reklamë

“Natë”, poezi nga Ajne Ibërhysaj

Përtej emrit tënd
të ndjen fryma ime
dhe përtej asaj që ishe
jam një pikë e gjakut tënd
ku frymon ti

Identitet i shkruar me fije shprese
ku shkërmoqet morali i pamoralshëm
nga langojtë harbut
që flasin në terr.

E bija e filanit
hisja e gjakut të shprishur
e mishit të kafshuar
deri në asht.

Dhe shtëpia digjej
jo nga zjarri
por nga gjaku i prishur
Një djalë gruaje vret një grua

Një grua
një nënë
një motër
një vajzë
një botë.
dhe fatkeqësisht…
një bir nëne/gruaje

Nuk ka tokë
që e mban brenda vetes
trupin e një gruaje të vrarë.

Nuk ka yll as hyjni
që nuk e ndien
klithjen e një gruaje
të përbuzur nga dashuria.

Ninullat u bënë kristale
që rrjedhin nga sytë e mbetur hapur.

Sa i vogël qenka njeriu
kur dashurinë e bën plaçkë.

Dhe nata heshti!

Makth…

Një dritare e hapur
ishte jeta e saj.

Në atë natë pabesie
ia humbën zërin
ia vodhën stinët
por jo emrin.

Grua
ti jeton në mua!

ObserverKult


Lexo edhe:

“Shpirt”, poezi nga Ajne Ibërhysaj