reklamë

A zbarkoi “Provinca” në vendin e duhur, në Preshevë

Shkruan: Fitim Nuhiu

Gjatë panairit të parë të librit shqip në Preshevë “Presheva flet”, 2025, përveç stendave të shtëpive të ndryshme botuese që ekspozonin librat e tyre, pati edhe tryeza diskutimi për tema që lidhen me librin por edhe promovime të librave. Njëri nga promovimet ishte edhe “Provinca” e autorit Liridon Mulaj.

Liridoni me thjeshtësinë e tij estetike dhe me oratorinë e tij të shkoqitur, na elaboroi pak a shumë librin në fjalë si edhe pati vlerësime dhe komente edhe nga publiku.

E pyeta: “Liridon, a është libri i duhur në vendin e duhur”, – ma ktheu, “jo Preshevën po e shoh qytet shumë më modern”, nejse ndoshta për shkak se ishte mysafir dhe mund të na ketë bërë qejfin nikoqirëve të vet, doja të ishte e vërtetë atë që pohonte dhe s’ia prisha terezinë as atij as qejfin vetes.

Pas një jave që libri kaloi nëpër duar të lexuesve, veshët më kapnin diskutime dhe flisnin nëpër kafenetë e Preshevës mbi librin “Provinca”. Disi më jepnin përshtypje që të gjithë që e morën atë libër (me sa e kuptova shumica falas) vërtetë e kishin lexuar, mbase ishte titull intrigues që i fuste në kurth lexuesit preshevarë që mund të gjenin veten, si shihet provinca nga syri i një tiranasi, etj.

Librin e lexova për dy ditë, dhe më bëri për vete që nga faqja e parë. Autori ka aftësinë që të bëj menjëherë lexuesin protagonist të ngjarjes, lexuesi ndjen, prek, nuhat, me një fjalë i vë të gjitha shqisat në funksion që të kuptojë ngjarjen dhe tematikën që dëshiron ta shtjellon.

Gjersa lexon librin, lexuesit i ngritet pyetja ekzistenciale se sa të gjithë ne (kupto: shqiptarët, edhe ata që jetojnë në kryeqendra të mëdha) kemi bërë kapërcimin nga provinciali drejt qytet-it(ërimit), vetëdijes qytetare, ku njeriu dëgjon zërin e vet të brendshëm dhe punon fort për t’i realizuar ëndrrat e veta, pavarësisht çka thonë të tjerët.

Ky libër është një psikoanalizë, ku autori bën një introspeksion deri në qoshet më të errëta të qenies dhe shpirtit njerëzor, jep një panoramë të përmbysur të Edipit (E.D), tradhtinë bashkëshortore, vanitetit, syfaqësinë para të tjerëve, fëmijët e provincës shpërfaqen si peng i marrëzive dhe fiksimeve të prindërve të tyre, koncepti i martesës – graviteti i saj për çiftet, dilema sesi të kesh fëmijë në këtë ambient toksik, relatat e antarëve në një familje, etj.

Humnera që krijon provinca, e ka gravitetin aq të madh sa që kudo të shkon provinciali atë sikur e tërheq dhe e kthen po në origjinë, kjo lexojet kur nëna i thotë djalit të tij: “Sado larg të ikësh, nuk shkulesh dot prej vetes” (fq.12).
Ose fjalia tjetër që s’lejon vendasit e vet që të shohin kaltërsitë e qiejve: “Provinca i ha njerëzit që rrinë këtu, i transformon me forcë” (fq. 86).
“Ekzistenca e provincës është një mallkim në të cilin thyejnë qafën ëndrrat e fëmijëve” (fq. 207).

Autori provincën e përshkruan si një shkretëtirë dhe njeriu që s’e do atë mendësi është si ajo fija e barit që lulëzon, kur përshkruhet protagonisti me pasionin e tij ëndërrimtar që konkurron për një regji filmi, në fq. 121., por shtrohet pyetja se sa mund të lulëzojë ajo fije bari në shkretëtirë?!?

Paraqitja e figurës së femrës, ndjell te lexuesi empatinë dhe pasionin që të vështron me një sy të rafinuar estetik, përshkrimi i skenave romantike, erotike, përqafimi i saj, ngjall te lexuesi kurreshtjen që të përjetojë dhe shijojë edhe ai/ajo atë romansë që e lexon.

Më bëri përshtypje arsyeja që e solli Vilmontin në provincë, pra ishte godina që ishte rritur Vilmonti e po shembej, për të firmosur kontratën me një biznismen që më pas të ndërtonte në atë vend një bujtinë me pistë patinazhi, jo që donte të kthehej, porse ishte i detyruar për këto formalitete.

Narrativa e autorit është briliante, stili i të shkruarit thjesht dhe qartë e bën lexuesit për vete që në faqet e para të librit, siç e ceka edhe më lart, ky libër të zgjon të gjitha shqisat dhe të bën ta shijoj në plotëni ngjarjen që përshkruhet, nuk ngurron të thotë me sinqeritet ato që Vilmonti (fëmija) ka përjetuar, ka ëndërruar, komplekset e tij, raportet seksuale, ndrojtjen, qullashin, etj.

Në fund, mbyllja e këtij romani është e dhimbshme, që lexuesi doemos mund të ndjejë empati ndaj nënës së Vilmontit, dhe mund ta gjykon për të keq ftohtësinë, indiferencën e këtij të fundit, pavarësisht historive toksike që kishin mes vete, në fund të fundit është nëna e tij dhe atë nuk duhet lënë të vetme që të vdesë, pavarësisht pendimit dhe të qarave pas vdekjes.

Gjykoj, se autori na ka treguar origjinalitetin e fytyrës së provincës dhe çka ajo gëlon brenda saj, me një saktësi dhe korrektesë të pashembulltë.

Libër i rekomandueshëm jo vetëm për provincialët, në këtë libër çdo shqiptarë mund ta sheh veten më mirë në pasqyrë dhe të reflektojë!

ObserverKult


Lexo edhe:

(Video) Takim poetik dhe diskutim me Liridon Mulajn/ Festivali Poetik i Prishtinës 3