A mund t’ia falim gabimet vetvetes?

trishtim respekt Jorgo...
Foto ilustrim
eqrem kryeziu

Nga Eqrem Kryeziu

Nga MIKU I TIJ LETRAR

Me folë rreth vleftave estetike asht vështirë. Si mund t’u rrijnë përkundruell mendimet tona, që janë të kufizueme rrebtsisht prej kufijve ideologjikë, kulturalë a egocentrikë, vleftave që synojnë të jenë të përjetshme? Me nji fjalë kritika ndaj artit rrin në relacion si rasti me amshimin.
Ndonjëherë paraqiten momente të volitshme historike kur kritika mbushet me ideale, largpamsi, zemërgjansi e fisniki dhe, e endun sish, fjala e saj fiton dishka nga e përjetshmja. Por a mund te thuhet sot, për kohën tonë, se ofron rast të tillë? Të zhytun në detin e absurdit e të ligsisë, të dhunës e të absurdit, qenja e individit shtërngohet të struket, të mbyllet në vetvete — jo në kullën e fildishtë, ku me e gjetë të lumen! pò në kullën e ankthit, të frigës së pandërpreme, në kullën e Kafkës. mbrenda mureve të së cilës endemi si bishë e trembemi për egzistencën tonë biologjike — i vetmi kujdes që na in betel mbas dështimit tragjik të egzistencës shoqnore.
Si me folë për Hilushiu sot kritika shqiptare kur nji pjesë e saj vuen prej paragjykimeve qesharake (se politika asht veprimtarija kryesore njerzore, vet mbretnesha që mban nën kambë të gjitha veprimtaritë tjera artin, moralin, shkencën), ose kur pjesa tjetër e saj asht gjithashtu e njianshme tue vuejtë prej mallit për tokën e lanë a kur nji pjesë tjetër, e tronditun me vdekjen e Tij, me humbjen e mikut të shtrejt, flet me zemër pezull, me fjalë të përlotuna?
Megjithate, pa marrë parasysh taborret e përmenduna, mund t’i përmbledhim karakteristikat kryesore të veprimtarise letrare-kulturore të Hilushit në nji si repetitorijum të historisë sonë letrare:
Pa ua vu veshin rrethanave ekstreme shoqnore, në të cilat i ra për hise me jetue, me nji konsekvencë e kontinuitet të rrallë, ndërtoi nji aspekt të tanë, të randsishëm, jo vetëm kundrimi po edhe krijimi të kulturës sonë.
Në letërsi krijoi stilin e posaçëm – koliqjan t’a quejmë tashma pa ngurrim i cili në epiko lirikën e Tij asht nji shartim i klasikës greke me freskinë e kohës, kur asht lirik ngjan me shushuritjen e luleve të bardha pranverore, mbushun përplot me vesë e dritë. Kur asht polemik, përshkohet me qetsinë atnore që s’turbullohet me lajthitjet e fëmijve të vegjël.
Dhe përderisa Fishta na mëson e na përgatit të përvetsojmë fatin tragjik-heroik, të pajtohemi me te, me ndjenjën e therorzimit si domosdoshmëni të çastit historik, Hilushi na pajton me të bukurën, dhe sado që tragjika historike, nacionale e sociale s’ka se si mos të dominojë në veprën e Tij, ajo paraqitet në nji tabllo t’argjantë, plot me ornamente mrekulluese. Në përgjithsi, vepra e Hilushit mund të cilsohet si ornament i jetës — si ornament, jo në kuptimin e sekondaritetit, po si nji përpjekje e zbukurimit të jetës, fìsnikimit të saj.
Në punimet kritike-lelrare, Hilushi përpiqet të pajtojë traditen me të tashmen tue pikatun e tue theksue me të drejt nji vazhdimsi veprimi. Ajo vazhdimsi egziston dhe Ai don të na bajë të vetdijshëm për këtë gja. Kur shkruejmë se egziston — kemi parasysh veprat e Kadaresë, Camajt e të R. Kelmendit me shokë të pakë o jo epigonat tjerë, që veprojnë të shtyem prej komplekseve vetanake a interesit politik e ideologjik. Dhuna si raport karakteristik fatkeq i kohës, na ka lanë me behane: deri edhe në botën e artit përpiqemi të hyjmë me anë të saj.
Gjuha e Tij asht kapitull në vete. E lindun nga të ndeshunit ndërmjet shkollës simboliste, prirjes e dashunisë dhe mallit të Tij për te, e përdorun me mjeshtri, e zgjedhun dhe e pastër, ajo mbetet modeli i gegnishtes letrare.
Hilushi asht shembulli ma fatlum në letërsinë tonë në të cilin etika dhe estetika përfaqsohen në mënyrë të barabartë. Me qenë vetëm estet në shkrimet kushtue vendit dhe kohës sonë, do të thotë me qenë jehonë e zbehtë o ndikimeve të shkollave të ndryshme letrare l’art pour l’artiste. Me qenë vetëm etik (ose kryesisht etik) në shkrime, do të thotë se ke qëllim të mirë, por jo edhe mundsi të formojsh emën në letërsi. Me qenë estet dhe etik… por i tillë ka qenë vetëm Hilushi.
Prap mbi artin. Sado që krahasimet çalojnë, megjithatë artin mund t’a marrim si nji pasqyrë mbi të cilën kohnat përkulen që të njofin fytyrën e vet, të shofin synimet, dëshirat e veta. Dhe tue qenë se kohnat s’janë identike ndërmjet veti, arti kështu ruen vitalitetin dhe aktualitetin e vet.
Mbi artin e Hilushit. Shka kërkojmë sot ne prej tij? Te rraskapitun nga pesha e historisë, të randuem prej dyshimit e zhgënjesës, të mneruem prej shfaqjeve të panumërta të së mbrapshtës, para së gjithash prej Hilushit kërkojmë të na sigurojë se a ka kuptim egzistenca jonë kombtare, a kemi tipare kurajuese që e përcaktojnë qenjen tonë si komb.
Në nji poezi të Gjurmave të Stinve Hilushi shkruen:
«… mjaftoi vetvetes, gjêj mâ t’madhën ande
N’kângën kumbore qi mbi buz’ t’lulzon»
Tue u nisë prej përvojës se çdo ideal kolektiv mund të jetë i shpërdorun e i dyshimt, Poeti këshillon formimin e nji ekuilibri vetanak, në të cilin duhet të gjindet forca dhe vullneti për veprim.
«Kur kombi bje n’humbnerë,
kur vuen polêmi i mjerë’
kur shkelen doke e Iterë
kur enden kombet varg
Ai nuk âshl larg… » (Ai kthen)
« Por… hynit… s’duen qi t’m’shkojë n’vend dishiri
dy herë e mâ me dekë për ty, Atdhé! » (Th. Gërmënji)
Me këto citate po e dëshmoj gabimin e pafalshëm, të cilit kritika s’mund t’i shmanget: tansitë plot jetë t’i shndërrojë në copa të pashpirta. Mendoj se vepra e Hilushit s’mund të citohet edhe spjegohet e analizohet me vështirësi. Ajo mbetet nji gjallesë estetike që s’duron çansim dhe kufij racionalë. Kohë mbas kohe mundemi vetëm të hetojmë në te përgjegjjen që na duhet. Pikrisht nga ky aspekt desha të ilustroj me ato pak vargje se arti i Hilushit ngushllon, jep zemër, forcon besimin. Për me qenë ky funksjon ende mâ i ditës, duhet të kujtojmë edhe përvojën e pasun jetsore të Tij, nji përvojë që ngërthen në vete ekstremitete ma tepër se të ashpra. Ekstremitetet e tilla mund të ndikojnë shumë keq në personalitetin e njeriut, sa edhe të humbet besimi në jetë, në mundsinë për komunikim. Njeriu njifet shi në këto rasa, tue mos e humbë torruan, besimin dhe forcën e veprimit.
Për momentin e tanishëm shoqnor, Hilushi* gjithashtu mbetet shembull i rrallë: po heshtim me decenje para artit të Tij, tue diftue kështu papjekuninë tone kulturore dhe papërgjegjsinë historike.
Por, kur të shfryhemi prej mllefeve politike e prej gjakimeve ideologjike — në qoftë se e don fati e deri ateherë mbesim njerz me sedër, me dinjitet — po them, atëherë patjetër do t’i kthehemi Zanës së Hilushit, e cila do të na përqafojë me mallë tue përshpëritë me ngashrim: «Unë kam pritë me nji durim që ka qenë ma torturues se akti i krijimit, por… po ju fali gabimin!»
Por, nëse Zana e Tij na e fal gabimin, a mund t’i a falim ne vetvetes? Po dyshoj në legjendën mbi Kthimin e djalit plangprishës …

Fror, 1975

*Titulli i origjinalit: “KUJTIMIT TË HILUSHIT”



*Hilushi ose Hilush Vilza ishin pseudonime që përdorte Koliqi.

*Për herë të parë shkrimi u botua në Revistën “Fjala”, 1 qershor 1991, nr. 22, Prishtinë.

ObserverKult

Lexo edhe:

PËRKUJTOHET ERNEST KOLIQI, SHKRIMTARI DHE PUBLICISTI I NJOHUR