reklamë

Bardhyl Londo, përkthyesi i parë i Yehuda Amichait

Nga Lazër Stani

Për herë të parë jam njohur me poezinë e Yehuda Amichait kur miku im, poeti Bardhyl Londo, po përkthente një përmbledhje të shkurtër të poezive të tij në vitet nëntëdhjetë. Për shumë vite libri me poezi të Amichait, i përkthyer nga Bardhi mbeti një nga librat e mi më të dashur, një libër që e mbaja gjithmonë me vete. Poezitë e mrekullueshme të Amichait vinin në shqip me një gjuhë poetike të papërsëritshme, sepse vetëm një poet si Bardhyl Londo, mund të realizonte një magji të tillë në përkthim.

E megjithatë, ai libër vetëm sa ta shtonte etjen për t’u njohur më tej më krijimtarinë e këtij poeti, që për mua mbetët një nga poetet më të mëdhenj të shekullit të njëzetë, i papërsëritshëm në vetvete.

Vite më vonë u shndërrua në ngjarje mbërritja në shtëpinë tonë e një libri më poezi në anglisht “Selected poetry of Yehuda Amichai” të përkthyer nga Chana Bloch dhe Stephen Mitchell. Brenda pak vitesh, ai libër u bë fletë fletë, sa mezi i bashkonim.

Me Bardhin diskutonim shpesh për poezitë e Amihait, sidomos kur unë përktheja ndonjë poezi të tij. Njëherë pasi kisha sjellë në Facebook, poezinë “Kujtime të pamëshirshme”, Bardhi shkroi një koment, ku shprehej:

“Ti e ke perkthyer shumë bukur. Por një pjesë të konsiderueshme të poezive ai i ka shkruar direkt anglisht. Në Amerikë është ndër poetët e huaj më të vlerësuar. Librat e tij para se të botoheshin në Izrael, më parë dilnin në ShBA.”

Të nesërmen në kafe, biseduam gjatë për poezinë e Amihait. Me tha se përveç poezive që kishte botuar në libër kishte edhe përkthime të tjera të Amichait në shtëpi.

Pse nuk boton një libër tjetër me poezitë e Amichait, i thashë, ndoshta duke përfshirë të gjitha poezitë që Chana Bloch dhe Stepphen Mitchell kanë përfshirë në botimin e tyre në Amerikë?

Do ta bëj në të ardhmen, më premtoi.

Por e ardhmja është si një greminë, ku mbyten premtimet tona. Bardhi nuk mundi ta mbante premtimin e tij.

Tani sa herë lexoj Amichain, ose përkthej ndonjë poezi të tij, më duket se shoh Bardhin të ulur në kafe përballë meje, të përhumbur në mendime. Edhe pse nuk do te më qortonte për përkthimin e di se askush nga ne nuk do ta përkthejë kurrë Amichain, siç do ta përkthente ai.

Yehuda Amichai: Kujtime të pamëshirshme

Këto ditë mendoj për erën në flokët e tu
dhe për vitet në këtë botë që paraprinë ardhjen tënde
dhe për përjetësinë ku para teje do të shkoj;

dhe mendoj për plumbat që nuk më vranë në betejë
por vranë miqtë e mi –
me të mirë se unë ata ishin, sepse
ata nuk jetojnë më;
dhe mendoj për ty që rri zhveshur në furrnajën e verës,
përkulur mbi një libër që të lexosh më mirë
në dritën e ditës që po shuhet.

Po, kem’ jetuar më shumë se një jetë,
Dhe tani duhet ta peshojmë çdo gjë në peshoren e ëndrrave
dhe t’paqtojmë
kujtimet e pamëshirshme
me atë çka njëherë qe e sotme.

Përktheu: Lazër Stani

ObserverKult


Lexo edhe:

Bardhyl Londo: Edhe dashuritë vdesin, e shtrenjta ime!