Adem Gashi: Antologjia e shkrimtarëve të mëhallës Bum-Bum

adem gashi antologji atdhedashuri

Me antologji e antologjira gdhijnë ditët përditë,
Me grupe autorësh e anonimë,
Sa shumë letër paska pasur,
Sa shumë elektronikë!

Kopertina të trasha, desen klasik
Vrujojnë ngjyrat, ç’spektër elegant
Të tërë aty janë: miku për mikun është mik.

Gjethe vjeshte, shi, breshër
Romantikë e zhvirgjëruar mënjanë,
Përrenj gjaku patriotikë me kukulla në prehër
Si në kasaphanë.

Ngrysen netët me antologji e antologjira,
Shkrimtarët e mëhallës Bum-Bum
Dendën si në kasafortë,
Se janë shumë ore, janë shumë.

Përurim, fanfarë, si një kongres, si një miting
Tv, kronistë, kritikë, shkrimtarë
Në grupe, veç e veç e anonimë
I japin zë eventit orë për orë,
Pas perdes, në një dorëshkrim, jep shpirt një metaforë.

Dhe s’ka rëndësi aspak, nuk ka rëndësi
Në ka më tej art, në ka gjetiu letërsi
Në ka autorë përtej, në ka botë, forum
Univers letrar:
Shkrimtarët e mëhallës Bum-Bum.

Janë të shumtë shkrimtarët e mëhallës,
Të shumta antologjirat,
Po s’e pritëm fundin e përrallës
Na zënë në gjumë vërshimet, shirat.

ObserverKult

Lexo edhe:

ADEM GASHI: NË MOS QOFSH UJKONJA VETË, JE SIRENA…