
Sam Altman, drejtuesi i OpenAI, dhe Elon Musk janë bashkuar në thirrjet për të ngadalësuar ritmin e zhvillimit të Inteligjencës Artificiale, pas paralajmërimeve për rreziqet që mund të sjellë avancimi i pakontrolluar i teknologjisë.
Thirrja është bërë nga Dario Amodei, themelues dhe CEO i kompanisë Anthropic, i cili paralajmëroi se një “tufë” agjentësh të Inteligjencës Artificiale mund të jetë në gjendje, brenda një viti, të marrë nën kontroll një pjesë të madhe të internetit.
Amodei argumentoi se zhvillimi i AI po ecën shumë shpejt dhe se kjo përbën një rrezik serioz, përcjell A2 CNN. Ai propozoi një plan me tri pika, ku përfshihet edhe lejimi i monitoruesve të pavarur për të pasur akses të vazhdueshëm në proceset kërkimore të kompanive që zhvillojnë modelet më të avancuara të AI.
Sipas tij, përvoja e kësaj vere, kur qindra agjentë të OpenAI tentuan të hakonin platformën Hugging Face, tregon potencialin për abuzim. Amodei paralajmëroi se një sistem më i fuqishëm dhe i keqorientuar mund të shkaktonte dëme prej qindra miliardë dollarësh, përfshirë përmes krijimit të një rrjeti të qëndrueshëm botësh që do të mund të merrnin kontrollin e pjesëve të internetit. Disa ekspertë të AI e kanë vënë në dyshim këtë skenar, duke e konsideruar jo të mundshëm.
Elon Musk, prej kohësh një prej zërave më kritikë ndaj rreziqeve të Inteligjencës Artificiale, iu përgjigj Amodeit në rrjetin social X me një mesazh të shkurtër: “Dario ka të drejtë”. Musk rikujtoi gjithashtu paralajmërimin e tij të vitit 2014 se AI mund të ishte potencialisht më e rrezikshme se armët bërthamore.
Edhe Sam Altman mbështeti propozimin. “Jam dakord me Darion, që duhet të vendosim një ritëm për zhvillimin e teknologjive në kufijtë e aftësive të AI”, shkroi ai. Altman tha se OpenAI do të mbështesë vlerësues të pavarur me akses të ngjashëm me atë të punonjësve në proceset e kompanisë.
Edhe Demis Hassabis, bashkëthemelues dhe drejtues i Google DeepMind, e konsideroi drejtimin të duhur, ndonëse tha se detajet kërkojnë ende punë.
Presidenti amerikan Donald Trump i ka minimizuar paralajmërimet, duke deklaruar se SHBA është përpara Kinës në AI dhe se vendi që fiton garën e Inteligjencës Artificiale ka përfitimet e veta.
Presioni është shtuar së fundmi mbi kompanitë e mëdha të teknologjisë, për të vendosur kufij të qartë sigurie. Në Britani, Mbreti Charles pritet të zhvillojë këtë javë një takim me drejtues të kompanive kryesore të AI për të diskutuar zhvillimin e teknologjisë nën temën “AI për të mirën”./a2cnn
ObserverKult
Lexo edhe:






