Ç’do të thotë të biesh në dashuri? A është rënia në dashuri një revolucion? Çfarë janë dëshira, xhelozia, pasioni? A mund të biesh në dashuri me dy vetë njëherësh? Çfarë e dallon seksualitetin e njeriut me të kafshës? A është dashuria një kërcënim, një rrezik për shoqërinë?
Profesor Alberoni u përgjigjet këtyre pyetjeve duke përkufizuar kategorinë e “dashurisë në lindje e sipër”.
Kjo fazë e dashurisë, që studiohet e saktësohet për herë të parë prej tij, është themelore për të kuptuar procesin e rënies në dashuri.
Ky libër i sociologut të famshëm italian bën pjesë në një trilogji, së bashku me dy titujt e tjerë të tij, Miqësia dhe Erotizmi.
Përkthyer në shumë gjuhë të botës, këto libra trajtojnë në mënyrë të kuptueshme për të gjithë temat e përjetshme njerëzore.
Askush nuk bie në dashuri nëse është plotësisht i kënaqur me ato që ka dhe me atë që është.
Të paktën kështu mendon profesori i njohur Francesko Alberoni në studimin e tij mbi rënien në dashuri. Ndëkaq që studimi konsiderohet si më i miri që pas “Dashuria” të Stendalit.
Në librin “Rënia në dashuri dhe dashuria”, Alberoni merret me ato momentet e shkurtra që na përfshijnë para se të biem në dashuri. Ai mundohet të zbërthejë ato forca që ndikojnë veprimet tona në këtë fazë.
Për shumë njerëz, libri i Alberonit ka mjaft elemente të vërteta. I shkruar me një gjuhë gati poetike, edhe pse me shpjegime psikologjike e sociologjike, autori arrin ta transportojë lexuesin në kohë dhe vende të ndryshme.
Të biesh në dashuri, sipas autorit, është një eksperiencë universale; është takimi jo vetëm mes dy shpirtrave, por edhe mes dy mendjeve.
Libri është shkruar për të gjitha moshat dhe sekset. Thelbi i tij është se rënia në dashuri ndodh si rezultat i pakënaqësive individuale, që do të thotë, një njeri bie në dashuri atëherë kur ndihet i pasigurt në vete. Ne biem në dashuri kur përpjekjet tona për të shpëtuar marrëdhëniet e mëparshme kanë dështuar dhe ndihemi gati për ndryshim. Ky është momenti i një faze të re, ajo e dashurisë “në lindje e sipër”.
Për të sqaruar teorinë e tij, Alberoni sjell shembullin e adoleshentëve dhe dëshirës së tyre të madhe për t’u pranuar, një dëshirë që përkthehet me rënien në dashuri. Për shumicën e njerëzve, adoleshenca është periudha me momentet më të turbullta e njëkohësisht më të bukura. Gjatë kësaj faze të jetës, ne jemi në shumicën e kohës të pasigurt në çdo gjë dhe në të njëjtën kohë më të prirur për të dashuruar. Sipas Alberonit, një gjë e tillë nuk është thjesht koincidencë.
Çfarë do të thotë të biesh në dashuri? Çfarë ndodh me ne? Ku na çon kjo ndjenjë dhe më e rëndësishmja, si arrijmë atje? Libri i Alberonit është më shumë një studim sesa guidë. Në këtë rast, konkluzioni i studimit të tij del nga nevoja njerëzore për të përmirësuar ekzistencën.
“Rënia në dashuri dhe dashuria” është një pjesë unike e letërsisë. Me formimin e tij akademik, Alberoni bën analiza por në të njëjtën kohë, nëpërmjet këtij libri, përcjell shpresë.
Ky libër është botuar nga “Çabej”, në përkthim të Reshat Konçit.
ObserverKult
Lexo edhe: