reklamë

Arkivat e Shqipërisë dhe të Kosovës çelin ekspozitë kushtuar Luigj Gurakuqit

Në Prishtinë, dje, u çel ekspozita “Luigj Gurakuqi në dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror”, e organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Ekspozita paraqet një mundësi të veçantë për të njohur nga afër jetën dhe kontributin e Luigj Gurakuqit në historinë kombëtare shqiptare.

Drejtoresha e Institutit të Historisë, Teuta Shala, tha se, dokumentet arkivore dëshmojnë angazhimin e Luigj Gurakuqit në fushën e arsimit, gjuhës shqipe dhe çështjes kombëtare.

I pranishëm në inaugurimin e ekspozitës ishte dhe drejtori i përgjithshëm i DPA-së, Auron Rrokaj.

“Nesër konferenca do ilustrojë aspekte të jetës së Luigj Gurakuqit nga studiuesit që do të marrin pjesë. Qëllimi i ekspozitës dhe i konferencës nesër nuk është thjesht të dëgjojnë kumtesat që studiuesit përgatisin, është t’u çojmë qytetarëve të Kosovës e të Shqipërisë veprën e këtij patriotit të madh”, deklaroi Rrokaj.

Kreu i DPA-së tha se institucionet arkivore kanë për mision ruajtjen e dokumenteve, por edhe vënien e tyre në dispozicion të qytetarëve, studiuesve dhe studentëve. Përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucionet në Kosovë, synohet lehtësimi i qasjes në dokumentet arkivore dhe njohja më e mirë e historisë përmes fakteve dhe dëshmive dokumentare.

Zëvendësdrejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Mehmet Xhemajli tha se Gurakuqi ishte një nga personalitetet e shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, duke veçuar kontributin e tij në zhvillimin e arsimit shqip, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe konsolidimin e shtetit shqiptar./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

Umberto Eco: Çfarë domethënë të jesh intelektual?