A i kërkoi Jezusi Judës që ta tradhëtonte? Pse?

Juda Iskarioti është i famshëm për faktin se ishte dishepull i Jezusit, që e tradhtoi në këmbim të parave.

Nga 12 dishepujt e Jezusit, “vetëm Pjetri merr më shumë rreshta nga shkrimtarët e ungjijve sesa Juda”, shkruan William Klassen në librin e tij “Juda: Tradhtar apo Mik i Jezusit?”. Klassen ishte profesor kërkimor në École Biblique et Archéologique në Jerusalem.

Pavarësisht famës së tij biblike, pak dihet për Judën. Historia e tij është aq e paqartë sa që ndërsa shumë studiues besojnë se ai ekzistonte, të tjerë mendojnë se Juda është personazh imagjinar.

“Askush nuk ka arritur të gjejë ndonjë burim mbi Judën, pavarësisht nga ritregimet e rrëfimeve të Dhiatës së Re. Kjo është arsyeja pse mendimtarët me reputacion mund të vazhdojnë të mos besojnë në ekzistencën e tij historike,” shkruan Susan Gubar, një profesoreshë emeritus e anglishtes në Universitetin e Indianës, në librin e saj “Judas”.

Tregime biblike

Rrëfimet e Judës ruhen në Bibël në Ungjijtë e Markut, Mateut, Lukës dhe Gjonit, si dhe në Veprat e Apostujve (të quajtur edhe “Libri i Veprave”).

Rrëfimet biblike nuk thonë se ku dhe kur lindi Juda, dhe përshkruajnë versione të ndryshme se si ai vdiq. Thonë se Juda ishte një dishepull i Jezusit dhe se ai e tradhtoi udhëheqësin e tij, duke rënë dakord t’ia dorëzonte një turme të udhëhequr nga krerët e priftërinjve në këmbim të parave – 30 copa argjendi, sipas Ungjillit të Mateut.

Ungjijtë e Mateut, Markut dhe Lukës të gjithë specifikojnë se Juda e nxorri në pah Jezusin duke e puthur, kur turma u afrua. Më pas turma e çoi Jezusin tek Ponc Pilati, guvernatori romak i Judesë. Jezusi u gjykua më pas dhe u kryqëzua.

Një tekst 1200 vjeçar i përkthyer së fundmi, i shkruar në kopte – një gjuhë egjiptiane që përdor alfabetin grek – pretendon se Juda e përdori puthjen për të tradhtuar udhëheqësin e tij, për shkak se Jezusi kishte aftësinë të ndryshonte pamjen. Puthja e Judës do ta identifikonte qartë Jezusin para turmës. Katër ungjijtë, nga ana tjetër, nuk përpiqen të shpjegojnë pse u përdor një puthje për të identifikuar Jezusin.

Të gjithë ungjijtë tregojnë se Jezusi e dinte se do të tradhtohej kur të darkonte me dishepujt e tij, pak para arrestimit. Ungjilli i Gjonit thotë se Jezusi u përball me Judën në darkën e fundit, duke i thënë: “Atë që do të bësh, bëje shpejt”.

Ungjijtë e Lukës dhe Gjonit thonë se Satanai “hyri” tek Juda në periudha të caktuara dhe mund të ketë ndikuar në vendimin e tij për të tradhtuar Jezusin.

Ungjilli i Gjonit e përshkruan Judën si një person të pabesueshëm. Ai pretendon se Juda ishte arkëtari i Jezusit dhe 12 dishepujve të tij, duke mbajtur çantën e parave që grupi ndante dhe ndonjëherë vidhte prej saj. Kur një grua i vuri parfum Jezusit pak para darkës së fundit, Juda kundërshtoi, thotë Ungjilli i Gjonit.

“Pse nuk u shit ky parfum dhe paratë t’i jepeshin të varfërve? Vlente sa rroga e një viti.” Ai nuk e tha këtë sepse kujdesej për të varfërit, por sepse ishte hajdut; si mbajtës i çantës së parave, ai merrte edhe vetë nga ato që futeshin në të”. Gjoni 12:4-6.

Vdekja e Judës

Bibla ka dy tregime të ndryshme që shpjegojnë se si vdiq Juda.

Ungjilli i Mateut thotë se Juda u pendua që tradhtoi Jezusin dhe u përpoq të kthente 30 copat e argjendit që i ishin paguar.

Tek Mateu 27:3-5, Juda u thotë krerëve të priftërinjve dhe pleqve: “Kam mëkatuar sepse kam tradhtuar gjakun e pafajshëm”. “Çfarë është kjo për ne?” u përgjigjën ata: “Kjo është përgjegjësia juaj”. Kështu Juda i hodhi paratë në tempull dhe u largua; pastaj u vetëvar”.

30 copat e argjendit u përdorën më pas për të blerë një ngastër toke që u bë vendvarrimi për të huajt – një vend i quajtur Fusha e Gjakut.

Veprat e Apostujve përshkruajnë një fund më dramatik për Judën, duke pretenduar se ai përdori 30 copat e argjendit për të blerë një arë, ku vdiq tmerrësisht. “Me pagesën që mori për ligësinë e tij, Juda bleu një arë; aty ra me kokë, trupi i tij u hap dhe të gjitha zorrët iu derdhën jashtë. Të gjithë në Jeruzalem dëgjuan për këtë, prandaj e quajtën atë arë në gjuhën e tyre Akeldama, d.m.th., Fusha e Gjakut.” (Veprat e Apostujve 1:18-19.)

Një burrë i quajtur Matia zëvendësoi Judën si një nga 12 dishepujt, thotë Veprat e Apostujve.

Ungjilli i Judës

Në vitin 2006, National Geographic botoi “Ungjillin e Judës”, një tekst i fundshekullit të tretë që mund ta përshkruajë Judën në një dritë më të mirë. Vepra është ajo që studiuesit e quajnë një tekst “apokrif”, një tekst që nuk u përfshi kurrë në Bibël. Tekste të shumta apokrife që diskutojnë Jezusin dhe jetën e tij janë shkruar në të gjithë botën e lashtë.

Ashtu si disa tekste të tjera të lashta, Ungjilli i Judës është shkruar në Koptisht. Teksti u përkthye nga një ekip studiuesish që punojnë me National Geographic. Përkthimi sugjeron që Jezusi i kërkoi Judës ta tradhtonte në mënyrë që të ndodhte ekzekutimi i tij.

Sipas përkthimit, Jezusi i tha Judës: “Largohu nga të tjerët [dishepujt e tjerë] dhe unë do të të tregoj misteret e mbretërisë. Është e mundur që ti ta arrish, por do të pikëllohesh shumë. Dikush tjetër do të të zëvendësojë, me qëllim që të dymbëdhjetë [dishepujt] të plotësohen përsëri me perëndinë e tyre.”

Megjithatë, përkthimi dhe interpretimi i tekstit nga ekipi është kritikuar nga studiues të tjerë. April DeConick, kryetare e departamentit të fesë në Universitetin Rice në Hjuston, shkroi në faqen e saj të internetit se ka një sërë gabimesh në përkthim dhe se Ungjilli i Judës është në të vërtetë një “parodi për një “demon” Judë, i shkruar nga një grup i caktuar të krishterësh gnostikë që ne i quajmë Sethët.” / LiveScience – Bota.al

ObserverKult


Lexo edhe:

QYTETI 2000-VJEÇAR KU FLITET ENDE GJUHA E JEZUSIT

Porta të larta, mure të vjetra guri dhe rrugica të ngushta me kalldrëm ku dëgjohen biseda në arabisht, armenisht, toranisht, turqisht dhe aramaisht, një gjuhë e lashtë semite që dikur besohet se është përdorur nga Jezusi.

Gjuha aramaike

Gjuha aramaike, është një gjuhë semite, që fillimisht flitej nga popullsia e lashtë e Lindjes së Mesme të njohur si aramaenë. Ajo ishte e lidhur me hebraishten, gjuhën siriane e fenikase. U shkrua me alfabetin fenikas.

Mendohet se aramaishtja është shfaqur për herë të parë në mesin e aramejve, rreth fundit të shekullit të 11- të p.e.s. Nga shekulli i 8-të p.e.s. ishte pranuar nga asirianët si gjuhë e dytë. Më pas, ajo u bë gjuha zyrtare e dinastisë persiane Akameniane (559–330 p.e.s.).

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult