reklamë

Ismail Syla: Koha e fletëve

Ismail Syla

Koha e fletëve, 5

Nga Ismail Syla

Fleta 41

Pastrimi i tryezës pas një vakti bëhet më i bukur se vetë vakti

Të gjitha janë ngrënë. Nuk ka mbetur asgjë. Dhe prapë, ajo që mbetet është një kënaqësi e re – pastrimi, vendosja e qetë e pjatave, larja, fshirja, kthimi në boshllëk. Në këtë boshllëk nuk ka mungesë. Ka ritëm, falënderim, mbyllje të ngrohtë.

Pastërtia që krijohet nuk është thjesht higjienë. Është një shenjë që ndodhi diçka që vlen të mbahet mend, edhepse gjëra të thjeshta e të vogla brenda qetësisë së tyre.

Fleta 42

Kur të kujtohet një emër pas disa kohe dhe askush nuk është aty ta dëgjojë

E kishe në majë të gjuhës. E kërkove. E harrove. E hoqe dorë. Dhe më vonë, papritur, në një moment të pakuptimtë, ai emër rikthehet qartësisht, me zë të brendshëm, sikur kurrë të mos kishte ikur.

E, tani, askush nuk është aty ta dëgjojë. Ti e shqipton për vete, me një buzëqeshje të heshtur.Kjo nuk quhet fitore. Është pajtim.

Fleta 43

Dikush të flet dhe ti nuk je gati ta dëgjosh, por prapë e ndjen

Fjalët arrijnë, por jo në vesh. Vijnë si zë që s’ka hyrë ende në përqendrim, por që e rreh ajrin rreth teje. Dhe prapë, e kupton që të foli me zemër. Dëgjimi nuk fillon në vesh. Fillon në hapjen e brendshme ndaj një pranie tjetër.

Edhe kur s’je gati ta dëgjosh, ndonjëherë zemra ndalon për një çast. Mu aty fjalët gjejnë hapësirë.

Fleta 44

Kur gishtat ndalen mbi tastierë dhe fjalia nuk përfundon

Je duke shkruar, por papritur ndalesh. Jo sepse s’e di ç’të thuash, por ajo që doje të thuash ndryshoi formë. Në atë çast, tastiera është plot potencial, por dora është më e mençur se mendja.

Ajo e di që ndonjëherë, më mirë është të mos vazhdosh.

Ka fjali që janë më të bukura deri te mesi sesa para pike, në përfundim.

Fleta 45

Kur nuk të mungon askush, por ndihesh i plotë me mungesën

Janë çaste të rralla. Nuk ndien mungesë. As vetmi. As domosdoshmëri për të folur, shkruar, apo për t’u kujtuar.

Je vetëm, por jo bosh. Është një hapësirë që nuk dhemb, por frymon qetësisht me ty.

Në këtë prani të vetes, mungesa bëhet si një këmishë e lehtë, që nuk ngroh shumë, por që të mbron nga zbrazëtia.

Fleta 46

Kur ecën pa destinacion dhe papritur e ndjen që po mbërrin

S’e di ku po shkon. Por këmbët kanë marrë ritmin e tyre. Dhe në një kthesë, një rrugicë, një cep të panjohur, zemra të ngadalësohet pak.mSiku ndjen: Këtu doja të arrija, edhe pse nuk e kishe menduar më parë.

Ka mbërritje që nuk janë logjike. Janë njohje të papritura të trupit me hapësirën. Dhe në atë çast, çdo gjë është e drejtë, pa pasur nevojë për arsye.

Fleta 47

Send i harruar në xhep gjen përsëri dorën tënde

Monedhë e vogël, kartë, letër, kapëse flokësh, apo një gur që s’di pse e mbajte. Prekja e befasishme ta rikthen jo vetëm sendin, por edhe vetveten që e kishte vendosur aty. Ai (vetvetja) që ishe kur e fute në xhep, është ende me ty, i heshtur, i palosur.

Gjërat e vogla janë kujtesë. Jo për atë çfarë bëre, por për faktin si u ndjeve kur e bëre atë gjë.

Fleta 48

Kur fryma e thellë nuk është e nevojshme, por ndodh vetë

Nuk ishe i lodhur. Nuk kishe ankth. Por papritur, merr një frymë më të thellë se zakonisht. Ajo vjen si shenjë që trupi donte të ndalej për një moment, pa arsye. Vetëm për të qenë.

Jo çdo frymëmarrje është biologji. Disa janë fjalë të papërdorura, lutje që nuk dinë si të thuhen, prekje që duan të ndodhin brenda lëkurës sate.

Fleta 49

Kur je duke fjetur dhe ndjen trupin tënd që e lëshon veten

Ai moment i artë mes zgjimit dhe gjumit. Ku s’ti ndan dot mendimet nga fryma, e frymën nga graviteti. Trupi nuk të kërkon më të jesh aktiv, por as nuk të braktis. Vetëm të vendos në tokë, si një gjethe që e ka lënë pema, por nuk e ka humbur lidhjen me të.

Ky nuk është gjumë. Është dorëzim pa frikë. Një formë e rrallë paqeje.

Fleta 50

Kur gjithçka hesht, dhe ti kupton se edhe kjo është pjesë e ditës

Nuk ka tinguj. As zhurma, as mendime që nxitohen, as trupa që kërkojnë shumë. Vetëm një pushim i plotë, pa shpjegim. Një dritë që vjen nga dritarja pa lajmëruar. Një frymë që nuk do asgjë.

Kjo s’është as fund, as fillim. Është hapësira që mungonte mes dy gjërave që mendove se ishin të rëndësishme.

Por kjo, kjo është vetë jeta që më në fund nuk flet, por është si e tillë.

ObserverKult


Lexo edhe:

Ismail Syla: Koha e fletëve