
Filmi “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, ka fituar çmimin “Golden Alexander – Michel Demopoulos” për filmin më të mirë në konkurrencën “Meet the Neighbors+”, në edicionin e 67-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik.
Juria e ka vlerësuar veprën për vërtetësinë emocionale dhe këndvështrimin personal mbi një periudhë përcaktuese të historisë së Kosovës.
Në qendër të filmit është Dua, një vajzë 13-vjeçare që përpiqet të gjejë vendin e saj në Prishtinën e fundit të viteve ’90. Ndërsa përballet me ndryshimet e adoleshencës dhe kërkon të kuptojë veten, afrimi i luftës e bën gjithnjë e më të pasigurt botën përreth saj.
Në arsyetimin e çmimit, juria ka veçuar zgjedhjen e Bashollit për ta mbajtur kamerën pranë protagonistes. Fytyra e Duas bëhet kështu pasqyra e ndryshimeve, pasigurive dhe përjetimeve të saj, duke e lidhur rrëfimin me këndvështrimin e vajzës.
Sipas jurisë, ndershmëria, ndjeshmëria njerëzore dhe përmbajtja në rrëfim i japin filmit forcën e tij të veçantë.
Çmimi në Selanik shënon një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për “DUA”, një rrëfim intim mbi kalimin nga fëmijëria në adoleshencë, në Kosovën e pragluftës.

ObserverKult
Lexo edhe:
Vazhdon restaurimi i shtëpisë së Beqir Haxhibeqirit në Gjakovë






