
Artisti shqiptar me karrierë ndërkombëtare, Anri Sala, vjen me një reflektim të gjatë në gjuhën shqipe përmes librit “Zëri i tretë”, në bashkëbisedim me Alda Bardhylin.
I nisur nga reflektimi mbi artin dhe përvoja e izolimit gjatë pandemisë, bashkëbisedimi trajton marrëdhënien mes individit dhe historisë, rëndësinë e komunikimit dhe nevojën për një hapësirë publike ku idetë të diskutohen në mënyrë kritike.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe historisë shqiptare dhe marrëdhënies mes artit, mendimit dhe pushtetit gjatë regjimit komunist, kur krijimtaria dhe shprehja e lirë u kufizuan nga kërkesat ideologjike. Në këtë kontekst, dialogu i lirë dhe mendimi kritik shihen si pjesë e rëndësishme e lirisë për të vënë në diskutim bindjet dhe të vërtetat e trashëguara.
Libri ndalet gjithashtu te roli i intelektualit në shoqërinë e sotme, ku shpejtësia e informacionit dhe reagimet e menjëhershme shpesh lënë pak hapësirë për analizë të thelluar. Përmes këtij bashkëbisedimi, shtrohet çështja e përgjegjësisë së mendimit të pavarur dhe e nevojës për pyetje që ndihmojnë në kuptimin e kompleksitetit të shoqërisë.
ObserverKult






