reklamë

Dy poezi nga Migel Flor: Prehje e paqetë

Ju ftojmë t’i lexoni dy poezi nga autorja, Migel Flor:

PREHJE E PAQETË

Në folenë prej flokësh të vdekur
zogu i gjumit çel vezë pa sy,
era kreh terrin e lodhur,
e zeza e natës fle brenda tij.

Si një gjarpër përrallash shtrirë
gëlltit mllefin e botës në terr
me krahët prej zjarri të ftohur,
e mbush qiellin pikellim dhe vrer.

KTHIM I VERBËR

Mbi shkëmbinj derdhen flokët e mi sonte,
në një ëndërr brigjeve të Jonit këtë natë
ku lashë fëmijërinë e gjithçka të brishtë,
ku u bëra shkëmb dhe hap i lehtë mbi asfalt.

Aty qava, aty qesha, aty rashë
e prap njëmijë herë u ringrita,
lotët fshija me shamitë e muzgjeve,
teksa buzëqeshjet
përgënjeshtronte dita.

Mes detit dhe asfaltit mbeta
derisa heshtur u ktheva një ditë.
Joni më pa e njohu përsëri
por unë, unë kisha humbur sytë.

ObserverKult


Lexo edhe:

Cikël poetik nga Robert Shvarc: O mike e shpirtit tim!