Anjeza Dielli: Të mundurit hyjnë të parët ne anijen e Noes

Të mundurit nuk janë të këqinj,
ata presin prej kafshatës së fundit
e shpresën e kanë te panjohurën e madhe.
Të mundurit hyjnë të parët ne anijen e Noes
e në barkun e plagës
dhe dalin të fundit prej andej,
o të vdekur ose të mundur për vdekje.

Të mundurit e kanë dritën e syve të pakët,
por në terr ajo është flakë
e dëgjimin e kanë si të një merimange
e humbasin luftrat e vogla me veten.

Të mundurit ndjejnë se jeta duhet korrigjuar
e vetëm me një ide të marrë nisen nëpër trena e vagona të gabuar,
derisa të gjitha dritaret u tregojnë të njëjtin destinacion.

Të mundurit e një hynjie kanë ndjenjën sublime
se duhet të jenë të humbur
e kështu dorëzohen para një fati që I kap si hije
e nuk i lëshon.

Të mundurit nuk janë të këqinj.
Të mundurit janë njerëz të mirë.
Të mundurit janë i ngjashmi yt
që, edhe pse e dinë se askush nuk vjen, presin…