Nga Ben Andoni
Pas mbylljes së pesë vëllimeve të “Historisë së shqiptarëve gjatë shekullit XX (1945–1999)”, projekti impenjativ studimor i Institutit të Historisë në ASA tashmë është i ravijëzuar plotësisht për publikun.
Instituti i Historisë, i drejtuar nga z.Afrim Krasniqi ka realizuar një punë tejet sfiduese në aspektin sasior dhe cilësor, lidhur me këtë botim tejet të nevojshëm.
Është për t’u vlerësuar se koagulimi i një materiali të gjerë prej mbi 1 milion dokumente historike me vlerë të vjela nga Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Italisë, nga Arkivat Kombëtare të SHBA, nga Arkivat Kombëtare të Britanisë së Madhe, nga Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Francës, nga Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë është në thelb të hartimit të këtij seti historik për shekullin XX.
Por, këtyre sipas organizatorëve u shtohen edhe hulumtimet dhe zbulimet e dhjetëra mijëra dokumente të tjera nga arkivat serbe, bullgare, ruse, malazeze, jugosllave, maqedone etj., të cilat gjithashtu janë reflektuar në studim.
Në konceptimin e tyre, grupi i autorëve, mbi 40 syresh, u është dashur të tregojnë dhe pasqyrojnë jo vetëm historinë politike, por edhe realitetet përmes dokumentacioneve të fushave të ndryshme të zhvillimit të vendit: ekonomi, arsim, letërsi, shëndetësi, institucionet e ndryshme dhe ato të besimit fetar.
Jo se nuk është bërë në raste të ngjashme në vende të tjera, por sjellja e historisë deri në ditët tona, duket se ka qenë një nga sfidat më të mëdha që ka përballur ekipi i historianëve.
Kjo është edhe një nga pyetjet më të mëdha: A mund të sillet kaq afër në kohë, një histori?! Ndoshta, përpara përshkrimeve të publicistikës, do duhej mbase të kishim edhe përballjet e një recence shumë rigoroze, që duhej të ishte me emra shumë më të pa përfshirë në këtë vepër.
Grupi i autorëve gjithsesi ka punuar me një redaksi, që drejtohej nga akademiku Beqir Meta dhe ka menduar këtë lloj përballje.
Puna që është bërë nga ekipi dhe, që duket se ka marrë më shumë se një dekadë do duhej të përfshinte dhe një recensë shumë më teknike.
Për hir të së vërtetës, ajo, i ka emrat e veta dhe në tërësinë e vet, kjo “Histori e Shqiptarëve e shekullit të XX” përfshin edhe historinë e shqiptarëve jashtë kufijve politikë të shtetit shqiptar, një nga risitë e këtij seti.
Ekipi i nderuar që është marrë me të pestë vëllimet mëton se ka sjellë elementë të rinj, si në planin e informacioneve dhe argumenteve shkencore, ashtu edhe në analizat e kujdesshme dhe tezat historiografike.
Ndoshta do të duhet të shikohet nëse tezat dhe metodologjia do t’i rezistojnë kohëve të reja, një element që të shkon ndërmend kur kujton atë punë të madhe dhe debati shkencor brenda dhe jashtë vendit për studimet tona dhe ku kanë qenë të përfshirë jo pak studiues të Evropës Juglindore.
Kjo mbase ka qenë dhe një nga sfidat në mendjet e grupit të autorëve, që të bëjnë një punë të mirë dhe të merret kjo përvojë por edhe të largojë kujtimin e një historiografie të politizuar në shkallë të lartë deri në qelizë, sidomos para viteve ‘90.
Është për t’u vlerësuar sepse në këto pesë vëllime gjithsesi autorët kanë kaluar deri diku edhe problematikat e mungesës së traditave të historiografike të themi para kohës së komunistëve në pushtet.
Autorët kanë punuar shumë që të realizonin synimin kryesor metodologjik, sipas tyre, që të bënin një rikonceptim të ri dhe të jepnin sa më shumë detaje të historisë, duke shmangur ndikimet politike e ideologjike dhe pasojat e tyre.
Në një farë mënyre ka qenë përballja e këtij brezi autorësh për të lënë një dëshmi se deri ku ka shkuar studimi i ngjarjeve të ndryshme historike në shekullin XX.
Me kalimin e kohës do të shpërfaqet nëse janë mbuluar si duhet periudha të caktuara, por do t’i mbetet problematikave të ndryshme, që do lindin dhe, përballjeve të tyre për të parë se deri ku është arritur me sintezat.
Interesant në botimin e radhës është edhe fakti se në këtë studim është munduar të jepeshin edhe pikëpamjet alternative edhe ato kundërthënëse për problemet e ndryshme dhe nga ana tjetër janë paraqitur dhe argumente të ndryshme shkencore me një sistem referencash të kujdesshme.
Ka disa teza, që ndoshta do mundin të hapin narrativa të rëndësishme për të ashtuquajturin “Protonacionalizmin shqiptar”, që sipas autorëve shtyhet deri në shekullin XVIII, kurse lindja e Nacionalizmit shqiptar shkon në çerekshekullin e parë të shekullit XIX dhe ndërkohë i jepet një vend i paparagjykuar shqyrtimit të elitës osmane.
Për grupin e autorëve mendohet si risi konceptuale përshkrimi dhe pasqyrimi i betejës për mbrojtjen e Shkodrës, pushtimi i Janinës nga forcat greke, etj. Po ashtu ka një vështrim më të thelluar të Konferencës së Londrës dhe politikës së Fuqive të Mëdha për çështjen shqiptare, po ashtu roli i Austro-Hungarisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe dhe kontributi i tyre për lindjen e shtetit shqiptar.
Autorët kanë treguar me punën e tyre se edhe vëllimi i II është sërish një risi, sepse është parë krejt thellë të pesë viteve të para të pas Kongresit të Lushnjës, krahasuar me botimet e tjera, ku tashmë kanë shërbyer për një narrativë të re burimet britanike, shtuar këtu dhe burimet vendase.
Kriteri metodologjik i ka ofruar tashmë personazhet jo të ideologjizuara dhe të paragjykuar (për atë që një pjesë do bënte pas kësaj periudhe), por në pozicionin e tyre me interesat kombëtare, me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë dhe nevojat e shtet-ndërtimit dhe të konsolidimit të tij, ndaj supozohet se do kenë qasje për publikun edhe pse është një kohë interesante, ku shquhet Zogu me Nolin.
Kujdes i është kushtuar edhe sistemit të kohës dhe institucionet politike të kohës, që asokohe po reformoheshin. Këtu parashtrohet edhe pozicioni ekonomik dhe politik i qeverive shqiptare ndaj interesave britanike dhe atyre italiane.
Në vëllimin e tretë, peshën kryesor e zë qeverisja e Zogut dhe të gjitha karakteristikat e drejtimit dhe mbretërimit të tij, ku falë një analize të formave të regjimit të tij dhe vetë pozicionit të tij, reformat e tij, natyra e tyre dhe impakti në shoqërinë shqiptare, trajtohen në unision. Shteti i centralizuar, autoritarizmi i tij, por ndërkohë i tregohen edhe sukseset për një administratë moderne dhe përpjekjet për reformimin shoqëror, reformat tatimore dhe angazhimi për një rrugë kapitaliste, përballjet dhe dështimet jo të pakta.
Duket se vëllimi i Tretë e ka kthyer shkëlqimin e Zogu dhe më shumë ka marrë jetë reformimi i tij, ku përmenden reforma e mënyrës së jetesës, kulturës, veçanërisht në format e modernitetit shtetëror e shoqëror, përmes zbatimit të Kodit Civil, Penal, Tregtar etj.
Nga ana tjetër, trajtohet edhe impakti i tyre në shoqërinë shqiptare. Është bërë përpjekje që t’i jepet kah edhe filtrimit të Mendimit Shqiptar në vitet ‘20-‘30, ku është tejkaluar plotësisht trajtimi ideologjik e klasor i mëparshëm, është parashtruar ndikimi dhe rrënjët e mendimit shqiptar, por kuptohet ka pak paqartësi sepse edhe sesi Zogu dhe struktura të tjera ishin jo pak bllokues ndaj këtij mendimi.
Në këtë vazhdë shkon edhe vëllimi i IV, ku përpjekja është për të ridimensionuar pozicionin e Zogut dhe narrativën për Lëvizjen Komuniste. Është shkuar drejt argumentimit të ekzistencës dhe zhvillimit të luftës civile, si dhe pasojat e saj.
Kjo ndoshta do jetë një nga përballjet e të ardhmes së këtij grupi me historinë të tjera dhe debati duket se do të mbetet sërish i hapur. Kurse vëllimi V vjen deri në kohët kur shumë nga personazhet historike janë ende të gjallë, ku pasqyrohet regjimi, por edhe rezistenca ndaj tij. Kuptohet që këtij vëllimi, do t’i bëhet recenca më e madhe.
Nuk duhet harruar se vëllimi V është bajagi i madh, sepse tregon një periudhë të mbarsur me dokumente por edhe me shumë zhvillime shumëplanëshe, ku regjimi komunist mundohet të tregohet me optikën e autorëve dhe për pasojat që i la shoqërisë sonë.
Në ditët në vazhdim do kemi shqyrtime dhe mendime, por mbyllja e një pune, duhet përshëndetur dhe mbi të gjitha duhet respektuar.
ObserverKult
Lexo edhe:
ROZAFA SHPUZA: ROMANCË NË HOTELIN ME TRE YJE
Nga Rozafa Shpuza
Silueta e bujtësit t’nji nate ma parë
asht aty,
anipse pastruesja ka shprazë pa dhimë
spruce detergjentesh antikujtesë…
Krejt si n’ritualet pagane
ripërtërij prajshëm hapat ikacakë
e gjithçka nis spari
n’at odë hotelit me nji numër t’përsëritun tri herë
si kodi i drynit fatal
vjerrë n’parmakun e urës pa lum.
Sfilitë nga hamendje t’pagjumësh,
pasqyra ma dridhulatë portretin
njajtë me mirazhet e gushtit
destinue me u zhba saora,
teksa ndjesia e tebeshirtë e çarçafëve
m’rrokë me pasionin e udhëtarit anonim
që mirëfilli pret në ndonji stacion periferie
pa e ditë
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ARTAN GJYZEL HASANI: UNË DASHUROVA ME ZEMËR, ZEMRA IME
Poezi nga Artan Gjyzel Hasani
vërtet…sa gjëra të çmendura bëmë
e sa të tjera na mbetën pa bërë…
shumë fjalë të ëmbla pëshpëritëm
e sa të tjera muzgjeve nuk i thamë…
sa prekje magjishëm ëndërruam
e sa mbeten për një tjetër herë…
sa puthje mërmëritëse morëm
e sa të tjera kurrë nuk i dhamë…
dhe ja ku jemi sonte në Darkën e Fundit
në dukje gjakftohtë e të qetë
lotët fshehur në grykë
ti nga kryqe dhimbjesh zbritur
dhe unë, siç thua, Juda yt…
te vargu im pa semafor
ku heshtjet e të tjerëve
dikur aksidentoheshin lehte…
qëndrojmë sonte
gjykojmë
kerkojmë
mes kupës dhe lëngut cili paska vlerë…
unë dashurova me zemër, zemra ime,
me mendje ti…e mençura ime ti…
por mendje dhe zemer rrallë bëhen bashkë…
logjika pranë pasionit dot kurrë nuk rri…
kërkova të bëheshe pavendosmërisht
e imja
dhe piramidën e shpirtit t’më drithëroje…
ta rrëzoje përdhe gur pas guri…
dhe nga e para ta rindërtoje…
por të kishe kujdes mumjet që flinin aty
dhe zërat që vinin nga shkretëtirat
ishin të dashurive që më sollën te ty…
ishin…janë…
vendosmërisht të miat…
të më dashuroje siç isha…
mëkatar zjarresh rreshkur
s’munde, e mira ime, s’munde…
fytyra e djallit gjithnjë është më e shëmtuar
se maskat që mbajmë veshur …
por kësaj Darke të Fundit
le të heshtim së bashku
le të harrojmë…
të harrojmë premtimet e dhëna
nëse nesër diçka
përsëri do na bashkojë
do jenë fjalët e pathëna…
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ARTAN GJYZEL HASANI: PO PLAKEM DHE PRES TË BËHEM FËMIJË
po plakem dhe pres të bëhem fëmijë
të më gënjejnë lehtësisht me gjëra të vogla
të luaj me heshtjen duke pritur të kthehen
vizatime të vjetra me veten për dore
ku oxhaku i shtëpisë nuk nxjerr më tym
kam harruar si vizatohet dielli
lumi që kalon pranë është i tharë
dhe dera që atëbotë ishte e mbyllur
tashmë e hapur plagë…
por qiparisat e mi janë të kuq
dhe lëndinat të bardha
i ngazëllyer ngatërroj njerëzit e sotëm
me vendet e dikurshme
dhe ngjyrën e dritës me të tunelit…
e zhgaravis bukur jetën që ka mbetur
dhe gëzoj si fëmija kur thyen lapsin
dhe gris vizatimet e tij…
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult