reklamë

Arben Iliazi: Poezia e Donika Dabishevcit, similitudë e fuqishme dhe tronditëse


***

U zgju hala pa u zbardhë mirë,
nisi me t’shpejt tana rangt’ e shpisë me i krye,
me la, me gatu, me vizllu gjithkah,
mrena e jashtë,
me i rahatu fmitë, me i ba gati për shkollë,
tuj nga shpejt, pa frymë, poshtë e naltë,
𝑡’𝑖 𝑘𝑖𝑠ℎ𝑎 𝑒𝑑ℎ𝑒 𝑛𝑗𝑎 𝑡𝑒𝑡𝑒̈𝑑𝑢𝑒𝑟, tha
𝑠𝑒 𝑠’𝑘𝑟𝑦ℎ𝑒𝑛 𝑘𝑡𝑜 𝑝𝑢𝑛𝑒̈𝑡’𝑠ℎ𝑘𝑟𝑒𝑡𝑎, 𝑠’𝑘𝑟𝑦ℎ𝑒𝑛 𝑘𝑢𝑟𝑟𝑒̈ 𝑚𝑒 𝑣𝑎𝑘𝑡!

…nanë ku je, nanë ku i kam çorapat,
nanë ku asht’ kjo, nanë ku m’ka hupë ajo,
nanë, nanë, nanë…
nanë anej, nanë knej, nanë ktu, nanë aty, nanë, nanë, nanë…

kur ju terruen sytë… tuj u shalakatë,
menxi e gjeti nji copë vendi me e ungjë trupin, veç pak me pushue,
e… pa ditë gja….veç kur i mshoj nji sakicë n’kry…

𝑃𝑠𝑒 𝑏𝑟𝑒 𝑏𝑢𝑟𝑟𝑒̈, tha… 𝑐̧𝑘𝑎 𝑏𝑎𝑛𝑎… 𝑘𝑎𝑓𝑗𝑎 𝑘𝑒 𝑔𝑎𝑡𝑖…
dhe e lëshoi nji psherëtimë…e vdiq…

Dielli lshoi rrezet fort e nisi me e shndritë
edhe nji vorr t’ri grueje n’këtë vend.

(Donika Dabishevci: Edhe nji vorr i ri grueje n’këtë vend)

Veprimtaria mendore e shoqërisë shqiptare brenda mureve të shtëpisë shpesh herë përpunohet në një zonë eklektizmi individual, e sunduar nga një keqkuptim i madh. Ndërsa shoqëria është moderne dhe postmoderne, ambjenti familjar, në mënyrë ciklike e sporadike, shfaqet në formën e një entiteti subpatriarkal, me dinamika mjaft të dhunshme e kriminale, duke krijuar një “nën-sistem” varësie që ruan me përdhunë kufijtë midis pjesës së pagdhendur dhe pjesës së ndriçuar të gjinisë njerëzore.

Kjo poezi antropologjike me subjekt, e Donika Dabishevcit, ka të gjitha mjetet shprehëse të një tragjedie bashkëkohëse dhe rivendikon krejt prestigjin e aktit të krijimit artistik, letrar, intelektual ose shpirtëror, pasi është vënë në përdorim një formë e caktuar poetike dhe estetike. Në këto vargje nuk ka as fiksion, as steriotip, as shpikje e sajesa, as zgjedhje kulturore apo rebelim epistemologjik, por solidaritet njerëzor dhe një laryshi të pafundme ndjesish, që shërbejnë si instrumente të emancipimit, për një rrugëtimin kanonik të shoqërisë në strehën e ngrohtë të identitetit kulturor autentik.

A ekziston një kulturë ku ushtrohet gjymtimi dhe privimi i femrës, cënohet liria, gëzimi i jetës dhe dinjiteti i saj njerëzor, duke u bërë dorëzanë i atyre traditave barbare që Zoti nuk është në gjendje t’i përligjë? Në një shoqëri të pa çliruar nga autoriteti transhedent, të sajuar nga mendja njerëzore dhe jo të diktuar nga sjelljet, ligjet dhe morali, robi i fshikulluar nga knuti ka humbur çdo legjitimitet në mizërinë e ndjeshmërive kulturore.

Poezia e Dabishevcit, similitudë e fuqishme dhe tronditëse në realitetet empirike të përmbysura, bymehet deri në përmasat e amshimit, duke marrë kuptime të reja e të pafundme, për t’i kthyer femrës krenarinë e qënies së vet të papërsëritshme.
Poezinë mund ta shohim edhe si një përvojë epifanike-një çast ndriçimi, ku e përditshmja prek dhe shkrihet me hyjnoren. Një kredo e tillë rreket ta ruajë shoqërinë tonë nga çdo përdhosje e drejtpërdrejtë apo eliptike, që barabaria të mos i prijë qytetërimit.

ObserverKult