
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar regjisorin Visar Morina dhe filmin e tij “Shame and money”, duke treguar se të dielën i ka ndarë çmimin e më të mirit në PriFest, ndërsa së fundi e ka pritur në Zyrën e Kryeministrit.
Kurti ka shkruar në Facebook se Morina, nga Çikatova e Vjetër e Drenasit, ku forcat serbe ia vranë disa familjarë në prill të vitit 1999, ka arritur në Berlin të Gjermanisë dhe është bërë një nga regjisorët më të mirë të Kosovës dhe të kombit shqiptar.
“Të dielën pata nderin t’ia ndaj çmimin e më të mirit në PriFest për filmin ‘Shame and money’, ndërsa të martën bashkë me Ministren e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, dhe Drejtoren e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, pritëm në Zyrën e Kryeministrit regjisorin Visar Morina”, ka shkruar Kurti.
Ai ka vlerësuar edhe përmbajtjen e filmit, duke e përshkruar atë si një dramë të fortë sociale.
“Dihatja e kamerës mbi qafën e djersitur të Shabanit, nuri vezullues i çehres së brengosur të Hatixhes, me familje njerëzish ashtu siç janë në botën familjare qysh ajo është, shpaloset një dramë e fortë sociale e cila nuk të shqitet më nga mendja pasi që s’ia shqet dot sytë për ato dy orë”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka bërë edhe një krahasim me regjisorët Ken Loach dhe Mike Leigh.
“Sikur Ken Loach dhe Mike Leigh të bëheshin bashkë për të xhiruar një film bashkëkohor të klasës së varfër punëtore shqiptare në Kosovë atëherë rezultati do të ishte filmi ‘Shame and money’ i Visar Morinës”, ka shkruar ai.
Kurti ka njoftuar se filmi do të shfaqet në Prishtinë nga 25 shtatori. “Patjetër shikojeni”, ka shkruar kryeministri.
ObserverKult
Lexo edhe:






