Artan Gjyzel Hasani: Unë dashurova me zemër, zemra ime


vërtet…sa gjëra të çmendura bëmë
e sa të tjera na mbetën pa bërë…
shumë fjalë të ëmbla pëshpëritëm
e sa të tjera muzgjeve nuk i thamë…
sa prekje magjishëm ëndërruam
e sa mbeten për një tjetër herë…
sa puthje mërmëritëse morëm
e sa të tjera kurrë nuk i dhamë…

dhe ja ku jemi sonte në Darkën e Fundit
në dukje gjakftohtë e të qetë
lotët fshehur në grykë
ti nga kryqe dhimbjesh zbritur
dhe unë, siç thua, Juda yt…

te vargu im pa semafor
ku heshtjet e të tjerëve
dikur aksidentoheshin lehte…
qëndrojmë sonte
gjykojmë
kerkojmë
mes kupës dhe lëngut cili paska vlerë…

unë dashurova me zemër, zemra ime,
me mendje ti…e mençura ime ti…
por mendje dhe zemer rrallë bëhen bashkë…
logjika pranë pasionit dot kurrë nuk rri…

kërkova të bëheshe pavendosmërisht
e imja
dhe piramidën e shpirtit t’më drithëroje…
ta rrëzoje përdhe gur pas guri…
dhe nga e para ta rindërtoje…

por të kishe kujdes mumjet që flinin aty
dhe zërat që vinin nga shkretëtirat
ishin të dashurive që më sollën te ty…
ishin…janë…
vendosmërisht të miat…

të më dashuroje siç isha…
mëkatar zjarresh rreshkur
s’munde, e mira ime, s’munde…
fytyra e djallit gjithnjë është më e shëmtuar
se maskat që mbajmë veshur …

por kësaj Darke të Fundit
le të heshtim së bashku
le të harrojmë…
të harrojmë premtimet e dhëna
nëse nesër diçka
përsëri do na bashkojë
do jenë fjalët e pathëna…

*Titulli i origjinalit: “Darka e fundit”

ObserverKult

————–

Lexo edhe:

ARTAN GJYZEL HASANI: PO PLAKEM DHE PRES TË BËHEM FËMIJË