Dritave që sot po fiken:
“Vajzë u rritsh e u fejofsh!
U martosh e u lulzosh
Dalsh ti bij me hijeshi
E u përmendsh – o për urti!”
Edhe unë t’lus për urtinë
Mos lufto
Mbathja vrapit
Ç’rrënjose atë mallkim
e kthehu
n’t’lumen shpi tande
A luftohet me ninullat keqndjellëse për ta
Se vet i kanë k’nu e m’su
Prej n’vegjëli
T’u i thirre trima e daji
E kur lujnë çoroditshëm, me u zgërdhi!
ObserverKult






