
O njerëz:
Që sot jam sulltani juaj,
prandaj më adhuroni dhe i thyeni të gjithë idhujt tuaj…
Unë nuk vij gjithmonë,
prandaj uluni mbi rrugën e durimit,
që të më shihni.
I lini fëmijët pa ngrënë
dhe i lini gratë pa burrë,
por mos u ndani prej meje!
Falënderoni Zotin për këtë mirësi,
që më zgjodhi mua, të bëj histori,
pa mua historia nuk shkruhet asesi.
Unë jam Jusufi në hijeshi.
Zoti s’ka krijuar flok të artë të ngjashëm me flokun tim,
as një ball profetik,
as sy të ngjashëm me një pyll ulliri e bajamesh,
si sytë që qëndisin ballin tim,
prandaj luteni Zotin t’a ruajë dritën e syve të mi.
O njerëz:
Unë jam Mexhnuni i Lejlasë
prandaj mi sillni gratë t’i çiftoj…
kurse burrat të vijnë e të më falënderojnë.
Është nder i madh të hani grurin e trupit tim
dhe të vilni bajamet dhe fiqtë e mi.
Është nder të më përngjani mua,
se unë jam mrekullia e papërsëritshme,
që prej mijëra shekujsh.
2.
O njerëz:
Unë jam i pari dhe i drejti,
jam më i hijshmi ndër sundimtarë.
Unë jam hëna e plotë në terr,
jam bardhësia e jaseminit.
Unë jam shpikësi i trekëmbëshit të parë,
dhe më i miri të dërguarve…
Sa herë mendoj të tërhiqem nga froni
ma ndalon ndërgjegja.
Kush pas meje, do i sundojë këta njerëz të mirë?
Kush do i shërojë të çalët, lebrozët dhe të verbërit?
Kush do i ngjallë eshtrat e të vdekurve?
Nga pallto e kujt do buisë drita e hënës?
Kush do u sjellë shi njerëzve?
Kush do i fshikullojë nga shtatëdhjetë kamxhikë?
Kush do i kryqëzojë mbi pemë?
Kush do i detyrojë të jetojnë si lopët
dhe të ngrodhin si lopët?
Sa herë e çoj nëpër mend t’i braktis,
lotët më vërshojnë si re…
Kështu, iu mbështeta Zotit…
dhe vendosa t’a shaloj këtë popull…
prej tani, e deri në ditën e qametit…
3.
O njerëz:
Unë jam pronari juaj,
siç jam padroni i kuajve dhe skllevërve.
Unë shkel mbi ju, siç shkel mbi sixhadet e pallatit tim,
prandaj, mu gjunjëzoni kur të brof në këmbë,
edhe kur të ulem,
sepse u gjeta,
mes tapive të gjyshërve të mi.
Bëni kujdes, e mos lexoni asnjë libër,
sepse lexoj unë për ju…
Bëni kujdes e mos shkruani asnjë shkresë,
sepse shkruaj unë për ju…
Bëni kujdes e mos dëgjoni Fejruzen, fshehurazi,
sepse unë i di qëllimet tuaja,
Bëni kujdes e mos hyni në varr pa lejen time,
se është mëkat i madh.
Ma vini veshin sa herë t’u flas
sepse fjalët e mia janë vetë Kurani famëlartë…
4.
O milet!
Unë jam Mehdiu juaj shpëtimtar, prandaj më prisni,
gjaku im pulson jetë, prandaj pijeni.
Hiqni dorë nga këngët që fëmijët ia dedikojnë
dashurisë për atdheun,
sepse unë jam atdheu juaj.
Unë jam i vetmi dhe i pavdekshmi mes qenieve,
unë jam në kujtesën e mollës dhe flautit,
jam kaltërsia e qiellit.
I mbani fotografitë e mia në sheshe,
më mbuloni me re elozhesh,
më sillni vasha të reja,
sepse unë nuk plakem…
Trupi im se njeh pleqërinë…
burgjet e mia nuk e njohin vjetërsinë
dhe aparati shtypjes në mbretërinë time nuk di të dorëzohet…
O njerëz!
Unë jam vetë tirani Haxhaxh,
nëse e heq maskën më dalloni menjëherë.
Unë jam Xhinkiz Khani dhe u kam sjellë,
heshtat e mia, qentë e mi dhe burgjet e mia.
Mos u ndjeni ngushtë nga brutaliteti im,
sepse unë u vras që mos më vrisni,
u var që mos më varni,
dhe u varros në varre masive,
që të mos më varrosni mua…
5.
O njerëz!
Blijini gazetat që shkruajnë për mua,
ato shiten rrugëve, si prostitutat.
Blijini lapsat dhe letrat jeshile të lëmuara si degë pranvere,
bojërat, makinat e shkrimit,
sepse në kohën tonë, gjithçka blihet, madje dhe gishtat…
Blijeni frytin e mendimit dhe ma sillni,
më gatuani një poet,
dhe ma vini para pjatave me ushqim…
Unë jam analfabet dhe vuaj nga kompleksi i asaj që shkruajnë
poetët,
prandaj mi blini poetët që i këndojnë hijeshisë time…
dhe më shndërroni në yllin e kopertinave.
Yjet e kërcimit dhe teatrit nuk janë më të hijshëm se unë,
sepse unë, falë parasë, mund të blej ç’të dua,
blej divanet e poetëve më të mirë,
dhe gjuhët e tyre,
pasi milionat e shtetit,
s’janë veçse trashëgimia e tim eti.
Prandaj, merrini florinjtë e mi,
dhe shkruajeni në librat e rëndësishëm
që koha ime është ajo e kalifit Harun Reshid.
6.
O njerëzit e vendit tim:
o popuj arabë,
unë jam një shpirt i qashtër, erdha tu laj nga pluhuri i injorancës
regjistrojeni zërin tim në kaseta,
sepse ka ritmin e një shatërvani andaluzian.
Më pikturoni si Xhakonda,
fytyrë ëmbël si fytyra e një medaljoni.
Më fotografoni,
teksa ha poezinë me dhëmbë…
dhe thith gjakun e alfabetit.
Më fotografoni,
me gjithë autoritetin,
madhështinë time,
dhe bastunin ushtarak.
Më fotografoni,
duke gjuajtur ndonjë kaproll, apo dre,
më fotografoni…
kur ju mbaj në supe, drejt banesës së përjetësisë,
o milet barngrënës arab.
7.
O milet:
Unë jam përgjegjës për ëndrrat tuaja,
sa herë të ëndërroni…
jam përgjegjës për kotheren që hani,
dhe për çdo harf që pas shpinës time lexoni.
Aparati i sigurisë në pallatin tim,
mi sjell haberet e zogjve, të kallinjve,
dhe çfarë ndodh në barkun e grave shtatzana.
O njerëz: Unë jam gardiani i burgut tuaj,
por jam edhe i burgosuri juaj,
prandaj, më ndjeni
që jam syrgjynosur brenda pallatit tim,
ku nuk shoh diell, as yll as ndonjë lule oleandër.
Që ditën që mora pushtetin si fëmijë,
më rrethojnë kllounët e cirkut,
dikush i bie flautit,
dikush daulles,
një i tretë më fshin këpucët,
e një i katërt sandalet…
Që kur mora pushtetin, si fëmijë…
asnjë nga oborrtarët e pallatit s’më ka thënë “jo”,
as ndonjë nga vezirët,
ambasadorët,
apo qoftë dhe gratë në shtratin e dashurisë.
Ata më kanë mësuar ta shoh veten perëndi,
kurse popullin, nga ballkoni ta shoh si rërë.
Unë kurrë nuk vras për hir të vrasjes..
unë ju vras vetëm për t’u argëtuar.
Perktheu: Elmaz Fida
ObserverKult
Lexo edhe:






