
(Ismail SYLA, Ëndërr në zarf, Artini, Prishtinë, 2025)
Nga Agim Vinca
Krijimtarinë e Ismail Sylës, në mënyrë të veçantë poezinë e tij, e ndjek tash tridhjetë e sa vjet: nga fillimi i viteve ‘90 e deri më sot. Në vitin e largët 1991 qe botuar libri i pesë poetëve ish-të burgosur politikë, që sapo kishin dalë nga burgjet e ish-Jugosllavisë, ku e kaluan një pjesë të rinisë, libri me titull Libri i Lirisë. Në të qenë përfshirë: Merxhan Avdyli, Ismail Syla, Hydajet Hyseni, Januz Januzaj dhe Bajram Kosumi (sipas këtij rendi). Ky libër qe një ngjarje letrare për kohën, aq më shumë kur të kihen parasysh rrethanat në të cilat u shfaq ai. (Ishte koha kur për shkak të ndryshimit të sistemit po liroheshin të burgosurit politikë, por Kosova po shndërrohej në një burg të madh). Në fjalën time të mbajtur në promovimin e këtij libri, pata folur për librin në përgjithësi, por edhe për secilin autor veç e veç. Për autorin e librit që po promovojmë sot, Ismail Sylën, pata thënë: “Ismail Syla është poet me talent dhe me kulturë. Poezia e tij është poezi e ideve të guximshme dhe e strukturave të larmishme (…). Autori i tyre shtron probleme të mëdha – me peshë të madhe kuptimore, kombëtare e universale, por edhe kërkesa të mëdha gjuhësore e estetike para fjalës së shkruar poetike. Herë-herë di të jetë mjeshtër në kompozimin e vjershës; kërkues i ethshëm i fjalës dhe virtuoz i vërtetë i rimës, duke shtuar edhe diçka lidhur me modelin e shkrimit, që do t’i kthehem në fund.
Ismail Syla është treguar këmbëngulës si poet: ka shkruar dhe botuar vazhdimisht. Duke filluar nga viti 1998, kur del libri i tij i parë (individual), Tempulli i braktisur, e deri më sot Syla ka botuar një duzinë përmbledhjesh poetike. Poezia është vokacioni i tij kryesor, por ai shkruan edhe tregime, ese dhe shkrime publicistike.
Ja disa nga titujt e përmbledhjeve të tij, që më shumë se përmbledhje janë libra me poezi: Religjioni i pikëllimit, Libri i epeve, Libri i tiranive, Atdheu im, i ngrysur, Sfinksi pyet sërish, Libri i xixave, Epet e zgjimit. Unë kam shkruar për dy prej këtyre librave: Religjioni i Pikëllimit (2014) dhe Libri i tiranive (2016).
Do të përpiqem të them dy fjalë edhe për librin më të ri me poezi të Ismailit, Ëndërr në zarf.
Ky është një libër i veçantë. Nga aspekti përmbajtësor është monotematik. Temë e tij është lufta dhe pasojat e saj. Krimet serbe në Kosovë janë në fokus të këtij libri. Nga aspekti strukturor përbëhet nga poezi të shkurtra në formë skicash të sistemuara në katër pjesë, prej të cilave pjesa e tretë, Nën thundrën e krimit, ka gjashtë cikle. Fjalë kyçe e poezisë së këtij libri, veçanërisht e pjesës së parë të tij, që ka rreth pesëdhjetë poezi (55, nëse i kam numëruar mirë), është fjala bunar. Bunar! Kjo fjalë, e cila me dendurinë e saj zë kryet e vendit në leksikun poetik, nuk është tekë e autorit, por shprehje e realitetit jetësor. Trupat e të vrarëve dhe të masakruarve gjatë luftës në Kosovëpërfundonin shumë herë në puse e bunare. Bunaret u shndërruan në varre. Në Drenicë, në Dukagjin, kudo në Kosovë. Thënë me gjuhën e poetikës moderne, bunari në këtë libër është një topos. Pas fjalës bunar, vijnë fjalët kovë, gurë, litar si derivat i së parës, që po ashtu zgjojnë asociacionin e krimeve makabre. Vjershat e këtij libri mbështeten mbi detaje konkrete, të prekshme e prekëse, të qëmtuara me gjeturi e invencion nga autori. Të tilla janë, fjala vjen, një kapëse flokësh, një orë muri, një kukull fëmije, një kamish duhani, një çantë shkolle, një makinë qepëse, një zarf i pahapur në xhepin e një xhakete (së këndejmi edhe titulli i librit, Ëndërr në zarf) dhe detaje të tjera, që përftojnë efekt emocional dhe semantik. Në vargjet e këtij libri, më shumë se teksti flet nënteksti. Dhembja shprehet me pak fjalë, për të mos thënë edhe me heshtje, siç ndodh rëndom në jetë dhe në art, në raste tragjedish të mëdha. Aktet makabre dhe emrat e viktimave flasin vetë.
Flasin për Makbethët modernë.
Drama e familjes Deliu nga Abria e Epërme jepet nëpërmjet emrave autentikë të anëtarëve të kësaj familjeje të ekzekutuar më 26 shtator 1998: kryefamiljari Imer Deliu numëron të vrarët, emrat e të cilëve qëndrojnë në krye të njësive që përbëjnë tablonë poetike: nëna Hamide, vëllai Ademi, djali Jetoni, gruaja Lumnije, vajza Mendehije, vajza tjetër, nipat, mbesat, emta, kushërinjtë etj. Në mesin e tyre është edhe vajza e vogël, Dituria dymuajshe, e cila i shpëtoi masakrës, duke thithur gjirin e përgjakur të nënës, por vdiq më vonë për mungesë kushtesh! Vdekja e Diturisë së vogël është jo vetëm tmerrësisht tragjike, por edhe një akuzë e rëndë për ne si shoqëri, që s’u kujdesëm që ajo të jetonte… (Dhe mos harroni se ne atëherë kishim parti politike, shoqata bamirëse, kishim një qeveri në ekzil, kishim edhe president e presidencë në Prishtinë dhe bënim “politikë të madhe”, ndërkohë që vajza e mitur, që i shpëtoi masakrës, vdiste për “mungesë kushtesh”!).
Pse lejuam ne të ndoshte kjo? Vdekja s’ndalet. Por Dituria e vogël vdiq “për mungesë kushtesh”: pse s’pati qumësht, pelena dhe një shtrat të ngrohtë! Do të duhej ta ruanim si sytë e ballit, duke e dërguar në një vend të sigurtë, te ndonjë familje jashtë Kosovës (për shembull në Strugë, në Strugën time), sepse ajo ishte simbol i triumfit të jetës mbi vdekjen.
Ka raste kur jeta ia kalon artit. I tillë është rasti i Dituri Deliut/ Deliajt (në këtë trajtë doli mbiemri te “Bujku” kur u dha lajmi për vdekjen e saj në nëntor 1998), e cila i shpëtoi masakrës në shtator dhe vdiq në nëntor. Drama e Diturisë së vogël meriton një libër më vete. Por krijimi i atij libri, në çfarëdo forme që të jetë (poezi, prozë etj.), nuk do të ishte punë aspak e lehtë. Më shumë se të thellohet te drama e një individi, Ismail Syla ka preferuar të sjellë një mozaik fatesh tronditëse, kryesisht nga treva e Drenicës, djepi i kryengritjes, nga vjen edhe vetë.
Për të parë atmosferën që zotëron në këtë libër, por edhe mënyrën se si dëshmon autori i këtij libri për luftën dhe pasojat e saj, mjafton t’u referohemi tri poezive nga cikli Të vetmuarit (Burri si heshtje e trashë, Gjyshi i heshtur dhe Binjaku i vetmuar), pa pretenduar se kemi zgjedhur më të mirat. Personazh i të parës është një burrë dikur llafazan, por që pas luftës i ngrijnë fjalët dhe heshtja e mbulon si një shtresë e trashë betoni; personazh i të dytës është një gjysh i vetmuar, që s’ka kujt t’i japë më këshilla, sepse nipin ia kanë vrarë, kurse i të tretës një fëmijë binjak, pa gjysmën e vet që ka përfunduar në varr.
Dikur qeshnin me zë të lartë.
Në rrugë. Në shkollë. Në dyqan.
Si të ishin një.
Por ai nuk qesh më.
Gjysma tjetër është në një varr pa emër.
(f. 111)
Për ta zbutur sadopak atmosferën e rëndë që sjell ky libër, ky manual poetik mbi krimin, më lejoni që fjalën time ta mbyll me një si anekdotë.
Po kthehem në vitin 1991, kur u bë promovimi i Librit të Lirisë, botim i “Zërit”. Promovimi u bë në Pallatin e Shtypit. E moderoi Valentina Saraqini, kurse unë isha i vetmi referues, sepse njerëzit frikësoheshin të merrnin pjesë në vëprimtari të tilla ku në çdo çast mund të ndërhynte policia serbe. Ismaili atëbotë punonte si mësimdhënës në Gjimnazin e Drenasit dhe u vonua në promovim. Kur mbërriti ai, ishte kryer pjesa “zyrtare” dhe kishte filluar pjesa tjetër, që i shoqëron zakonisht promovimet tona: kokteji. Kureshtar për të mësuar çka kisha thënë për të Ismaili m’u afrua dhe më pyeti: “Profesor, çka the për mua?”. Me një gotë në dorë te banaku i mezanisë, iu përgjigja. Thashë se je poet i talentuar. Tjetër? Se je poet i kulturuar, me kulturë letrare. Tjetër? Se punon me gjuhën dhe fjalën. Kur ma përsëriti sërish pyetjen, vendosa t’i jepja një përgjigje që e dija se do ta kënaqte: “E di ç’kam thënë për ty, Ismajl? Ismaili i vogël, që ecën gjurmëve të Ismailit të madh!”.
Të gjithë ne kemi mësuar nga shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, sikurse edhe nga shkrimtarë të tejrë shqiptarë dhe botërorë, por puna është që të jesh vetvetja me botën tënde të frymëzimeve, me mënyrën e të ndjerit dhe të shprehurit. Ismail Syla shkruan shumë, por dhe lexon shumë (besoj), studion, asimilon. Duke përfituar nga përvoja e të tjerëve ai ka arritur ta formojë individualitetin e vet si poet.
E kam përfshirë edhe në antologjinë Muza e Mëmëdheut (Njëqind poetë për Atdheun), botuar në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 2012, me poezinë “Lisi”, një poezi antologjike. Lisi në poezinë shqipe tradicionalisht është simbol i qëndresës, por Ismaili e trajton atë në mënyrën e vet, duke e funsionalizuar fjalën trung. (Rrufeja e parë ia shkoqi një degë/ Dhe kurora ndiente përcëllime bungu/ Dhe pyeste me ankthin e lashtë një rremb/ A mbeti i gjallë trungu, ore trungu).
Kam folur edhe për librin Libri i tiranive, botuar në vitin 2016. Shkrimin për këtë libër, me titull “Në çdo çast të ditës dhe në çdo cep të botës” e kam botuar në shtyp dhe e kam përfshirë në librin tim eseistik Dritë dhe mjegull (2019). Përse ky titull? Sepse, Ismail Syla, si rrallë ndonjë poet tjetër, është në gjendje të krijojë poezi në çdo kohë të ditës dhe në çdo vend të botës.
(Fjalë e mbajtur në promovimin e librit kohë më parë në Kolegjin AAB)
ObserverKult

Lexo edhe:






