
O zot,
Ti që dëgjove pikëllimin e zërit tim
Psalmin e vdekjes e këndova duke qeshur
“E nuk eca sipas këshillave të pabesëve
As nuk u ula në sofër me tallësit e jetës”.
Me sytë e mi ndeza të gjithë qirinjtë
Kaherë të fikur ndër ne.
Britmën time ndëgjoje Perendi
Ligji i njeriut nuk është sikurse ligji yt
Vdekjen e regjistrova vetë
Me dorën time
Në protokolin zyrtar të shtetit.
Ua theva brinjët një nga një
Si enë hipokrizie prej qelqi
Copë e grimë ua bëra.
Vetëm me një laps e një copë letër
dhe me dorën hyjnore
Zemrën e gjakosa në vulë katrore
Të Protokolit
Aty më zunë pusinë
E më vranë
Kalorësit feudalë të Apokalipsës
Jashtë gjëmon tmerri
Unë nuk jam aty
Por jam pjesë e tij.
Na u desht kohë të kuptojmë
Se këtu të gjitha sëmundjet janë ngjitëse
Këtu është vendi
ku dashuria dergjet si verdhëz
E vret si mortajë.
Oh, motër, nënë, grua
Urrejtja shtrihet mbi ne
Nën ne
Dhe gjithandej.
E dje, në mesvjeshtë
Ra një breshër i rëndë, i lagshtë
Qajnë bimët e dëmtuara.
Para meje një penë dhe një letër
Nga dritarja e vetmisë sime
Vështroj parakalimin mizor
Të merakosur, të mërzitur
e të hareshëm.
Për ku shkojnë?
O zot, që i din të gjitha
Vdekjen e pranova si dhuratë
Të dielën në mbrëmje dikush duhej të vdiste
Shpirti im ishte i gatshëm
Përveç penës dhe letrës para meje.
ObserverKult






