(Diçka mbi metodologjinë e shkrimit të poezisë)
Po pëshpërit ngadalë mos më dëgjojë Ajo,
e di se nuk jam poet,
por ama përsosmërish bëj punët e sekretarisë.
Padronia e pashpirtë dikton me ngulm
fraza pa kuptim të urdhrit mizor
pa zgjedhur vakt, minutë a orë.
E ndiej së brendshmi përndezjen e Saj
nga fundi i barkut tek zemra e në grykë
aty ku ma zë frymën e më deh këngëvaj
e shkëndija më nxjerrin sytë.
Kur nga zonë e padukshme ndihen hapa
korridoreve të vetmisë
më zënë dridhmat e bëhem si nata
rënë nga qiej të pafundmë të gjithësisë.
Hëshëëët!
Ajo, ja po vjen,
mos më kap në flagrancë në çastin e herezisë!