reklamë

Memli Kelmendi: “Siparantum” po dëshmon potencialin artistik të Kosovës

Sukseset e korit “Siparantum” në Malajzi janë vlerësuar si një tjetër dëshmi e potencialit artistik të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Për këtë rrugëtim dhe sfidat e tij në RTK ka folur dirigjenti i korit, Memli Kelmendi.

Kelmendi tha se udhëtimi drejt Malajzisë ishte sfidues, duke marrë parasysh distancën dhe numrin e madh të anëtarëve të korit që morën pjesë në këtë rrugëtim.

“Ky rrugëtim ka qenë shumë sfidues sepse po flasim për një vend të largët siç është Malajzia. Një rrugëtim ku janë pjesë e korit 42 anëtarë, thënë të drejtën nuk ka qenë e lehtë të realizohet. Mirëpo kemi pasur mbështetje dhe falë vullnetit e përkushtimit të të gjithë anëtarëve të korit, kemi arritur ta realizojmë edhe këtë projekt që për neve ka qenë vërtetë tejet sfidues”, tha ai.

Kelmendi theksoi se përtej sfidave të organizimit dhe udhëtimit, ajo që e bëri këtë përvojë edhe më të veçantë ishte rezultati i arritur. Sipas tij, suksesi i korit përbën një kontribut në pasurimin e jetës kulturore të vendit dhe një mundësi për të prezantuar para botës potencialin artistik e profesional të shoqërisë kosovare.

“Mirëpo e bukura e gjithë kësaj ka qenë që e kemi shpërblyer me shumë sukses edhe jam tejet i lumtur që vendin, kulturën, korin dhe trashëgiminë tonë kulturore po e pasurojmë çdo ditë me vlera edhe po arrijmë të dëshmojmë imazhin tonë që e kemi si shoqëri dhe potencialin edhe në aspektin artistik e profesional para shteteve të botës”, tha Kelmendi.

Suksesi në Malajzi, ku kori “Siparantum” ka fituar tri çmimet kryesore të festivalit, dëshmon edhe një herë nivelin artistik të këtij kori dhe rolin e tij në promovimin e kulturës së Kosovës në arenën ndërkombëtare./rtk

ObserverKult


Lexo edhe:

Rikthimi i Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, Edi Rama: Një festë për artin dhe të ardhmen e kinematografisë sonë