Me të rënë bora e parë
si çarçaf i lehtë Maleve të Berishës,
Ti lidhje në furkë shtëllungën e bardhë
e bëje tjerr
të m’i thurje çorapët për ngricën.
Përse lodhesh, o Nënë,
kam pesëmbëdhjetë palë –
Të thosha prej dhimbjes.
Janë ndryshe, janë ndryshe –
I jepje zë pëshpërimës.
Tashti kam pesëdhjetë palë
po këmbët më ngrijnë
për çerek shekulli, 25 vite
duke tjerrë shtëllunga malli e kujtime.