
Microsoft ka bashkëpunuar me Vatikanin për të rikthyer në përdorim shkrimin e dorës së artistit të njohur italian Mikelanxhelo Buonarroti, përmes krijimit të një fonti të ri digjital të quajtur “Michelangelus”.
Sipas gazetës greke Kathimerini, projekti synon të ndërthurë trashëgiminë artistike të Rilindjes me teknologjinë bashkëkohore, duke e kthyer kaligrafinë e Mikelanxhelos në një format që mund të përdoret në komunikimin e përditshëm.
Fontin e krijuan Mimo Berterame dhe Stefano Caliandro, drejtues të studios italiane të dizajnit Studiogusto, në bashkëpunim me institucionin e Vatikanit që administron dhe mirëmban Bazilikën e Shën Pjetrit, Fabbrica di San Pietro.
Për realizimin e tij, specialistët studiuan letra, shënime dhe dokumente origjinale të Mikelanxhelos, të ruajtura në arkivat e Vatikanit dhe në muzeun Casa Buonarroti në Firence.
Një nga burimet kryesore të frymëzimit ishte mbishkrimi në skulpturën e famshme Pietà, e vetmja vepër që Mikelanxhelo e nënshkroi. Artistët analizuan format e shkronjave, hapësirat ndërmjet fjalëve dhe karakteristikat e kaligrafisë së tij për të krijuar një font sa më besnik ndaj stilit origjinal.
Procesi paraqiti edhe vështirësi, pasi dokumentet e ruajtura nuk përmbanin mjaftueshëm shembuj të shkronjave të mëdha dhe numrave. Për këtë arsye, krijuesit përdorën si referencë edhe mbishkrime të tjera historike, duke ruajtur tiparet dalluese të shkrimit të artistit.
Ideja e projektit mori miratimin e Papa Françeskut, ndërsa Microsoft ndihmoi që fonti të bëhej i disponueshëm për publikun e gjerë.
“Michelangelus” është tashmë fonti zyrtar i Bazilikës së Shën Pjetrit dhe po përdoret në komunikimet e saj të brendshme dhe të jashtme. Autoritetet e Vatikanit synojnë ta përfshijnë gradualisht edhe në broshura, botime dhe sinjalistikën e bazilikës.
Projekti vjen në prag të 400-vjetorit të shenjtërimit të Bazilikës së Shën Pjetrit, më 18 nëntor 2026. Përmes kësaj nisme, Vatikani synon ta bëjë trashëgiminë kulturore të Mikelanxhelos më të aksesueshme për publikun, ndërsa përdoruesit mund ta shkarkojnë falas fontin nga faqja e Microsoft./pamfleti
ObserverKult
Lexo edhe:
Në Zagreb promovohet libri për jetën dhe veprën e Nënë Terezës






