A mundemi të mos jetojmë vetëm mes ankthit dhe dëshirave?

trishtim respekt Jorgo...
Foto ilustrim
Agim Baçi: pinoku Soditje mbi gjestet dhe dashurinë

Nga: Agim Baçi

Personazhet e romanit distopik “Më e mira e botëve” e Aldous Huxley-t jetojnë në një botë plot bollëk dhe ekstravagancë. Ata nuk shqetësohen për asgjë sepse duket se kanë gjithçka, deri në dëshirën më ekstreme. Ndërkohë që në romanin “1984” të britanikut tjetër, George Orwell, botuar vetëm pak vite pas romanit të Huxley, distopia na përshkruan njeriun e trishtuar dhe në nevojë të përhershme, që ka vetëm mungesa në jetën e tij.

Në pamje të parë, personazhet e Huxley-t dhe Orwell-it janë dy botë të largëta, pa asnjë lidhje. Por, në fakt, ajo që i lidh personazhet e dy romaneve janë pasojat që na vijnë nga kontrolli total i jetës së individit nga autoritetet.

Pavarësisht ekstremeve në përshkrim, përmes mungesës apo bollëkut, shoqëritë e Huxley-t dhe Orwell-it jetojnë në një shoqëri ku liria e individit ka shkuar drejt hiçit. Madje, ata që drejtojnë kanë krijuar një rutinë të programuar deri në detaje që ka çuar pjesëtarët e shoqërisë në përbuzjen e lirisë.

Frika, shpresat, ëndrrat qëndrojnë pezull përreth Komandës Supreme, që shkruan skenarin e jetëve të tyre, pa të drejtë improvizimi. Pra, një jetë marionetash, ku fijet janë diku tjetër. Njeriu e humb alternativën e vetes dhe as nuk përpiqet më që të zbulojë kuptimin e skenarit që i jepet për jetën.

Dhe në fakt, parashikimet e Huxely-t dhe Orwellit, ashtu siç erdhën në rrugë të ndryshme, ashtu edhe u aplikuan në mënyrë të ndryshme. Edhe pse me një thelb të njëjtë. Parashikimi i Orwell-it ishte njeriu në totalitarizëm, ku gënjeshtra i lejon sistemit të jetojë sa më gjatë.

Ndërkohë që personazhet e Huxley janë viktima të një krijimi të vazhdueshëm të një shoqërie ku në pamje të parë duket sikur jepen shumë fakte dhe të vërteta, por që në fakt nuk janë as fakte e as të vërteta, por një realitet që menaxhohet në emër të dëshirave të qytetarëve, duke e futur kështu njeriun gjithnjë e më shumë në botën e instinktit, të nevojave.

Në fakt, Huxley dhe Orwell bashkohen në atë që ky i fundit e parashikoi në romanin “1984”: “Qytetërimi ynë është ngritur mbi urrejtje. Në botën tonë nuk do të ketë ndjenja të tjera veç frikës, zemërimit, triumfit dhe vetëposhtërimit. Gjithçka tjetër do të shkatërrohet”, shkruan George Orwell.

Por, a janë fajtorë vetëm ata që duan ta zotërojnë këtë realitet të ri? A mundemi ne të mos kthehemi në viktima të realitetit që na e prodhojnë të tjerët dhe që të mos jetojmë vetëm mes ankthit dhe dëshirave?

Pikërisht kësaj sfide duhet t’i përgjigjemi, që të mos lejojmë që skenari i rutinës së të qenurit hiç të triumfojë e që ne të jemi vetëm kokëtundës të bindur ndaj asaj që na shitet nga autoritetet si e vetmja e vërtetë.

ObserverKult


Lexo edhe:

AGIM BAÇI: TË SHOHËSH DASHURINË NGA XHELOZIA