reklamë

“Cërr-cërr”, poezi nga Drita Fejza

Cërr-cërr
mbi degë zgjohet nata,
dhe hëna derdh mbi lëkurë
një dritë të argjendtë.

Nuk di nëse është trishtili
që këndon për zjarrin e verës,
apo gjinkalla
që i pëshpërit tokës dëshirën.

Ti vjen.

Dhe papritur
kopshti ka dy zemra.

Cërr-cërr
një tingull i vogël,
por brenda meje
hapet një portë e madhe.

Ti më sheh,
dhe sytë e tu janë natë;
unë të shoh,
dhe nata bëhet flakë.

Afrohesh.

Era prek gjethet,
duart kërkojnë heshtjen,
dhe dashuria,
si një krijesë e lashtë,
zgjohet mes nesh.

Cërr-cërr
trishtili hesht,
gjinkalla hesht,
vetëm zemra
nuk di të heshtë.

Dhe në atë çast
e kuptoj:

nuk është zëri i zogut,
as zëri i verës

është dëshira
që më thërret
nga brenda teje.

ObserverKult


Lexo edhe:


Drita Fejza: Pasqyrimi i shpirtit të njeriut