reklamë

Bardhyl Zaimi: Ka aq shumë komunikim e aq pak kuptim…

bardhyl zaimi

Nga Bardhyl Zaimi

Kam përshtypjen se IA-ja, mes tjerash, e ka rrënuar murin e një “vërtetësie”, që më parë mbahej në këmbë përmes një lloj privilegji që ofronte legjitimiteti i dijes së verifikuar, referenciale. Tash po notojmë në detin e relativitetit të gjithçkaje. Gjithçka mund të jetë e vërtetë dhe njëkohësisht e pavërtetë. Entuziazmi dhe pasiguritë janë kudo.

Por, edhe një lloj kompleksi për gjërat që tashmë janë thënë dhe vazhdojnë të thuhen pambarimisht, një rrokullisje sizifiane e banalitetit. Origjinaliteti me kohë është dëbuar. Hiperteksti gjenerohet pambarimisht si ” vërtetësi”. Nuk dihet tashmë ku fillon dhe ku mbaron autenticiteti.

Është si një ligjërim i dekompozuar që mbledh fragmente ” vërtetësish”. Themelet e një bote që ne e njihnim tashmë janë tronditur. Ka aq shumë komunikim e aq pak kuptim. Mbase ndodhemi në një botë post-kuptim. Në një botë, në të cilën gjithçka rrafshohet në një përdorim entuziast uniformireti të pakuptueshëm.

Sidoqoftë, diçka do të mbijetojë në autenticitetin e vet. Dhe ashtu siç as kemi mundur ta ëndërrojmë. Do të mbijetojë letërsia, e cila për dallim nga këto shfaqje entuziaste, përunjësisht i drejtohet shpirtit njerëzor, në ato hove pasionesh e deliresh thellësisht ontologjike dhe në ato “vogëlsira” madhështore të jetës njerëzore, që përgjohen në bukurinë e ekzistencës së vet, pa merakun për t’i hekurosur me asnjë tis gjuhe kibernetike.

ObserverKult


Lexo edhe:

Bardhyl Zaimi: Lëshoje veten të marr frymë…