reklamë

Ismail Syla: Buqetë e vjeshtës poetike

Poezi nga Ismail Syla

Vdekja vertikale e gjethit

Është mbret vjeshtor
që heq dorë nga froni i blertë
pa kërkuar azil në mitrën e pranverës.

Të vdesësh vertikalisht –
ja i vetmi statut që njeriu nuk e shkroi kurrë.

Antropologjia e gjethes së fundit

Në damarët e saj
fle gramatika e një race të shuar,
që nuk e njohu gravitetin si ndëshkim.
Dega ia hap gjoksin, e nxjerr jashtë:
një dëbim sovran, flakje drejt tokës.

Toka, kjo arkivë e verbër,
ia pret trupin pa e ditur se po varros
të vetmin alfabet, që nuk gënjeu.

Herezia e rrënjës

Rrënja, heretikja që nuk ia var qiellit,
gërmon nëpër pleh dhe errësirë.
E di se sekreti i jetës nuk vjen nga lart,
por mbim nga kalbëzimi i thellë i shekujve.

Sa më e errët lufta nëntokësore,
aq më e patundur pema qëndron mbi tokë.

Ne, populli i sipërfaqes, u verbam nga drita,
ndërsa rrënja gjeti Perëndinë
në zgavrën e parë ku uji u takua me gurin.

Testamenti i lisit

Lisi nuk mori noter.
Testamentin e shkroi në lëvoren e plagosur
me alfabetin e rrufesë.
Tokës ia la perandorinë e rrënjëve.
Erës, skeletin e degëve.
Zogjve, katedralet e braktisura të foleve.
Kërpudhave ua la trupin
për një darkë mijëvjeçare.
Njeriut nuk i la asgjë.
As një gjethe.
As një grimcë hije…
Ai ia kishte prerë vëllezërit,
dhe shitur moshën në tregun e dërrasave.

Në fund shkroi një klauzolë:
“Mos më ringjallni në formën e një tavoline.
Mos ma varni si kornizë në dhomat tuaja të ngrohta.
Më lini të kalbem në dialektin e dheut.
Nuk dua pavdekësi nga duart
që shpikën sëpatën.”

Liturgjia e pemëve lakuriqe

Në katedralen e mjegullës
pemët hynë lakuriqe.
Nuk kishin kryqe.
As ikona.
As qirinj.
Degët e tyre ishin gishta
që ende e dinin drejtimin e qiellit.
Era nisi meshën.
Shiu shpërndau kungimin e ftohtë
mbi gojët e mbyllura të rrënjëve.

Një lis i vjetër
qëndronte pranë altarit
si peshkop i shkarkuar
nga teologjia e diellit.

Askush nuk kërkoi shpëtim.
Asnjë gjethe nuk u lut të kthehej në degë.

Atje ku njerëzit shpikën ringjalljen,
pemët kishin shpikur një besim më të rëndë:
të hysh në dhé
pa e quajtur humbje të qiellit.

Profeti i kalbjes

Mbi trungun e kalbur
u rrit një kërpudhë.
E bardhë. E heshtur. Pa fytyrë.
Një profet pa nevojën e Zbulesës.

Ajo nuk më foli për parajsën.
Nuk premtoi kthimin e trupit
në një formë të lavdishme.

Tregoi një doktrinë tjetër:
druri bëhet dhe,
dheu rrënjë,
rrënja trung,
trungu hije,
hija bëhet strehë
për një fëmijë që ende nuk ka lindur.

E pyeta: Po shpirti?
Kërpudha heshti.

Një pikë shiu rrëshqiti mbi trupin e saj
dhe humbi në tokë.
Atëherë kuptova:
disa përgjigje nuk shqiptohen.

Mbijnë.

Muzeu i erërave të vdekura

Në qytetin tim u hap një muze
për erërat që kishin vdekur.
Në sallën e parë ruhej fryma
e një shtatori të humbur.
Në të dytën, aroma e mollëve
që askush nuk i kishte mbledhur.
Në të tretën, fëshfërima e një pylli
që ishte kthyer në parket dyshemeje.

Unë kërkova erën e fëmijërisë.
Kuratori më tha:
Ajo nuk mund të ekspozohej.
Secili vizitor e kujtonte ndryshe:
dikush si bukë të ngrohtë,
tjetri si shi mbi dhé,
dikush si aromën e një gruaje
që nuk jetonte më…

Dola nga muzeu.

Në rrugë një erë e ftohtë ma preku ballin.
Për një çast u gjenda në oborrin e vjetër.

Isha fëmijë…
Nuk e dija ende se kujtesa
është muzeu i vetëm
ku çdo ekspozitë shkatërrohet
sa herë e viziton.

Gjeologjia e pikëllimit

Pikëllimi ka shtresa.
Në sipërfaqe rrinë gjethet e këtij tetori.
Nën to, vjeshtat e fëmijërisë.
Më poshtë, fytyrat e njerëzve
që kanë hyrë në dhé pa marrë me vete
emrat që u thërrisnim.
Edhe më thellë, një sediment i errët
ku koha nuk ka datë.

Aty gjenden dhimbjet e të parëve:
një gjyshe që ka qarë në heshtje,
një baba që nuk e ka njohur fytyrën e babait,
një fëmijë që ka lindur në mes të një lufte
dhe e ka ngatërruar zhurmën e topava me bubullimën.

Unë gërmoj në këtë gjeologji të brendshme.
Çdo shtresë më jep një emër.
Çdo emër më merr një pjesë të trupit.
Derisa arrij në një errësirë
që nuk i përket asnjë kujtimi tim.

Aty kuptoj:
njeriu nuk e shpik pikëllimin.
Ai e trashëgon minierën e tij.

Letra që nuk ia dërgova vjeshtës

(Vjeshta nuk është rënie nga mëkati,
është e vetmja dalje nga burgu i gjelbër.)

E dashur vjeshtë,
nuk po të shkruaj për arin e gjetheve.
As për mjegullën që ua fsheh maleve plagët e gurit.
As për shiun që u lan fytyrat të vdekurve të botanikës.

Të shkruaj se je stina e vetme
që nuk më premton asgjë.

Pranvera më mashtron me fjalorin e lindjes.
Vera më korrupton me luksin e dritës.
Dimri më kërcënon me burgun e bardhë.

Ti vetëm vjen.
M’i heq gjethet e iluzioneve.
M’i zhvesh degët e kujtesës.
Më lë përballë skeletit të kohës pa asnjë perde.
Prandaj të dua, jo se je e bukur…

… se nuk e fsheh thikën
me të cilën më mëson të jetoj.

Kizharekë, tetor 2026

ObserverKult


Lexo edhe:

Ismail Syla: Koha e fletëve